Ish-ministri dhe ish-deputeti Dritan Prifti ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një lajm të keq lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe ka kërkuar lutjen e atyre që besojnë për ta kaluar sëmundjen. Ai ka sqaruar se kjo është arsyeja pse nuk do të jetë pjesë e listave për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
Me anë të një postimi ne rrjetin social “Facebook”, ai sqaron se nuk do të mund të garojë në këto zgjedhje për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
“Kam mbi një vit që luftoj me një sëmundje agresive dhe të vështirë gjaku. Kurimi vazhdon dhe pak muaj dhe nuk më jep mundësi të shkëputem për fushate. Kam bindjen që do ta kaloj dhe këtë siklet shpejt”- shkruan ai.
POSTIMI I PLOTË
Përshëndetje miqtë e mi.
E di që jeni kuriozë të dini nëse unë do kandidoj në zgjedhjet e 18 qershorit. Nuk do kishte kënaqësi më të madhe për mua sesa të kisha mundësi të kandidoja dhe përfaqësoja përsëri Ju ne politike. Por nuk mundem fizikisht. Kam mbi një vit që luftoj me një sëmundje agresive dhe të vështirë gjaku. Kurimi vazhdon dhe pak muaj dhe nuk më jep mundësi të shkëputem për fushate. Kam bindjen që do ta kaloj dhe këtë siklet shpejt.
Nuk dua të mërziteni. Këto zgjedhje nga mënyra si po bëhen, pa opozitën, do dështojnë dhe do ri përsëriten shpejt. Lutjuni Zotit nëse besoni që unë ta kaloj shpejt këtë sëmundje dhe të jemi bashkë në momentin më të parë.
Unë nuk do votoj në këto zgjedhje. Nuk mendoj se dhe ju keni motiv të votoni. Shqipëria ka ecur mbrapa drejt varfërimit dhe mungesës së demokracisë. Megjithatë askush nuk mendon për ju, nëse nuk mendoni për vetë. Nëse do votoni, bëjeni për interesin tuaj dhe askujt tjetër.
Ju përqafoj
Dritan Prifti