Nga Adrian Thano, Kryeredaktor i Dita
Sot paradite pata një telefonatë nga xhaxhai i Aleks Nikës.
Më tha që nuk ishte dakord me titullin e kopertinës së sotme të Ditës, sepse nuk ka thënë që Rama i ka tradhtuar. – “Nuk i mbaj mend të gjitha, por mund të kem thënë që Rama na ka braktisur, por jo që na ka tradhtuar” – më tha Marku.
Autori i intervistës Xhevdet Shehu më paraqiti një version audio të intervistës dhe këmbëngul se biseda është përcjellë në mënyrë korrekte në thelbin e saj, madje disa etiketime të tjera të rënda, janë hequr pas një marrëveshje me Markun.
Në audio Marku përdor midis të tjerave fjalët “turp” dhe “neglizhencë kriminale”për sjelljen e PS, me 21 janarin. “U fshehën pas pavarësisë së prokurorisë, që nuk ekziston”– thotë Marku dhe kërkon që tani çdo deputet i PS të pozicionohet me qëndrim për këtë çështje.
Marrëveshjen Rama Basha e quan “të pajustifikueshme, fyese dhe të pamoralshme”.
“Si mundet Partia Socialiste dhe Edi Rama të pajtohet me atë person që është urdhërues dhe zbatues i urdhrave për vrasjet e 21 janarit. Ai ka pranuar vetë, ka thënë që vrasjet janë brenda kornizës ligjore do të thotë që ai e din skenarin e vrasjeve, dhe nuk duhej kurrë Rama të pajtohej me këtë” – janë fjalët e tij të regjistruara.
Kaq për pjesën “teknike” të intervistës. Marku dhe Xhevdeti kanë rënë dakord të shtunën në mbrëmje për fjalët, interpretimet dhe vendosjen në faqe të parë të intervistës. Dhe ata janë të dy burra rreth të 70-ve. Intervista është korrekte dhe audio e provon këtë.
Problemi nuk është tek një titull. Problemi është që Markun e kanë telefonuar të dielën në mëngjes njerëz afër kryeministrit dhe i kanë kërkuar përgënjeshtrimin e intervistës.
I kanë kujtuar fondet e dhëna për viktimat dhe jo vetëm kaq. I kanë thënë që “po e përdor Ilir Meta” dhe i kanë kërkuar një tekst reagimi që merret me Metën.
Teksti është botuar në disa portale afër qeverisë të dielën pasdite.
Janë përpjekur të manipulojnë opinionin publik duke devijuar thelbin e kritikave të tij.
Është vërtet ç’njerëzore të përdorësh kaq pa mëshirë ndjesitë e një viktime të 21 janarit pas marrëveshjes Rama- Basha, duke e kthyer në një mundësi politike për të mbrojtur marrëveshjen e bashkëqeverisjes me PD.
Asgjë më pak nuk bëri Berisha kur viktimat e Gërdecit i fotografonte përpara thasëve me para dhe i nxirrte të deklaronin që kishin votuar për vrasësit e tyre.
Meqë jemi këtu, dua të ndaj me lexuesit e Ditës që ka patur shumë reagime të ngjashme për kopertinat e dy ditëve të fundit të Ditës ku është kërkuar të ndalen kritikat ndaj marrëveshjes Rama Basha.
Sigurisht që nuk do ndalen.
Kjo marrëveshje është e neveritshme dhe e shndërron Rilindjen në një slogan për idiotë duke shkelur në mënyrën më arrogante premtimin e saj për drejtësi . Këtë e dinë të gjithë por maskat në Tiranë janë të zakonshme; të gjithë e kanë vënë tashmë të vetën.
Rama gënjen edhe për kohëzgjajen e marrëveshjes. Koha do ta provojë lehtë këtë.
Përpjekja për ta nxjerrë intervistën e Markut në Dita si të manipuluar apo Markun si përdorje të Metës është qesharake, naive, por njëkohësisht e ulët.
Dita nuk ka mbrojtur as Ilir Metën, e as Edi Ramën, por nevojën e bashkimit të së majtës si mënyrën e vetme për të mos rikthyer në pushtet vrasësit e pandëshkuar.
Bashkimi bën fuqinë, thotë një proverb. Por për momentin këtë e kanë kuptuar më mirë ata që i druhen ndëshkimit sesa ata që populli solli në pushtet për të vënë në zbatim këtë ndëshkim.