Home KRYESORE Leskaj, mori pjesë në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të Europës Qendrore...

Leskaj, mori pjesë në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të Europës Qendrore dhe Lindore

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Juglindore dhe Qendrore që u zhvillua në Varshavë, Nëkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Valentina Leskaj pati takime me Presidentin e Polonisë, z. Andrzej Duda, Kryetarin e Parlamentit të Bosnje Hercegovinës, z. Barisha Çollak si dhe Kryetarin e Malit të Zi, z. Ivan Brajoviç.

Gjithashtu, znj. Leskaj u takua dhe me Kryetarin e Sejmit të Polonisë Marek Kuchcinski dhe Kryetarin e Senatit të Polonisë, Stanisław Karczewskin, me të cilët diskutoi mbi rolin që duhet të kenë parlamentet e këtyre vendeve dhe rezultateve konkrete të prekshme për të gjithë rajonin.

Nënkryetarja e Kuvendit ishte gjithashtu e ftuar speciale në panelin mbi sigurinë e rajonit ku mbajti një fjalë, e cila u mirëprit dhe u vlerësua nga të pranishmit.

Fjala e plotë e Nënkryetares së Kuvendit , znj. Valentina Leskaj, në Samit

I dashur z. Kryetar,

Të nderuar kolegë,

Ndjehem e nderuar që sot i drejtohem kësaj audience të nivelit të lartë, mes kolegësh dhe miqsh në qytetin e bukur dhe historik të Varshavës, ndërsa diskutojmë për shqetësimet dhe sfidat e sigurisë tonë të përbashkët. Kjo është një mundësi për të njohur më tej njeri tjetrin, me shpresën për të përballuar sëbashku sfidat me të cilat po përballet kontinenti ynë në këto vite.

Shqipëria dhe vendet e tjera të Europës Lindore, që aspirojnë anëtarësimin e plotë në BE, nuk e shohin krizën si të jashtëm, por si pjesë e familjes evropiane, harta e të cilës nuk mund të jetë e plotë pa to.

Ne besojmë në një rajon tërësisht të integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO, si dhe në heqjen e barrierave të panevojshme ndaj lëvizjes së lirë të njerëzve, tregtisë dhe mallrave, të cilat janë thelbësore për rritjen tonë ekonomike dhe për paqen sociale dhe stabilitetin politik në kontinentin europian dhe përtej.

Ne jemi për një Europë, ku të gjithë qytetarët, jo vetëm në kufijtë e saj gjeografikë, por dhe ato politikë, të ndjehen të sigurt dhe të siguruar.

Në të vërtetë, i gjithë kontinenti europian po kalon sfida të mëdha ekonomike, sociale, politike dhe të sigurisë. Ne, si politikanë dhe ligjvënës kemi një përgjegjësi të veçantë për të adresuar ne kohe dhe forcuar stabilitetin dhe sigurinë e popujve tanë.foto 2

Një nga sfidat kryesore me të cilat përballemi sot, është globalizimi i konflikteve rajonale dhe i efekteve të shpërndarjes së tyre. Për fat të keq, jetojmë në një botë që kalon nëpër një rreth negativ të shpërthimit të konflikteve të reja dhe riaktivizimit të konflikteve të vjetra, si dhe të rritjes së terrorizmit, i shoqëruar me dhunë të paprecedent, humbjen e jetëve njerëzore dhe zhvendosjen e miliona njerëzve.

Në lidhje me krizat e emigracionit, kjo gjë u bë e qartë me fluksin e emigrantëve që kalonin nëpërmjet Ballkanit Perëndimor, duke u bërë gjithashtu një kërcënim real terrorist me tej në hartën europiane. Kërcënimet që vijnë jo vetëm nga jugu, por edhe lindja kërkojnë veprime të përbashkëta, të koordinuara, jo vetëm nga vende të veçanta, por dhe një bashkëpunim më të madh të organizatave ndërkombëtare, gjithashtu.

Për të adresuar rrënjët e krizës duhet të fokusohemi më shumë tek zgjidhja e konflikteve dhe parandalimi i tyre në vendet e origjinës. Meqenëse terrorizmi nuk njeh kufij dhe kombe, bashkëpunimi rajonal për të adresuar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm është i një rëndësie të madhe.

Masat e shumta të miratuara nga qeveria shqiptare kanë arritur të parandalojnë që luftëtarët e huaj ti bashkohen ISIS-it në Irak dhe Siri, duke zeruar kështu numrin e Luftëtarëve të Huaj Terroristë (FtFs), që nga gjysma e dytë e vitit 2015 e më pas.

Siç e përmenda dhe më parë, një qasje e rëndësishme e veprimeve tona është parandalimi i radikalizmit në origjinë, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, sidomos tani që kërcënimi nga Luftëtarët e Huaj që kthehen në shtëpi bëhet më i lartë.

Prishja e urave lidhëse, ngritja e mureve ndarëse, përdorimi i gjuhës të urrejtjes, si dhe përjashtimi i njëri-tjetrit nuk i bëjnë mirë askujt. Përkundrazi, i dëmtojnë të gjithë dhe dëmtojnë seriozisht aspiratat e popujve tanë, paqen dhe begatinë, të ardhmen tonë të përbashkët dhe perspektivën evropiane.foto 3

Ne, anëtarët e parlamenteve kombëtare, me vendimet tona, përfaqësojmë të ardhmen e njerëzve. Europa jonë përfaqëson vlerat më të larta demokratike në botë dhe duke ruajtur trashëgiminë tonë, ne duhet të bashkohemi dhe të jemi të vendosur për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar, në të gjitha format e tij.

Kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të krizës më të rëndë të refugjatëve dhe emigracionit që nga Lufta II Botërore dhe konflikte jo larg nga brigjet tona të përbashkëta. Kjo është një sfidë e madhe që nuk mund të përballohet vetëm.

Ne kemi nevojë për një Europë më të fortë në skenën globale , e cila zhvillon më tej partneritetet ekzistuese, e duke krijuar partneritete të reja dhe duke promovuar stabilitet dhe begati në vendet e rajonit dhe pertej saj.

Ne dëshirojmë të shohim një BE sociale, të bazuar në zhvillim të qëndrueshëm, që promovon zhvillimin ekonomik dhe social, si dhe vazhdon me trendin e saj të zgjerimit.

Të nderuar kolegë,

Në përfundim të fjalës time, me lejoni të shpreh vlerësimin tonë për Samitin e Parlamenteve të Europës Qendrore dhe Juglindore me propozimin e organizatorëve për të patuar një strukture të orientuar në rezultate dhe projekte konkrete përtej diskutimeve të përsëritura dhe tejkaluar në kohë.

Një falënderim i veçantë për organizatorët për këtë event konstruktiv dhe kuptimplotë, me urimin që të shohim një Europë më të fortë, të sigurt, të zgjeruar dhe të bashkuar për brezat tanë të ardhshëm.

Ju faleminderit!

Share: