Presidenti i ri francez Emmanuel Macron e quajti televizionin rus që mbështetet nga Kremlini “RT” si dhe transmetuesin rus “Sputnik”, organe të “propagandës” pas bisedimeve të tij të para ballë për ballë me homologun rus Vladimir Putin.
Zoti Macron i quajti ato “organe të influencës dhe propagandës” që u vunë kundër tij në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, gjatë së cilës zoti Putin u pa se mbështeste rivalen e tij të djathtë, Marine Le Pen.
Sulmet kibernetike të dyshuara ndaj fushatës së zotit Macron ishin gjithashtu të lidhura me Rusinë.
Presidenti rus Putin i mohoi akuzat gjatë konferencës për shtyp të së hënës në Paris duke thënë se Kremlini nuk u përpoq të ndikonte në procesin e votimit në Francë.
Zoti Macron tha se diskutoi me zotin Putin gjithashtu të drejtat e komunitetit LGBT në Çeçeni.
Lidhur me çështjen e Ukrainës, zoti Putin përsëriti se ai beson se sanksionet perëndimore nuk do të bëjnë asgjë për të zgjidhur konfliktin.
“Kjo është përgjigjia: në asnjë mënyrë. Le të luftojmë që të gjitha kufizimet në ekonominë ndërkombëtare të hiqen” tha ai gjatë konferencës për shtyp.
Parisi ka luajtur një rol aktiv në reagimin ndëshkues të Perëndimit ndaj veprimeve të Moskës në Ukrainë.
Të dy udhëheqësit ranë dakord të bashkëpunojnë ngushtë për të luftuar terrorizmin në mbarë globin. Zoti Putin tha se zoti Macron i kishte propozuar shkëmbimin e delegacioneve zyrtare për të punuar drejt arritjes së këtij qëllimi.
Zoti Macron u tha gazetarëve se ai beson se të dy vendet mund të punojnë së bashku për të ndërtuar paqen në Siri, por se përdorimi i armëve kimike në vendin e shkatërruar nga lufta do të ishte një “vijë e kuqe” për Francën. /VoA