Zbulohet identiteti i biznesmenit të kompanisë së naftës në Shqipëri dhe ish-presidentit të një ekipi futbolli në Greqi, i cili u arrestua me 20 kg kokainë dhe 100 mijë euro me vete në Larisa.
Mediat greke e kanë identifikuar të arrestuarin si Athanasios Karatzounis, i njohur me nofkën “Saqis”, i cili është një biznesmen i njohur në Thesali dhe sigurisht Trikalla, ku ai ka qenë edhe presidenti i një klubi lokal futbolli.
Në operacionin e zhvilluar në Larisa, bashkë me biznesmenin grek janë arrestuar edhe 3 shqiptarë.
Siç edhe shkruajnë mediat greke, biznesmeni ka edhe disa lidhje të fuqishme në Ballkan, pa specifikuar se ku. Biznesmeni grek, është i njohur në zonën e Thesalisë dhe Trikallës për përfshirjen e tij në futboll.
Gjatë arrestimit, përveç 20 kilogramë kokainë, atij i janë gjetur edhe 100 mijë euro me vete. Siç bëjnë të ditur mediat greke, greku është pronar i një kompanie nafte në Shqipëri si dhe i një firme paketimi domatesh në Greqi.
Më herët ai ka qenë i dënuar për kontrabandë cigaresh dhe trafik droge nga Holanda./360grade.al