Nisi me sherr që në fillim seanca e jashtëzakonshme e parlamentit. PS dhe PD i janë kthyer debatit menjëherë pas 3 muajsh bojkot. “Molla e sherrit” ka qenë rendi i ditës. Demokrati Oerd Bylykbashi kërkoi që procedura për miratimin e dy komisioneve të Vetingut të vendoset në fundin e rendit të ditës. Por këtë kërkesë e kanë hedhur poshtë socialistët. Kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi kërkoi që Vetingu të votohej i pari dhe më pas të votoheshin dryshimet në qeveri.
Pas replikave ai që e ka zgjidhur çështjen ka qenë Ilir Meta. Në seancën e fundit si kryetar i Kuvendit ai nuk e ka kursyer ironinë. Ai ka kërkuar që Rendi i Ditës të mos ndryshohej duke marrë edhe miratimin e ish-kryeministrit Berisha. “Ja edhe Berisha është dakord”- tha Meta duke vijuar: “Se unë atë kam. Ju bëni çfarë të doni!”. Kaq ka mjaftuar që në sallë të plaste ilariteti. Më pas seanca ka vijuar normalisht e pikë së pari janë votuar shkarkimet dhe emërimet e ministrave dhe zv.kryeministrit.
DEBATI:
Bylykbashi: Në lidhje me rendin e ditës. Kërkesa jonë është që komisionet e Vettingut të jenë çështja e fundit për shqyrtim për sot.
Ruçi: Nuk e kuptoj këtë kërkesë, unë po mendoja për të kundërtën. Kjo seancë do të ishte mirë të fillonte pikërisht me këtë çështje, sepse këtu e kemi lënë. Çdo të thotë kjo? S’ka asnjë argument për këtë!
Bylykbashi: Kjo është një çështje e dakortësuar. Mbasi të jenë ezauruar të gjitha çështjet e tjera, ne të vijojmë me miratimin e komisioneve të Vettingut.
Ruçi: Unë e kuptoj që kjo ka qenë pjesë e negociatave, por as unë e zoti Bylykbashi nuk kemi qenë. Por më besoni se fryma e mirëbesimit e marrëveshjes është në radhë të parë votimi i komisioneve. Që pa filluar ne shprehim mosbesim për rendin e ditës.
Meta: Mendojmë të mos ndryshojmë rendin e ditës. Mirë vazhdojmë pra me rendin se edhe konfirmimin e morëm nga Berisha që PD është dakord.
Hilaritet në sallë nga ana e PS…
Meta: Po ju çfarë keni. Nese ju keni njëri-tjetrin, unë atë e kam. Kur të iki unë bëni ç’të doni…
/360grade.al/