Home KRYESORE Deputetja Qirici pyet Peleshin: Sa dhe përse? Ku dhe kujt?

Deputetja Qirici pyet Peleshin: Sa dhe përse? Ku dhe kujt?

Nga Eleni QIRICI

Proklamon investime dhe fasada ish-zv.kryeministri, dikur kryetari i Bashkisë Korçë në qytetin e Korçës. Dhe shumë mirë e bën detyrën, sepse kjo është puna e “rilindasve”: propaganda, fjalët pafund, dritat dhe projektorët, efektet dhe shfaqjet qoftë edhe amatoreske, trungjet e pemëve mbështjellë me beze me ngjyrat e ylberit buzë bulevardeve, pedonalet ku enden të papunët, pllakat me ngjyra dhe shatërvanët me ujë pa presion (apo edhe pa ujë), trumbetat dhe këngët nëpër sheshe dhe një daulle që kërcet për investime.

Por tani do i bëj disa pyetje Peleshit, në emër të mijëra korçarëve, pasi t’i numëroj punët e bëra në Korçë në këto 4 vite, por edhe për hir të transparencës.
Investime:

1. Sistemim i territorit të Parkut “Rinia”. Specialistë të fushës flasin se puna bëhej me 1/3 e vlerës që shpenzuat. Realisht sa ishte fondi në total dhe përse kaq? Ku u hartua projekti dhe buxheti dhe kujt iu dha investime apo edhe nënkontraktimet?

2. Kulla e Korçës, shëmtia prej betoni që zaptoi një prej shesheve qendrore, historike të qytetit, projektuar nga arkitektë të huaj, me disa godina të rëndësisë së veçantë përreth.
Një kullë që ia mori frymën sheshit dhe Korçës dhe e shëmtoi atë turpshëm. Sa ishte fondi në total dhe përse kaq? Ku u hartua projekti dhe buxheti dhe cila kompani i kreu punimet për kullën?

3. Rikonstruksioni i teatrit “A.Z.Çajupi” ka filluar punimet, ende në vazhdim.
Një fond marramendës që askush në Korçë nuk e di nëse i justifikon punimet që po kryhen. Sa është ky fond ekzaktësisht dhe përse në këtë vlerë? Ku u hartua projekti për teatrin dhe cilës kompanie ia dha Bashkia pas procedurave? Nëse ka procedura të kryera dhe konform ligjit!!!

4. Rikonstruksioni i pazarit të qytetit, fasada dhe punime elementare rikonstruksioni të brendshëm, një projekt i filluar që në periudhën e qeverisë Berisha me fonde kërkuar në

BE. Pazari ndryshoi destinacion dhe nuk është më pazar. Si monument kulture, a mund t’i ndryshohej destinacioni pazarit? Për këtë duhet të flasin institucionet kompetente. Sa ishte vlera dhe vlerat në total që u investuan? Po kompanitë që u kontraktuan dhe ato që morën punë me nënkontraktim cilat janë?

Qepenat e dyqaneve mbyllur. Mbi 160 biznese të dëbuara. Ende punimet vazhdojnë dhe askush nuk di sa, përse, ku dhe kujt!

5. Lëvizja e godinave dhe institucioneve të Bashkisë sa kushton? Përse duhej bërë kjo lëvizje? Po biblioteka e qytetit pse duhej prishur dhe tani jeni duke e bërë si fole pëllumbash? Po që Pallati i Kulturës kishte kaluar nga disa rikonstruksione në vitet e kaluara e di këtë kandidati për deputet? Punimet vazhdojnë edhe këtu, janë në hapat e parë. Askush nuk di sa, përse, ku dhe kujt.

Cila kompani po i bën punimet në këto godina?

6. Po godinën që në formë të paligjshme po hedh shtat mbi bulevardin “Republika”, përbri Këshillit të Qarkut si po e ndërton? Sa kushton dhe kush e ka bërë projektin? Kur u bë tenderi dhe kush e ka fituar atë?

Megjithëse kjo është një nga ato godina, punimet e së cilës do të pezullohen shumë shpejt. Fonde të ikura dëm. Godinë për t’u shqyrtuar nga INUK.

Të gjitha këto që rreshtova sa miliona euro kushtojnë? Sepse këtë nuk e di asnjë korçar. Çfarë mirëqenie kanë sjellë këto investime në Korçë? Çfarë impakt kanë këto investime në ekonominë e qytetit dhe në ekonomitë familjare të korçarëve? Çfarë impakt kanë mbi papunësinë? Apo thjesht dhe vetëm punë që të fitojnë tanët dhe korçarët të kullosin sytë.
A janë këto investime të kryera me pëlqimin dhe miratimin e qytetarëve? A u është marrë atyre mendimi në takime publike?

