Nga Agim Xhafka
Sapo afrohen ditët e kthimit në atdhe,më kap një ngrohtësi e lezetçme në stomak. Nuk janë si ato lulkat kur të prek dashuria,por afër njësoj,si kushërira të para të themi.
Dhe nis e bëj gati teshat që do marr e ato që do le këtu. Pastaj organizoj me mend ditët e para. Çfarë do bëj kur të zgjohem në Tiranë? Do fluturoj tek shkolla e Fridës dhe e Ditrit se nuk duroj dot deri mbasdite pa i përqafuar e shtrënguar fort,fort.Pastaj…Pastaj më shkon mendja tek makina. Ta nxjerr urgjent nga garazhi dhe ta mbaj frymën në Korçë,drejt e tek vorrezat. Të përkëdhel nënën e babain në faqet e tyre tek fotografia e të bëj një copë muhabet me ta.
E di që çdo i larguar nga vendi i vet në kthim frymën e mban tek prindërit. Ose në shtëpi për ata që i kanë gjallë,ose tek lëndinat ku prehen e na presin. Vërtet që nuk ka ditë të mos i sjell ndër mend në USA,t’i kujtoj parreshtur,por atje në varreza më shijon shumë takimi me ta. Më duket sikur i kam rreth ajrit,mbi pemë,në mes barit a të transformuar në zogj që cicërojnë nga gëzimi i kthimit të djalit të tyre.
Shmallja atje ngjet si një drekë.Mund të të servirin salmon p.sh në shtëpi,por shijen,klasin,sqimën,ceremoninë e ka në restorant. Kështu e përfytyroj pjekjen me më të dashurit e mij. Një shfryrje malli,si ajo tenxherja kur valvula nis t’i tundet plot qejf nga ngacmimet e avullit plot gulshe mallëngjimi. Ka poezi dhe në varreza,madje ka faqe poezie për ne që mungojmë gjatë. Se prindërit gëzohen kur na shohin. E tregojnë me shenja. P.sh. sa u vendos karafilët ata nisin e përkunden,gati bijen nga vazo. E di,e di që nxitën nga malli i tyre,por u premtoj se do vij sërish. Se te ju më rri mendja. Edhe në USA e kam një foto tek komodina. Natën,u them kur shtrihem e gjes,kur çohem. Kështu deri sa lëndina do na bashkojë…E atëhere do flasim vendçe,gjatë e shtruar…