Një sulm i pa precedent ka filluar pas marrëveshjes Rama – Basha kundër partisë së Ilir Metës. Sapo nënshkruan paktin okult, i cili nuk pati pikë transparence, dhe që mbi të gjitha nuk garantoi asgjë për zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme, fushata e dy partive të mëdha po mundohet të vizatojë LSI-në si të keqen më të madhe të këtij vendi. Kreu demokrat, i cili i trembet hemoragjisë së zgjedhësve këmbëngul nga Vlora në Pogradec, se të votosh për Ilir Metën është njësoj si ta hedhësh votën në det apo në liqen.
Nga ana tjetër kryeministri Rama kërkon të ketë duar të lira në timonin e qeverisjes duke stigmatizuar aleatët e vet të majtë që rrëmbejnë pushtet, por nga ana tjetër hedhin dhe vickla.
Kjo klimë fushate po shoqërohet në terren me spastrtimin nga vendet kyçe në administratë të njerëzve të besuar të Ilir Metës. E parë në total ajo po tenton të krijojë përshtypjen se në trupin e sëmurë me kancer të Shqipërisë, LSI është organi prej nga prodhohen dhe shpërndahen metastazat.
Në fakt ky version nuk është larg të vërtetës. LSI-a ka qenë këto tetë vite partia që ka mbrojtur me votat e saj gjëmat më të mëdha që kanë ndodhur.
Ajo mbështeti gjatë periudhës 2009-2013 privatizimet skandaloze të qeverisë Berisha, ajo vazhdoi të mbajë me votë pushtetin që bëri 21 janarin, që vodhi votat e bashkisë së Tiranës dhe një rregjim që u shndërrua në një autokraci familjare. Pa i hyrë një gjëmb në këmbë, duke shpallur publikisht se “kontarata përfundoi” ajo kaloi në aleancë me Rilindjen duke bërë të pamundur që rotacioni të sillte ndryshim.
Pavarësisht se këtë radhë pesha e saj qe më e madhe në numra, forca e Ilir Metës nuk u mundua të bëhej pengesë as për koncesionet skandaloze, as për betonizimin e Tiranës, as për ligjin e arsimit të lartë, as për ndarjen teritoriale pa opozitën. Ajo, në aleancë me Ramën, bëri vetëm më shumë zhurmë se gjatë qeverisjes Berisha, por në thelb mbështeti pa hezitim kontratën e nënshkruar në 1 prill.
Pra, në këtë kuptim, LSI e meriton çdo kritikë, akuzë dhe anatemim në drejtim të saj. Ajo është sjellë për dy mandate me radhë si ajo larva që rritet mbi një pemë të kalbur dhe që trashet gjithnjë e më shumë sa më tepër shkërmoqet trungu mbi të cilin jeton.
Prandaj një pjesë e mirë e elektoratit (përpos klientelëës së saj) e përçmon këtë forcë dhe ka krijuar alergji ndaj saj.
Por, thënë këtë, nuk ka asnjë pikë vërtetësie, logjike dhe morali, që partia e Metës të sulmohet nga ata që e kanë përdorur për të forcuar pushtetin e tyre, i kanë marrë votat për të trashur zullumet, i kanë dhënë një pjesë të pushtetit për të abuzuar me të tërën.
Nëse ka dy njerëz që sot duhet të heshtin përballë LSI-së ata janë Rama dhe Basha. Idhtarët e tyre, socialistët dhe demokratët, pjesa tjetër e shumicës së shqiptarëve mund të kenë me dhjetra arsye për ta përbuzur këtë parti, por ata jo. Ata kanë po aq të drejtë të drejtojnë gishtin nga Meta, sa çka edhe një vrasës të denoncojë atë që i ka mbajtur armën.
Po atëhere, përse e bëjnë? Përse dy të mëdhenjtë janë hedhur në këtë sulm të paparë ndaj bandës më të vogël?
Teoria konspirative që po gëlon ngado këto ditë është se gjatë bisedës së fshehtë 5 orëshe ata kanë rënë dakord që ta zhdukin LSI-në. Se marrveshja e fshehtë përmban paktin për ta lënë Metën këto zgjedhje jashtë koalicioneve të mëdha dhe se ajo parashikon një ligj elektoral me prim për zgjedhjet e ardhshme që do i jepte fund përfundimisht ëndrrës së LSI- së për të qenë gjithnjë një parti qeverisëse.
Por, për ata që nuk i besojnë shpjegimeve komplotiste llogaria është më e thjeshtë. Basha dhe Rama po e godasin Metën për të lënë të kuptohet në publik se ata nuk do të bashkëqeverisin më me të. Pra, duke qenë të bindur që LSI-a është një forcë klienteliste, që bazën nuk e ka tek një elektorat stabël, por tek një masë fluide njerëzish që i blen me vende pune në shtet, ata po tentojnë t’ia heqin LSI-së këtë kartë.
Ata janë të bindur se pa sigurinë se do të jetë përsëri në pushtet kjo forcë përgjysmohert në vota.
Pikërisht për këtë arsye ka nisur loja e pisët Rama – Basha. E gjithë kjo kryqëzatë e dakordësuar më parë nuk ka asnjë qëllim më të madh sesa rrëmbimi i pak votave më shumë.
Por, ironia e gjithë kësaj historie është se megjithëse e ka kuptuar lojën e dy të mëdhenjve partia e Metës nuk guxon ta denoncojë atë. Ajo sillet sikur e përshëndet paktin Rama – Basha, e duartroket marrëveshjen që shpëtoi vendin dhe shmangu krizën, nuk guxon të denoncojë paktin okult që u firmos pa asnjë dëshmitar. Sepse në thelb duke mos i treguar votuesve të saj potenicialë se marveshja ka për qëllim të godasë LSI, ajo shpreson të marrë vota duke i mashtruar njerëzit me fabulën e zakonshme se do ta vazhdojë të jetë në pushtet.
Dhe këtu paradoksi mbërrin kulmin. Sepse partia e Ilir Metës beson se gënjeshtra që po përpunohet në dëm të saj, mposhtet më lehtë me krijimin e një mashtrimi më të madh. Dhe pikërisht kjo e menderos edhe më keq lojën e ndyrë që dy të mëdhenjtë po luajnë me LSI-në. Të gjithë janë bërë pjesë e një teatri absurd, ku askush nuk guxon të thotë drejtë dhe thjeshtë të vërtetën. (Lapsi.al)