Home KRYESORE Kriza politike/Nuk ndalen ndërkombëtarët në Tiranë

Kriza politike/Nuk ndalen ndërkombëtarët në Tiranë

Kriza politike në Shqipëri dhe mungesa e një marrëveshjeje mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike ka angazhuar faktorin ndërkombëtar për të ofruar palët.

Duket se presioni ndërkombëtar ka ardhur në rritje ndaj politikës shqiptare edhe për faktin se opozita e bashkuar nuk është regjistruar në procesin për zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit dhe ka paralajmëruar se në këtë datë nuk do të ketë zgjedhje.

Tashmë Tiranën po e viziton një delegacion i Kongresit amerikan, që janë takuar me Presidentin Nishani dhe Kryeparlamentarin Meta, ndërsa pritet të takohen me Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Po kështu në Tiranë ndodhet gjermani Andreas G. Lammel, i cili është takuar me kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe krerë të partive të vogla opozitare. Andreas Lammel është deputet i CDU dhe anëtar i grupit për Ballkanin Perëndimor në grupin parlamentar CDU.

Të hënën, më 15 Maj, dy ditë pas protestës së thirrur nga opozita e bashkuar, Tiranën e viziton Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee. Burime diplomatike bëjnë të ditur se zyrtari i DASH-it do të takohet me Kryeministrin Rama, Kryeparlamentarin Meta dhe kreun e PD-së Basha.

Gjithashtu mësohet se një tjetër vizitë po programohet të zhvillohet në Tiranë nga europarlamentarë.

Të gjithë do të synojnë ofrimin e palëve drejt një marrëveshjeje politike, që do të mundësonte nga njëra anë përfshirjen e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj në zgjedhje, por nga ana tjetër garanton një proçes zgjedhor me standard, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Deri më tani palët nuk kanë mundur të gjejnë konsensusin, megjithë ndërhyrjen energjike të europarlamentarëve, PPE dhe thirrjet e vazhdueshme nga përfaqësues të institucioneve të tjera, përfshi këtu edhe diplomatët e akredituar në Tiranë.

Vizita e Hoyt Brian Lee, i cili më parë vizitoi Shkupin dhe arriti të bindë palët për t’i çelur rrugën krijimit të Qeverisë së re në Maqedoni, shihet si një moment që mund të bindë edhe politikanët shqiptarë për gjetjen e kompromisit.

Pas deklaratave në distancë mes drejtuesve të dy partive kryesore në vend, Edi Rama dhe Lulzim Basha, që duket se nuk lëshojnë pe nga pozicionet dhe kërkesat e tyre, duket se gjithë hapësira për uljen e palëve dhe arritjen e një marrëveshjeje, do të jetë në dorë të zyrtarëve që pritet të vizitojnë Tiranën. /360grade.al/

Share: