Nga Agim Xhafka
Ajo veç qesh. Edhe sytë,edhe buzët,edhe fjala i lodrojnë në gaz. Ka qënë dhe është shoqja ime. Prej që kur s’mbahet mend. Vonë mësova se tek Gaqo,fqinji ynë,ajo ishte e birësuar,nuk e kishte lindur Eftalia. Nuk kishte asnjë shenjë se Lela kishte prindër të tjerë,se nuk ishte e tyre.
Tani është bërë me nipër e mbesa prej djalit dhe gocës së vet. Së fundi e zbulova në fb. Jeton në Gjermani,ikur qysh me hapjen e ambasadave. Flas në skype dhe,sërish po të heq videon,gurgullon zëri i saj i ngrohtë dhe e qeshura e pashtershme. Ah,sa e dua këtë gaz!
Shumë jam munduar ta shpjegoj harenë e saj,dritën e syve,dhëmbët përherë jashtë që portretin ia bënin si të një bebeje të vogël edhe kur ishte në gjimnaz. Dhe ngelja tek teoria e geneve. Kështu siç duket i ka pasur prindërit e vet natyralë dhe pikë. Por tani anoj nga një shpjegim më social dhe më sqarues.
Kur Gaqo dhe Eftalia morën Lelën në shtëpinë e tyre ata ishin thuajse të moshuar, po hynin në pleqëri. Ishin në prag pensioni. Një guxim i madh të rrisje një bebe në atë moshë. Por që do jetë nxitur nga një shpirt i thellë që kërkon fëmijë si lulja do ujin në thatësirë. Në këtë familje jetonte dhe Frosa, nëna e Eftalisë,e thyer në moshë,por e mbajtur dhe e kujtoj përherë me shami në kokë e nga pas i delte fundi i gërshetit të thinjur,si bishti i maces së tyre Lara.
Pra Lela erdhi në pelena mes tre pleqve,mes ketyre personazhesh që asnjë orakull nuk do u caktonte angazhim prindi në këtë moshë.Të tre ia nisën aventurës, përkujdesjes, ushqimit, ninullave, ledheve, përrallave e ja, pas ca vitesh Lela del në oborr dhe ne mahnitemi nga gazi dhe e qeshura e saj. Kur kujtoj gjithë ato vite sot them se Lela ka qënë e është një diell për ne që e njohim se u rrit nga tre gjyshër. Po, po, iu dha shumë dashuri,u tregua shumë kujdes,u lejua të bënte gabime më shumë se çdo fëmijë. Se gjyshërit janë avokatë te fëmijëve.
Tani që kam nipër e mbesa vetë them se Lelës i është injektuar shumë shumë gjyshërim,ushqyer me mjaltë ledhatimesh e me ëndërra të bardha. E provoj nga jeta ime. Një gjyshe më rriti dhe s’më pushon gazi,humori dhe hareja.
Lela,s’ma ke treguar kurrë burimin e lumturisë tënde,por ta zbulova,e kishe tek tre gjyshërit e tu,tek thesari i dashurisë së tyre për vajzën që e quajtën bijë kur nisi perëndimi i jetës së tyre. Ndaj ata çdo rreze ta falën ty dhe ti po na e rrezaton ne për kaq e kaq vite. Rrofsh,shoqja ime gazplotë…