Presidenti në detyrë Bujar Nishani ka paditur në gjykatë ish-zv.kryeministrin Bashkim Kopliku, pas një shkrimi të këtij të fundit kundër Nishanit, të botuar në disa media.
Kreu i shtetit ka paditur vetëm Koplikun, dhe jo mediat në të cilat është botuar shkrimi. Lajmin e publikon vetë Kopliku që thotë se më 10 maj ora 10:30, në Gjykatën e Rrethit Durrës, me gjykatëse znj. Besjana Garxenaj do zhvillohet seanca e parë e procesit gjyqësor.
“Presidenti i Republikës synon të më dënojë me 100 000 lekë gjobë, për shkrimin tim me titull “Zoti president, heshtja është faj, kur ushqen gënjeshtrën”. Shkrimi është botuar nga gazeta Bulevard Durrës, që më 21.02.2017. Sa po ngjet, është një cenim i lirisë së shtypit në Shqipëri, por edhe një goditje indirekt për secilin nga ju, si botues të Shkrimit. Nuk di ta ketë bërë një padi kaq absurde ndonjë president a politikan, që nga viti 1991 e deri sot”, – shprehet Kopliku.
Në shkrimin që Kopliku kishte botuar në shkurt të këtij viti akuzonte Presidentin se familja e tij kishte dosje në ish-Sigurimin e shtetit.
“Vetë Nishani, ky që sot mban postin e presidentit, do të duhej të hapte publikisht dosjen e familjes së tij, para se të kërkojë hapjen e dosjeve të të tjerëve”- thuhet në shkrimin e Bashkim Koplikut.