Hetimet për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane shtrihen edhe tek avokati i Donald Trump, Michael Cohen.
Dy panele hetimore të Kongresit, që po merren me çështjen, kanë kërkuar informacione nga përfaqësuesit ligjor i kreut të Shtëpisë së Bardhë. Ka qenë vet Cohen, që konfrimoi për mediet amerikane se ishte ftuar të dëshmonte e të ofronte informacione lidhur me kontaktet që kishte me Kremlinin.
Avokati deklaroi gjatë një interviste për “ABC News” se e kishte refuzuar kërkesën, pasi siç thotë ai, ishte e formuluar keq dhe pamundësonte dhënien e përgjigjeve.
Javën e kaluar, dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner u vu në fokus të hetimeve për ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Cohen është i fundit mes bashkëpunëtorëve të Trumpit, që refuzon të japë llogari për komisionet e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësusve lidhur me çështjen.
Avokati tha më vonë për CNN se, ligjvënësit duhet të paraqesin të paktën një provë të besueshme, që do të konfirmonte pretendimet për Rusinë.
Hetimi gjithnjë e më i gjerë, për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane dhe bashkëpunimin e mundshëm të zyrtarëve të fushatës së Trumpit me Kremlinin, po kthehet në një kërcënim të madh për presidencën e tij.
Mediet amerikane pretendojnë se dhëndri i Trump, Jared Kushner ka diskutuar për krijimin e një kanali të fshehtë komunikimi me Moskën, gjatë një takimi me të dërguarin rus në Uashington në muajin dhjetor.
Gjatë një konference ditën e martë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer i cilësoi këto pretendime si të pabaza, e megjithatë shtoi se kanalet e fshehta të komunikimit janë pjesë e diplomacisë.