Takimi mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kreut të Opozitës, Lulzim Basha vijon tashmë prej 90 minutash. Sipas burimeve, mësohen dhe detajet e para të ofertës së kryeministrit Rama në drejtim të Bashës, që ky i fundi të futet në zgjedhje dhe të largohet nga çadra.
Sipas Lapsit, oferta që po i bëhet Bashës është e ngjashme me atë që McAlister bëri në Tiranë dhe që Daul e përsëriti edhe mbrëmë në deklaratën e tij pas videokonferencës me PD. Pra që opozitës t’i jepen 4 ministra (të propozuar prej saj dhe të zgjedhur nga Rama), kreun e KQZ-së, dhe ndryshime në kodin zgjedhor.
Ndërkohë burime nga shumica bëjnë të ditur se data e zgjedhjeve po diskutohet mes 16 korrikut (PS) dhe 30 korrikut (PD). Negociatorët ndërkombëtarë mendojnë se mund të shkohet jo më 4 por 6 ministra të propozuar nga PD.
Por deri dje në mbrëmje Lulzim Basha i hodhi poshtë këto propozime. Ai tha pas mbledhjes së grupit se Rama ka dhënë prova se blen deputetë, parti të tëra dhe jo më ministra. Edhe korriku është sipas Bashës një datë shumë e afërt për tu realizuar gjërat që kërkon PD, si votimi elektronik që mund të dojë 4 deri në 6 muaj./360grade.al/