Dhe ndërsa pretendoni se në këto 4 vite janë bërë më shumë se përgjatë 25 viteve të fundit, po të rendis vepra të kryera vetëm në qytetin e Korçës nga qeveria Berisha 2005-2013 (një pjesë të tyre).

1. Ujësjellësi i Korçës.

2. Sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha.

3. Ndërtimi i impiantit të përpunimit të ujërave të zeza, i pari në Shqipëri.

4. Shtrimi me kalldrëm i të gjitha rrugicave të qytetit në lagjet nr. 1, 2, 3, 4, 11, 12.

5. Ndërtimi i 7 pallateve/banesa sociale për të pastrehët.

6. Ndëtimi i Shkollës së Re në Lagjen e Re pranë Varrezave Franceze.

7. Rikonstruksion i plotë i godinave të shkollave, laboratorëve (informatikë gjithashtu) dhe pajisja me materiale didaktike: “Sotir Gura”, Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Raqi Qirinxhi”, Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Themistokli Gërmenji”, “Sevasti Qiriazi” (shtesë godine), “Naum Veqilharxhi”, “Demokracia”, Shkolla e Mesme Profesionale Mekanike, Shkolla e Mesme Profesionale e Teknologjive, Shkolla e Mesme Profesionale Ekonomike, Shkolla e Mesme Profesionale e Agro-Biznesit, “Nuçi Naçi”, “Asdreni”, Shkolla e Mesme e Gjuhëve të Huaja, Shkolla e Mesme e Muzikës “Tefta Tashko Koço”, “Stavri Themeli”, etj.

8. Rikonstruksioni i plotë i të gjitha çerdheve dhe kopshteve në qytetin e Korçës dhe pajisja e tyre me të gjitha mjetet didaktike dhe orenditë funksionale.

9. Fibri optik i linjës ADSL shkoi në çdo familje dhe institucion dhe të gjithë kishin akses në një rrjet elektronik (internet) të shpejtë dhe sot mund të përdorë çdokush WiFi internet.

10. Liberalizimi i sektorit të kompanive të telefonisë celulare i dha akses shumë më pak të kushtueshëm edhe korçarëve përdorues të saj.

11. Rikonstruksion i plotë i Spitalit të Korçës.

12. Rikonstruksion i plotë i Poliklinikës së qytetit të Korçës.

13. Rikonstruksion i të gjitha klinikave mjekësore në lagjet e qytetit.

14. Ndërtimi i godinës së re të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Korçë.

15. Ndërtimi i godinës së re të Gjykatës së Apelit të Rrethit Gjyqësor Korçë.

16. Ndërtimi i godinës së re të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.

17. Rikonstruksion i godinës së Këshillit të Qarkut të Korçës dhe Prefekturës.

18. Rikonstruksioni i të gjitha godinave të Drejtorive Rajonale të Qarkut Korçë.

19. Ndërtimi i godinës së re të Drejtorisë Rajonale të Peshëmatjes.

20. Ndërtimi, zgjerimi dhe ndriçimi i unazës së qytetit të Korçës që prej varrezave të qytetit.

21. Ndërtimi i rrugës së hyrjes në qytetin e Korçës (zona industriale).

22. Fond për shtrimin me pllaka të bulevard “Republikës”.

23. Fond për ndërtimin e Pedonales.

24. Ndërtimi/rikonstruksioni i stadiumit të KF Skënderbeu dhe terreneve mbështetëse sportive.

25. Rikonstruksion i plotë i godinës së Universitetit “Fan S. Noli”, korpusi qendror. Pajisja e tij me sisteme elektronike dhe laboratorë bashkëkohorë.

26. Ndërtimi i Universitetit të Ri, për Fakultetin e Shkencave Humane dhe të Natyrës, ish-Liceu (pranë Sanatoriumit).
Etj., etj.

Dhe këto investime, sigurisht dhe pa asnjë dyshim, ia ndryshuan faqen Korçës. Dhe qeveria Berisha investoi në Korçë paçka se kryetari i Bashkisë ishte i majtë, sot “rilindas”. Kjo është qeverisja që duan shqiptarët, modeli i qeverisë Berisha.

Ju provuan! Tashmë koha juaj mbaroi, shans tjetër nuk u japin më as korçarët dhe as shqiptarët.

Po përsëri investimet e qeverisë Berisha, sigurisht dhe pa asnjë dyshim, ia ndryshuan faqen qytetit të Korçës dhe jo vetëm, por gjithë qarkut.

Share: