Home KRYESORE Britma e një nëne!

Britma e një nëne!

Nga Irma Kurti

Pak ditë më parë në emisionin e lajmeve mësuam lajmin tragjik se një nënë 38-vjeçare në Castelfranco di Sopra(Arezzo) harroi fëmijën në makinë duke menduar se e kishte çuar në çerdhe. Vetëm kur u kthye nga puna pa atë që asnjë nënë s’do të donte të shihte: trupin pa jetë të të foshnjës. Atëherë ajo filloi të ulërasë e të kërkojë ndihmë, por britma s’arriti ta zgjonte fëmijën e pafaj, megjithë përpjekjet për ta risjellë në jetë.

Një lajm i kobshëm po aq sa edhe absurd! Në pak sekonda janë me dhjetra pyetjet që i bën vetes: “Si është e mundur?”, “A mund të harrohet një fëmijë 18 muajsh në makinë, ashtu siç mund të harrohet një dritë e ndezur apo një plaçkë?”. “Si mund të të dalë nga mendja një ‘gjë’ kaq e rëndësishme?”. Nuk është hera e parë që në Itali ndodh një harresë e tillë më pasoja fatale…

Më mbeti në mëndje britma e dëshpëruar e asaj nëne. Ajo britmë mbërriti e mprehtë, e dridhshme e plot dhimbje deri në Bergamo, në qytetin tim. Atë nënë e kisha pak metra larg, e ndjeva dramën e saj deri në thellësi të shpirtit.
Sa dëshpërim kishte tek ajo britmë!

Ajo mbante brenda të tashmen, atë çast që ia rrëmbeu përgjithnjë fëmijën, po edhe të ardhmen gri sepse ajo nënë s’do të mund ta puthë e ta përkëdhelë më kurrë foshnjën. Për të ditët në vazhdim do të jenë vuajtje, pendim dhe vrasje ndërgjegjeje. Kushedi sa herë do t’i rikthehet asaj dite, atij momenti kur mëndja iu fik, iu mbulua nga errësira, aq sa për të harruar krijesën më të shtrenjtë në këtë botë?
Në mëndje më erdhën ato… nënat tona, të mirat, shtrenjtat, të vuajturat, atyre që lajmi do t’u dukej një shaka banale e që s’do të mund ta imagjinonin kurrë skenën e mësipërme: harrimin e fëmijës në makinë.

Kjo s’ka të bëjë me faktin se atëhere nuk kishte makina. Por sepse të rritje e të edukoje tre, katër apo më shumë fëmijë pa asnjë lloj ndihme, pa patur në shtëpi lavatrice, panolina, në kushtet kur u duhej të rrinin në radhë për bukë, mish vezë e qumësht, konsiderohej “një normalitet”, “një detyrë” dhe aspak “sakrificë” apo “heroizëm” siç duket sot ky mision.

Po pse është kaq e vështirë sot të rritësh një fëmijë? Sot, kur supermerkatet janë plot, kur shumë familje vendosin të kenë vetëm një trashëgimtar dhe jo më tepër, sot kur ekzistojnë babysitter dhe gjyshe që të ndihmojnë t’i rritësh?

Ka diçka që nuk shkon në këtë jetë që rend me një ritëm të shpejtë e frenetik, me dëshirën që na torturon për të qenë sa më të mirë e perfekt në punë e në familje, përballë një shoqërie që ofron veç indiferentizëm e që të gjykon me lehtësinë më të madhe. Ka diçka që nuk shkon në këtë jetë që s’të lë të marrësh frymë nën peshën e ankthit dhe shqetësimeve të përditshme.

Ka ardhur momenti ta ndalim vrapin. Ta shndërrojmë në hap. Të kuptojmë se cilët jemi dhe çfarë duam në të vërtetë. Ka ardhur koha t’ia ngadalësojmë ritmin së përditshmes dhe të dëgjojmë zërin e shpirtit.

Share: