Home KRYESORE Isha edhe unë grua e nuk më mbrojti askush?

Isha edhe unë grua e nuk më mbrojti askush?

Nga Gjergj Meta

Po t’i dorëzoj ty këto pak rreshta dom Gjergj se e di që ke ku t’i botosh dhe t’ia tregosh të tjerëve. Po, sepse dua që ta dinë edhe të tjerë. Nuk do të kisha reaguar aspak kur një grup meshkujsh, më shumë ose më pak të njohur, shkrimtarë publicistë e intelektualë u irrituan për fyerjen ndaj Zonjës Vllahutin. Nuk do të reagoja pasi shoqëria shqiptare është e tillë. Janë ende burrat që vendosin kur është fryerje për një grua e kur jo, e cila grua duhet mbrojtur e cila jo. Këta janë burrat tanë dhe këtë unë e di mirë unë. Kjo është hipokrizia e burrave shqiptarë. Ndaj kjo gjë nuk më çudit aspak.

Çka më çuditi, dhe prandaj po reagoj, ishte një grup grashë intelektuale dhe deputete të cilat vrapuan t’i kërkojnë falje zonjës Vllahutin e të “kapin për veshi” personin e akuzuar duke e ftuar komunistçe të kthjellohej dhe të kuptonte gabimin e tij. Sa pak dinjitet në këto reagime e sa shumë harresë. Vetëm këto ditë u vranë dy gra nga bashkshortët e tyre, një tjetër u vetvra shumë e re. Sa shumë gra shqiptare si këto zonja sot shfrytëzohen moteleve si prostituta apo rrihen nëpër familje si shtazë pune. Sa shumë gra sot nuk kanë mundësinë më minimale të kujdesen për veten e tyre qoftë edhe të bëjnë një makiazh për t’u dukur paksa më të bukura për burrat e tyre.

Herën e fundit që kemi folur të kam telefonuar nga qëndra X ku mbahen gratë që kanë marrë urdhër mbrotjeje. Këtu ku jam, sigurisht jo për zgjedhjen time, rrallë shoh, përveç atyre që kujdesen për ne, politikanë, gra apo burra, intelektualë apo intelektuale që të vijnë e të na vizitojnë neve grave si ato. Por sidomos nuk shoh gra intelektuale e politikane të vijnë e të solidarizohen së paku njëherë me ne gratë e vendit të tyre e madje edhe të lagjeve të tyre.

Unë pra jam një grua që jam dhunuar, sharë, rrahur, jam quajtur “kurvë” sa herë denoncoja atë që më shfrytëzonte tek policia dhe vetëm falë Kishës sot jam në një qendër të mbrojtur që nuk e di askush. Jam e fshehur, sepse nuk më jep garanci kush që po të dal në publik nuk më dhunojnë përsëri. Kur unë dhunohesha, e ashtu si unë në këtë qendër janë shumë, askush nuk u solidarizua me mua. Kur unë rrihesha askush nuk e ndalte dorën e tij dhe shkelmat e tij që më nxinin fytyrën çdo natë. Kur unë shahesha “kurvë”askush nuk u kujtua të protestonte e të shkruante letra apo peticione kundër dhunuesit tim. E unë nuk u kërcënova për vdekje kështu me fjalë nëpër media apo statuse facbook-u, unë “thjesht” u rraha për vdekje. Unë sot jam pak më me fat se shumë gra të tjera që ende vazhdojnë te dhunohen në fshatra e në qytete. Jam me fat, sepse një qendër kujdeset për mua, disa njerëz kanë kujdes për mua.

Por aty jashtë shumë të tjera që dhunohen çdo ditë dhe që kanë më pak ose aspak fat. Megjithatë, tani që po e mendoj mire, edhe ato gra intelektuale apo deputete nuk më bëjnë më çudi. Ato janë të lira të flasin, sepse fati ka dashur që të jenë nga ana e komoditetit. Askush prej tyre nuk e ka provuar të mbetet shtatzënë dhe në ditët më të vështira të një gruaja të mos jetë dikush që e shoqëron në spital apo të mos i japin leje nga fabrika e këpucëve ku punoja e nënpaguar. E si unë ishin qindra e mijëra gra nëpër këto fasoneri që gjithsesi janë një fat që ekzistojnë. Ju sot të nderuara zonja shqetësoheni për Zonjën Vllahutin, por kur unë nga lodhja e tepërt, nga dhuna e një burri pijanec, nga mungesa e ushqimit, abortoja fëmjën tim dhe askush nuk më ndihmonte, ju nuk ishit. Kur temperatura rritej dhe infeksioni përparonte e unë ashtu gjysëm njeri shkoja në urgjencë të spitalit, vetëm, ju nuk ishit. Dhe nuk reaguat. Ndoshta sepse nuk isha e huaj dhe sepse nuk isha shefe e misionit të BE?

Na e kurseni ju lutem proeuropianizmin tuaj që më duket se ka shumë ngjyrime servile se sa sinqeritet, ndërkohë që gra shiqptare sot e kësaj dite mbyten nën peshën e dhunës, heshtjes dhe  vuajnë të padëgjuara e të papërfaqësuara.

Nëse një ditë do të vinit të më takonit, e nëse pak më shumë do të interesoheshit edhe për ne gratë që nuk mund të kemi akses në media apo në jetën e klasave të larta, atëherë po do të kishte kuptim edhe indinjata juaj për Zonjën Vllahutin së cilës edhe unë i shpreh solidaritetin tim.

Share: