Home KRYESORE Merkel: Nuk mund të mbështetemi më te SHBA dhe Britania

Merkel: Nuk mund të mbështetemi më te SHBA dhe Britania

Evropa nuk mund të varet më plotësisht tek SHBA dhe Britania, pas zgjedhjes së presidentit Donald Trump dhe Brexit. Kështu deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel para mbështetësve të saj, gjatë një mitingu.

“Kohërat kur mund të mbështeteshin plotësisht tek të tjerë, janë duke mbaruar. E kam parë këtë gjatë ditëve të fundit. Ne evropianët duhet të marrim në duart tona, fatin tonë. Sigurisht që do të jemi miq me SHBA dhe Britaninë e Madhe, do të jemi fqinj të mirë, kur është e mundur edhe me vende të tjera, përfshirë Rusinë. Por duhet ta dimë tani se na duhet të luftojmë për të ardhmen tonë, për fatin tonë si evropianë”, tha Merkel.

Komentet e Merkel vijnë pas dështimit të Samitit të G7, për t’u angazhuar ndaj marrëveshjes së 2015-ës në Paris për klimën.

Merkel i përshkroi bisedimet si mjaft të vështira, për të mos thënë të pakënaqshme, ndërsa tha se marrëdhënia mes Berlinit dhe presidentit të ri francez Emmanuel Macron, duhet të jetë një prioritet.

Anëtarët e G7 nuk bindën dot presidentin Donald Trump të mbështesë paktin e Parisit, të cilin ai gjatë fushatës tha se do të braktisë, ndërsa pas samitit deklaroi se do të marrë një vendim për këtë, javën e ardhshme./360grade.al

Share: