Home KRYESORE Kosova në udhëkryq, çelësi i qeverisë së re mbetet LDK

Kosova në udhëkryq, çelësi i qeverisë së re mbetet LDK

Koalicioni PAN mund ta formojë qeverinë e re vetëm me votat e LDK-­së ose duke marrë disa deputetë nga koalicioni i kësaj të fundit. Zgjidhje tjetër nuk ka, pasi i mungojnë numrat e nevojshëm për ta formuar shumicën e thjeshtë parlamentare edhe me votat e minoriteteve, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pavarësisht se doli më së keqi në zgjedhjet e 11 qershorit, duke mbetur me vota pas koalicionit PDK-AAK­-Nisma (PAN) dhe lëvizjes “Vetëvendosje” te ky subjekt është përsëri çelësi për formimin e qeverisë së re.

Kjo për faktin se në bazë të rezultatit zgjedhor koalicioni PAN nuk do të mundë ta formojë qeverinë e re edhe nëse i merr votat e minoriteteve. Ky koalicion që e ka kandidat për kryeministër Ramush Haradinajn nuk pritet t’i fitojë më shumë se 39 ulëse në Kuvend dhe me gjitha votat e minoriteteve (20) mund t’i arrijë vetëm 59 vota, dy më pak sesa duhen për ta formuar qeverinë e re, shkruan “Zëri”.

Megjithatë, zyrtarët e LDK­ jozyrtarisht janë deklaruar se nuk do të shkojnë në koalicion me PAN-­in, duke preferuar që qeverinë e re ta bëjnë me lëvizjen “Vetëvendosje”. Këto dy subjekte pritet t’i kenë 61 deputetë në Kuvendin e ri dhe me votat e minoriteteve mund ta sigurojnë një qeveri te qendrueshme./dritare.net

Share: