Home Gjeo-Ekonomia Evropa po ndryshon kurs…?

Evropa po ndryshon kurs…?

Pasiguria e pozicionimit të qartë amerikan në politikën e jashtme dhe sjellja në një format jo shumë bashkëpunues e presidentit të ri amerikan, si gjatë mbledhjes speciale të NATO-s, por edhe gjatë G7-s, kanë shkaktuar lëvizje reflektuese në nivel evropian. Deklarata e fundit e kancelares gjermane Merkel: “Është koha që Evropa të marrë në dorë fatet e saj…koha në të cilën, ne mund të mbështeteshim plotësisht tek të tjerët, ka mbaruar në një farë mënyre….” vinte si konfirmim i një qasje, që tashmë ishte vëzhguar që me nisjen e fushatës presidenciale në SHBA. Tërheqja e mundshme e aleatit të vjetër në disa fusha bashkëpunimi, do të imponojë një thellim të mëtejshëm të integrimit evropian, por do të rrisë edhe nivelin e bashkëpunimit me partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Dje, kancelarja gjermane u takua me kryeministrin e Indisë, Narendra Modi. Kryeministri i Kinës, që është njëkohësisht dhe një prej figurave të njohura të ekonomisë kineze Li Konçang, viziton gjithashtu Berlinin, para samitit të së premtes, BE-Kinë, që do të zhvillohet në Bruksel.

Për momentin dy janë fushat ku shfaqet më shumë problematike paqëndrueshmëria e aleatit të vjetër: marrëveshja klimatike për mbrojtjen e mjedisit dhe arritja e një marrëveshje të mundshme tregtare me BE-në, që është në proces. Mbrojtja dhe siguria tashmë janë në kornizën, apo nën ombrellën e NATOS-s dhe nuk kërkojnë veçse mbajtje të angazhimeve për rritje të kontributeve financiare të vendeve anëtare.

Por, nëse SHBA vendos të tërhiqet nga angazhimet, që burojnë në frymën e marrëveshjes së Parisit, mbi klimën, Kina ka konfirmuar qartë vullnetin e saj, për mbrojtjen e marrëveshjes. Duhet theksuar se Kina renditet e para për emetimin e gazit efekt serrë në botë. Dhe Kina në këtë mënyrë do të orientohet drejt një platforme, që jo vetëm do t’i mundësojë realizimin e interesit të saj kombëtar për një të ardhme më ekologjike, pasi po përballet me një krizë të rëndë mjedisore, por ajo kërkon edhe të përmbushë ambicien e saj politike, përmes një angazhimi të lartë në marrëveshjet ndërkombëtare, duke krijuar imazhin e një fuqie të përgjegjshme në skenën botërore dhe duke rritur njëkohësisht edhe influencën e saj.

Në rast të një tërheqje krejtësisht të padëshiruar të amerikanëve, që renditën të dytët për emetimin e gazit efekt serrë në botë, BE, që renditet i treti, do t’i duhet të thellojë bashkëpunimin me Kinën, duke drejtuar në këtë mënyrë komunitetin ndërkombëtar, mbi këtë çështje. Ndërkohë ka një vlerësim se, vende të tjera emetuese të mëdha të gazit efekt serrë, si India, apo edhe Brazili janë shprehur të gatshëm për të ndjekur vënien në jetë të progresit, që është realizuar gjatë Konferencës së Parisit 2015 dhe të Marakeshit 2016.

Konfirmimi i tërheqjes amerikane do të shikohet si një mundësi për Evropën për të përforcuar bashkëpunimin me Kinën, mbi çështjet mjedisore, çka mund të shndërrohet në një aks thelbësor i kthesës evropiane drejt Azisë. Duke u shndërruar edhe në një prej orientimeve strategjike të politikës së jashtme evropiane.

Drejtimi strategjik i SHBA-së, ndaj Azisë, nuk ka marrë ende një formë të qartë. Dhe papara-shikueshmëria e politikës së jashtme së presidencës amerikane, e ka pozicionuar Kinën si një aleat të besueshëm në rendin global dhe pasiguria në lidhje me politikën amerikane mund të çojë në një marrëdhënie më të ngushtë tregtare BE-Kinë. Ndërkohë që BE dhe Kina kanë zhvilluar një bashkëpunim strategjik në fusha të tjera, tregtia dhe ekonomia ngelen baza e marrëdhënies mes tyre.

Joshje që step !

Me vënien në krye të drejtimit të Kinës në vitin 2013, të Shi Xhinping do të shpaloseshin edhe një sërë iniciativash strategjike, si brenda edhe jashtë vendit, që synonin të garantonin stabilitetin politik dhe rritjen ekonomike të vendit, duke e pozicionuar Kinën si një aktor të madh në nivel ndërkombëtar.

Një ndër iniciativat e shpallura, do të ishte vizioni strategjik i një rruge të re të Mëndafshit. Rruga e re parashikon ndërtimin e kanaleve të mëdha të infrastrukturës, që e lidhin Kinën me pjesën tjetër të botës. Objektivi do të ishte përforcimi i shkëmbimeve tregtare dhe përmirësimi i ndërlidhjes mes Kinës dhe Afrikës, Euroazisë, Evropës, Lindjes së Mesme si edhe me Azinë e Jugut dhe të Juglindjes. Edhe nëse disa pjesë të rrugës së re të mëndafshit, janë tashmë në ndërtim e sipër, thelbi i projektit, ka ngelur ende i formalizuar në letër. Ky projekt, filloi të marrë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar. Shtetet, ndërmarrjet si edhe qytetarët, që prekeshin nga inteneraret e propozuara u tërhoqën nga mjetet kolosale, që sipas propozimeve të Pekinit do të akordoheshin për vënien në jetë të këtij projekti. Por, në të njëjtën kohë, do të kishte edhe një vëmendje ndaj ndryshimeve apo ndikimeve gjeopolitike, që lidhen me faktin e shndërrimit në një nyje kyçe, të të gjithë pikave të lidhjes, të kthyera dhe të orientuara drejt Kinës, pra thjesht, shndërrimin e Kinës në një qendër nevralgjike.

Lidhja e Kinës me Evropën vjen e skicuar mes një rripi ekonomik tokësor. Shumë projekte të mbaruara si linja hekurudhore, që lidh qytetin jug-perëndimor të Kinës, Chongqing me Gjermaninë  në Duisburg, dëshmojnë për rëndësinë e kësaj ure lidhëse tokësore. Ndërkohë një sërë kompanish të mëdha evropiane, kanë shfaqur interesin e tyre dhe ka një vlerësim se realizimi i këtij projekti, mund të arrijë të fuqizojë më tej, lidhjet tregtare mes dy aktorëve.

Por, ka gjithmonë një joshje që step. Pra, edhe pse krijimi i urave lidhëse tokësore, mund të rrisë dhe të përmirësojë qasjen ndaj tregjeve reciproke, evropianët nuk shfaqen ende të bindur, duke ngritur pikëpyetje reale mbi këtë projekt. Nga njëra anë, shfaqen barrierat teksa BE nuk ka ende një marrëveshje tregtare të shkëmbimit të lirë me Kinën. Dhe mbajtja e barrierave tarifore, kufizon ekonomitë, që do të mund të përfitonin nga shpejtësia, që ofron rruga tokësore. Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe probleme gjeopolitike për BE-në, duke marrë parasysh mundësinë e kalimit të këtyre urave tokësore nga Rusia dhe nivelit të sigurisë që paraqesin shtetet, që preken nga rruga. Dhe pozicionimi i këtyre vendeve si vende tranziti, mund të marrë trajtat e një rreziku gjeopolitik nga pikëpamja evropiane. Për më tepër bashkëpunimi mes Rusisë së integruar në projektin EuroAziatik dhe Kinës do të jetë i një niveli intensiv.

Në rast të prishjes së bisedimeve mbi marrëveshjen tregtare me SHBA, nën presidencën e Tramp, BE nuk do të ketë zgjedhje tjetër, veçse të përforcojë lidhjet tregtare me Azinë, duke hapur mundësitë për zhvillim drejt Lindjes. Pra, duke u orientuar drejt fuqisë së re ekonomike botërore. Aktualisht, Azia në tërësinë e saj, përbën partnerin e dytë tregtar të Bashkimit Evropian dhe pas tërheqjes së mundshme të SHBA-së nga TPP, shumë vende aziatike do të kërkojnë zgjidhje alternative për të kundër-balancuar efektet e proteksionizmit të ri amerikan. Gjatë dekadës së fundit, BE ka konsoliduar kthesën e saj drejt Azisë, nëpërmjet ndërtimit progresiv të një rrjeti partneritetesh në rajon, si me Japoninë, por edhe me Indinë. Për më tepër ajo ka përmbyllur marrëveshje tregtare dypalëshe ambicioze me Singaporin, Vietnamin dhe Korenë e Jugut.

Ndërkohë, edhe pse Evropa ia ka dalë të ndërtojë një partneritet strategjik me Indinë, kjo e fundit nuk përfshin një marrëveshje të shkëmbimit të lirë, pasi negociatat janë bllokuar për shkak të mos dakordësive në lidhje me hapjen e sektorit të shërbimeve. Duke qenë se SHBA, nuk ka shfaqur për momentin ambicien të ndërmarrë negociata tregtare me Indinë, një marrëveshje e shkëmbimit të lirë mes BE-së dhe Indisë mund të përforcojë në mënyrë të konsiderueshme pozicionin strategjik evropian në Azi, me një potencial shkëmbimesh tregtare të rëndësishme.

Politika ekonomike përbën një element thelbësor të ekuilibrit mes Evropës dhe Azisë. Kina, si partner i parë tregtar i Evropës në rajon, është angazhuar në një axhendë bashkëpunimi strategjik me BE-në që prej vitit 2003. Volumi i shkëmbimeve tregtare mes Kinës dhe Bashkimit Evropian, është më shumë se 1 miliardë euro në ditë, me një deficit tregtar për Evropën prej afro 175 miliardë euro, në vitin 2016. Nën presidencën e re të Shi Xhinping, Kina shfaqej e vendosur në përforcimin e bashkëpunimit me Evropën. Këto ndryshime gjeopolitike, i ofrojnë Evropës një mundësi reale të rrisë prezencën strategjike në Azi. BE, i ishte përgjigjur tashmë kthesës drejt Azisë të Obamës duke organizuar kthesën e saj, përmes një sërë marrëveshjes tregtare dypalëshe dhe shumëpalëshe me shumë vende në rajon dhe përmes një bashkëpunimi në rritje me organizata të ndryshme. Por, gjithçka do të konfigurohet dhe projektohet në varësi të pozicionimit të qartë të politikës së jashtme të administratës së re amerikane.

DITA

Share: