Home KRYESORE Prapaskenat/ Meta nxiti tryezën në Kuvend për krizën, i kërkoi Idrizit të...

Prapaskenat/ Meta nxiti tryezën në Kuvend për krizën, i kërkoi Idrizit të dilte kundër Ramës për paketën “McAllister”

Zbardhen prapaskenat e marrëveshjes së arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Iniciatori i vërtetë i tryezës së thirrur nga kreu i Partisë Agrare Ambientaliste dhe kreu i Partisë Republikane, ka qenë kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Sipas burimeve të sigurta të gazetës, duke qenë se 17 maji ishte fati i fundit për një marrëveshje, kreu i Kuvendit u ka kërkuar Agron Dukës dhe Fatmir Mediut që të mbanin një tryezë ku të tentonin që të gjendej konsensusi mes palëve. Nga ana tjetër mësohet se ka pasur një bashkëpunim edhe mes LSI dhe PDIU. Sipas informacioneve, Meta i ka kërkuar Idrizit që të pranonte paketën “McAllister” dhe të dilte kundër Ramës në tryezë nëse ai nuk e pranonte. Dhe kjo ndodhi.

PR e PAA thirrën tryezën dhe Rama mori pjesë aty, ndërsa u pa një koordinim mes LSI dhe PDIU, ku të dyja forcat kërkuan që të pranohej paketa e propozuar nga McAllister dhe Vasili e Idrizi dolën në këtë mënyrë kundër Edi Ramës, i cili në mbledhja tha se nuk e njihte fare paketën sepse SHBA nuk e kishte konsultuar me të.

Pra ishte Meta ai i cili tentoi që të arrihej bashkëpunimi, por që në fund nuk ndodhi asgjë sipas parashikimeve. Ishte kreu i qeverisë, Edi Rama, ai i cili i kapi në befasi të gjithë. Sipas burimeve, Rama e ka parë tryezën si një kurth ndaj tij, pasi të gjitha partitë politike ishin në unison pro paketës “McAllister”, përfshirë dhe aleatët e tij. Mirëpo Rama bëri një lëvizje befasuese dhe i kërkoi Bashës një takim privat. I gjendur përballë të gjithëve, Basha u detyrua ta pranonte këtë gjë, pasi nëse e refuzonte do dilte ai si bllokues i marrëveshjes. Kjo ishte lëvizja e duhur e Ramës, i cili arriti të bindë Bashën për një marrëveshje të re, duke e braktisur propozimin e McAllister dhe duke dalë kundër kulisave të aleatëve të tij, që ishin PDIU dhe PR.

Aleanca LSI-PDIU

Ajo që solli marrëveshjen mes Ramës dhe Bashës ishte dhe bashkëpunimi mes LSI dhe PDIU. Dje në një takim me socialistët, Rama deklaroi hapur se nuk mund të priste më për vijimin e koalicionit, ndërsa më herët krerët e degëve i ka udhëzuar që të nisin luftën ndaj LSI. Para se të arrihej marrëveshja, plani ishte që LSI të dilte në opozitë dhe PS të mbante pushtetin duke e nxjerrë jashtë loje PD. Mirëpo kohët e fundit, LSI nisi të artikulojë idenë e daljes forcë e parë, ndërsa u përfol dhe për një marrëveshje paszgjedhore me PDIU. Nëse këto dy forca politike arrinin 71 vota do e nxirrnin PS jashtë loje dhe Rama kalonte në opozitë. Por kreu i qeverisë nuk e pranoi një gjë të tillë dhe për këtë arsye kërkoi që PD të futet në zgjedhje dhe madje ndali koalicionet, dhe ky veprim dëmton më shumë LSI dhe PDIU. Tashmë duket qartë se ka nisur një luftë e hapur mes PS dhe LSI. Gazeta dy ditë më parë e tha hapur se nuk përjashtohet mundësia që Rama të largojë ministrat e LSI, ndërsa dje u  dhanë  sinjale  se koalicioni  do marrë  fund  shumë  shpejt. 25 qershori do jetë ai që do vendosë  gjithçka, ndërsa  synimi i  socialistëve  është  të sigurojnë mbi 71 deputetë./Kliti Topalli

Share: