Një ditë intensive, e ka cilësuar kreu demokrat Lulzim Basha, ditën e sotme, ku pritet që opozita të përcaktojë kandidatët e saj për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit.
Basha ka pritur Kryetarët e Grupeve të Punës të ndarë sipas qarqeve në lidhje me verifikimet që kanë kryer me strukturat partiake në bazë për propozimet e kandidatëve për deputet. Paralelisht PD po verifikon përmes një Komisioni të Posaçëm të dhënat e çdo kandidati, për të shmangur në këtë mënyrë çdo problematikë që ka lidhje me ligjin e dekriminalizimit.
Ndërkohë nuk dihet sesi do të veprohet me Kryetarët e partive parlamentare që janë në aleancë me PD-në, nëse ata do të hyjnë në listat e kandidatëve të kësaj partie, apo do të garojnë më vete.
Gjatë ditës së sotme, i vetmi që ka pasur një takim me kreun demokrat, mësohet se ishte kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. /360grade.al/