Home KRYESORE Dritan Shano i PD per Panorama: Programi ynë është zgjidhja që të...

Dritan Shano i PD per Panorama: Programi ynë është zgjidhja që të garantojë ekonomi të fortë.

Koordinatori i PD-së, njëherësh një ndër hartuesit e programit të Partisë Demokratike, Dritan Shano, në një intervistë për “Panorama” ka sqaruar pika kryesore dhe mënyrën se si do të zbatohet programi i PD pas zgjedhjeve të 25 qershorit.
 
Shano ka theksuar se programi i PD është hartuar bashkë me ekspertët e CDU-së gjermane, dhe është zgjidhja që të garantojë ekonomi të fortë.
“Ky program garanton kujdes dhe dinjitet për çdo shqiptar, ul taksën mbi konsumin, ul çmimin e energjisë dhe karburantit, rrit pensionin minimal në 25.000 lekë”, ka thënë Shano.
Zoti Shano, ju jeni një prej hartuesve të programit elektoral të PD-së, ç’mund të na thoni më shumë rreth tij?
Më shumë se elektoral, programi i PD është një program zhvillimi. Është një kontratë, përmes së cilës duam të na gjykojnë qytetarët. Është një akt dashurie dhe besimi te Shqipëria. Në fakt, nuk gaboheni. Përpara se të hidhej ky program në letër, kam pasur privilegjin të përfitoja nga kontributet. Edhe thjesht nga prezenca e mjaft njerëzve kur debatoheshin idetë dhe vizioni i këtij programi, përfshi edhe ekspertët e CDU.
Cila është pesha reale që ka programi elektoral në fushatë?
Një fushatë elektorale ka tre komponentë të rëndësishëm – këto janë: programi ose kontrata, ekipi dhe strategjia e komunikimit. Pesha e programit në fushatë varet nga deri në ç’nivel ka arritur një shoqëri te jetë racionale. Ose nga i anon kandari, nga forma apo përmbajtja. Mendoj se në kushtet e sistemit tonë elektoral i vetmi element me përmbajtje është programi elektoral, ndërsa dy të tjerët janë elemente të formës dhe jo të përmbajtjes. E thënë ndryshe, nëse sot programi është gjella që do hash, atëherë pjata është ekipi, dhe thika, luga, piruni janë strategjia e komunikimit. Secili qytetar që voton duhet të zgjedhë çfarë është më e rëndësishme për të, gjella, pjata apo mjetet e të ngrënit përpara se të hedhë votën në kuti. Cili nga këto elemente i garanton atij mbijetesën, stabilitetin, zhvillimin, të ardhmen. A do mbetet “më i rëndë bishti se sqepari” fataliteti ynë?
A janë vërtet kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri programet e palëve?
Shpesh thuhet që ato janë njësoj. Ka shumë dallim mes programit tonë dhe atij të Partisë Socialiste, që zakonisht nuk ekziston. Ka dallim thelbësor. Socialistët thonë se do bëjnë shtet se s’bën, ne themi se do bëjmë ekonomi të fortë se s’bën. Ata shohin qeverinë si aktor, ne e shohim atë si shërbëtor. Programi i PS premton 220.000 vende pune dhe koncesione ndaj të preferuarve për 1 miliard euro. Programi ynë garanton taksa të ulëta 9%, inovacion, investim teknologjik dhe mundësi më të mëdha e të barabarta për çdo biznes apo qytetar të Shqipërisë apo të huaj. Socialistët premtojnë të shërojnë simptomat siç është papunësia, ne garantojmë të kurojmë shkaqet, rrënjët ku krijohet ajo – prona, infrastruktura, arsimi, kultura. Dallimi i madh mes llafeve të socialistëve dhe programit tonë është: ata premtojnë të eliminojnë kollën, ne garantojmë shërimin nga ftohja. Programi i Partisë Demokratike ndihmon me çdo kusht, mjet dhe burim ekonominë, atje ku krijohet pasuria, punësimi, siguria dhe e ardhmja e çdo shqiptari, ndërsa Partia Socialiste synon të zmadhojë akoma edhe më qeverinë, vendin ku harxhohet pasuria e shqiptarëve.
Programet që shpallen në fushata janë shpesh deklamative dhe të mbushura me premtime. Çfarë ka të veçantë ky program i PD-së?
Ky është programi i Republikës së Re. Që fillon me një reformë të thellë kushtetuese dhe zgjedhore për ta kthyer Shqipërinë nga një republikë të partive politike në republikën e qytetarëve. Që vazhdon dekriminalizimin dhe eliminimin e narkotrafikut. Që garanton se qytetari nuk do jetë më nën thundrën e zyrtareve. Ky program garanton se brenda vitit 2018 titujt e pronësisë do jenë të sigurt njësoj si në Europë. Dhe se prona do kompensohet vetëm me vlerën e tregut. Mbron konkurrencën e lirë dhe të barabartë dhe jo “konkurruesit”.
Mirë, po çfarë do përfitohet konkretisht nga njerëzit?
Ky program garanton kujdes dhe dinjitet për çdo shqiptar, ul taksën mbi konsumin, ul çmimin e energjisë dhe karburantit, rrit pensionin minimal në 25.000 lekë. Ky program garanton ndihmën për çdo shqiptar në nevojë dhe garanton se asnjë shqiptar nuk do humbë jetën më për shkak të reformave të qeverisë. Programi i PD garanton kujdesin shëndetësor për shqiptaret e çdo moshe. Paraja publike do ndjekë pacientin dhe jo Vilmën. Nuk do ketë më asnjë koncesion monopol në shëndetësi dhe në ekonomi.
Si do i realizoni këto?
Ky është programi i çlirimit të ekonomisë nga të gjitha pengesat e akumuluara në 25 vjet – ligjore institucionalestrukturore. Është programi i mbështetjes së bujqësisë me 150 milionë euro për ta çuar atë drejt agroindustrisë dhe sigurisë së çdo fermeri. Është programi i kompletimit të infrastrukturës në ndihmë të ekonomisë dhe tregjeve kombëtare e rajonale. Është programi i taksave më të ulëta në këto 3 dekada, i taksës së sheshtë 9% mbi kapitalin dhe punën, që çlirojnë 1 miliard euro në ekonomi dhe e kthejnë Shqipërinë konkurruese në rajon, magnet të investimeve, ndërsa vlerësojnë çdo pikë djerse, mundim e guxim të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Shpenzimet qeveritare nuk do i kalojnë 31% të GDP, të ardhurat do arrijnë 27-28% të GDP, ndërsa garancia e gjithçkaje sa thamë më lart është një rritje ekonomike me mbi 5% në vit. Kujt nuk i mbushet mendja për këtë dhe pyet ku do i gjejmë lekët për këto, le të marrë leksione private për kurbën Laffer. Është bindja jonë e palëkundur se këtë vend do e çojë përpara ekonomia dhe jo qeveria.
Cila është sfida nga e cila ju prisni më shumë?
Edhe pse hallet e shqiptarëve bëjnë të dëgjohen më fort mbështetja dhe kujdesi për shtresat në nevojë, ky program ka shumë sfida. Sfida kryesore është rritja e produktivitetit të kapitalit fizik dhe atij njerëzor. Orientimi i ekonomisë tek e ardhmja – tek ekonomia dixhitale, tek ekonomia e dijes. Ky program e sheh rininë, e cila sot është e papunë, si zgjidhjen dhe jo si problemin e Shqipërisë – punësimi i saj do nxitet me çdo formë e mënyrë. Ajo që më ka dhënë më tepër kënaqësi në punë e sipër është qasja ndaj arsimit. Ky program synon ta kthejë arsimin në një burim kryesor të rritjes ekonomike të vendit, në kontribuesit kryesorë të PBBsë. Rritja e produktiviteti të kapitalit njerëzor është, sipas meje, rruga e vetme që do prosperojë Shqipërinë. Zhvillimi i ekonomisë së dijes, lidhja e njeriut me tregun do fillojë që në arsimin parashkollor e deri në arsimin e lartë. Do 5- fishohet buxheti i kërkimit dhe zhvillimit. Shqipëria do prodhojë manaxherë të dijes dhe produkte dixhitale, duke garantuar dhe integrimin e teknologjisë së informacionit masivisht në ekonomi – kjo i rrit ndërmarrjet me 2 apo tri herë. Bërja e arsimit të mesëm të detyrueshëm dhe financimi i intershipeve për ata që mbarojnë shkollën e lartë synojnë gjithashtu të rrisin garancitë e punësimit për të rinjtë. U zgjata më shumë se ç’duhet, por këmbëngul se programi që po u paraqesim njerëzve nuk është një program i zhvillimit qeveritar, por një program i zhvillimit kombëtar, që e zhvendos ekonominë tonë nga mbijetesa te produktiviteti dhe inovacioni.
Programi është vizion politik, por ai përcaktohet nga vullneti politik. Sa pengues apo inkurajues është vullneti?
Është e qartë që e majta shqiptare ka një vullnet politik pengues për ekonominë, pasi ajo, pavarësisht fasadës së saj, nuk arrin të shkëputet nga nevoja e përhershme e të majtëve që pas revolucionit të kuq të tetorit 1917 për të konfirmuar dominimin e tyre mbi ekonominë dhe jetën e njerëzve. Parulla e tyre se do bëjmë shtet se s’bën thjesht sa e konfirmon këtë gjë. Vullneti ynë politik është akoma dhe më i qartë. Partia Demokratike erdhi në vitin 1990 përmes Lirisë Politike. Me këtë program ne do të realizojmë Lirinë Ekonomike. Pa Lirinë Ekonomike, të gjitha liritë e tjera janë të dobëta, të paplota, nuk kanë kuptim. Punësimi, strehimi, shkolla e fëmijëve, siguria, dinjiteti, shëndeti, pensioni, liria për të zgjedhur dhe jetuar – të gjitha këto varen nga një ekonomi e fortë. Asnjë liri nuk është e plotë, nuk qëndron dot në këmbë pa lirinë ekonomike. Ky është vullneti ynë politik. Një ekonomi e fortë!
Sa do kapet, apo përthithet nga njerëzit ky program?
Tashmë kemi hyrë në fushatë elektorale, kohë kur programe elektorale u komunikohen drejtpërdrejt shqiptarëve, memories dhe vetëdijes së tyre. Xhepit dhe ëndrrave të tyre, vizionit dhe përkatësisë së tyre. Tezat e këtij programi janë artikuluar nga Kryetari Basha në kohë dhe testuar në publik. Kryetari Basha në takimet e tij elektorale i merr dhe rimerr të gjitha elementet konkrete të këtij programi. Por është shumë e rëndësishme që çdokush tjetër i angazhuar dhe që ka përgjegjësinë e komunikimit të këtij programi te votuesi të bëjë ç’është e mundur brenda vizionit dhe vetëdijes së vet politike të evitojë situata të tipit i zoti e shet, tellalli s’e jep.
JUXHIN MUSTAFARAJ/PANORAMA
Share: