Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka folur për herë të parë në këtë detyrë.
Në një intervistë për Sokol Ballën në Top Channel ai ka treguar detaje mbi arsyet e tërheqjes nga zgjedhjet në Kavajë.
“Ka pasur një ligjërim politik me tone të ashpra dhe thirrje për dhunë nga lidershipi i PD-së. Ka pasur organizime konkrete që këtë deklarim politik të liderëve ta kthenin në një realitet konkret.
Kemi pasur të dhëna për disa organizime që grupe jashtë strukturave normale të PD-së do të tentonin të krijonin përplasje dhe rrëmujë dhe që mund të krijonin konflikt.
Ata që do të krijonin këto përplasje ishin jashtë strukturave të PD, por të kontrolluar nga PD.
Kemi pasur sinjale që do të krijohej përplasje mes atyre që do të shkonin për të votuar dhe atyre që do të shkonin nga jashtë Kavajës” – tha ministri i Brendshëm.
Lidhur me një shkresë të Komisariatit 3 të Tiranës që kishte informacione do të goditeshin me bomba molotov dyqanet, Xhafaj tha se nuk mund të jepte shumë detaje.
“Jam në dijeni të të gjitha fakteve, por nuk do të zbuloj detaje të tjera që janë pjesë e punës së policisë” – tha Xhafaj që gjithsesi thotë se policia mund të përballonte këtë situatë.
“Do të përdorej protesta paqësore me militantë për të krijuar tension, trazirë dhe përplasje që ishin lehtësisht të mundshme për tu përballuar nga policia. Policia i garantonte plotësisht zgjedhjet në Kavajë. Ne ishim plotësisht në gjendje për të mbajtur zgjedhjet. Vendimi për të mos i mbajtur zgjedhjet nuk ishte i Ministrisë së Brendshme. Ne kemi kapacitete për të garantuar zgjedhje edhe në 18 qershor” – tha Xhafaj.