Home KRYESORE Lista e elitës, ose elita pa listë ne zgjedhje politike

Lista e elitës, ose elita pa listë ne zgjedhje politike

Nga Av. Enida Bozheku

Gjatë ditëve të fundit, atmosfera parazgjedhore u trazua nga debati mbi emrat e kandidatëve të rinj flamurmbajtës të partive të vjetra politike, në këtë mandat të ri qeverisës, prej të cilit pretendohet hiç më pak se mbyllja e amullisë së post – tranzicionit shqiptar.

Ajo çka vihet re, për herë të parë mbas 27 vjetësh, është mungesa e disa prej emrave të politikanëve të vjetër, specialistë sa të qëndrestarisë, aq edhe ndërrimit të xhaketës në politikën e Shqipërisë.

Duket se odiseja e ngritjes së Ҫadrës së Lirisë, veçanërisht pseudo-drama e mbylljes së saj, pas arritjes së marrëveshjes Rama-Basha, ka shkaktuar jo pak indinjatë mes jo pak prej mbështetësve të Partisë Demokratike. Kjo indinjatë vërehet më tepër mes atyre që tek çadra shihnin simbolin e qëndresës së një opozitarizimi efektiv, që në fakt viteve të fundit ka munguar po aq shumë sa mirëqeverisja.

Gjithsesi, përtej llogarive tejet të ngushta politike, dhe “njerëzore, shumë njerëzore” të dy protagonistëve të marrëveshjes, surpriza më e madhe në këto zgjedhje vjen nga përzgjedhja e emrave në listat me kandidatët për deputet. Këto janë lista, në të cilat, në emër të llogaritjeve të bosëve të partive, dhe nën pretekstin e fitores “publiçitare” të rradhës, lënë në harresë çdo kriter të natyrës etike dhe morale, çdo lloj konsultimi me bazën apo organet vendimmarrëse partiake, dhe çdo lloj skrupulli përsa i përket meritave, kontributeve individuale, komunitare apo politike të kandidatëve.

Një analizë paraprake e listave tregon qartë se kemi të bëjmë, sa me një “spastrim” të parallogaritur të disa emrave, vërtet tashmë të lodhur e konsumuar, aq edhe me “konservimin” e disa emrave të tjerë, po aq të konsumuar dhe të lodhur. Njëkohësisht, risia qëndron në prurjet e disa elemetëve të rinj, të cilët në vështrim të parë, përsa i përket ndryshimit gjeneracional, duket se sjellin një frymë të re.

Por a është vërtet kështu?

Listat e kandidatëve në zgjedhjevet e qershorit 2017 sjellin një amalgamë kurrikulash, moshash dhe politikanësh me përvojë nga zero deri në çerek-shekullore. Ndryshe nga katërvjeçari i mëparshëm zgjedhor, prurjet e në listat partiake kanë ndryshuar rrënjësisht. Elementët kriminalë me përvojë të spikatur në fushat e trafikimit, grabitjes, vrasjes, mashtrimit dhe përvetësimit, janë zëvendësuar me prurje rinore pa eksperiencë në këto fusha – dhe, në shumë raste, në asnjë fushë.

Sigurisht, zgjedhja midis të vjetërve me rekorde kriminale dhe të rinjve pa asnjë lloj rekordi bie mbi të rinjtë, me shpresën se rrugës, ata do të përmirësojnë vetveten në përfaqësim duke u këshilluar dhe thelluar fushat e tyre të studimit. Mos harrojmë se në duart e tyre po vihet fati ligjor, ekonomik dhe politik i vendit.

Po pikërisht sepse flasim për fatet e vendit, s’duhet lënë pa përsëritur se përfaqësuesit e rinj politikë të emëruar nga kryetarët e partive janë përzgjedhur mbi baza preferencash personale, jo vlerash dhe kontributesh efektive në strukturat partiake apo në komunitetet prej të cilëve vijnë dhe që supozohet që do përfaqësojnë. Nga sa vihet re, eksperienca e kandidatëve shihet si opsionale dhe aspak funksionale, pra aspak në të mirë të qëllimit (telosit aristotelian) të politikës, për një qeverisje të denjë në të mirë të bashkësisë – popull.

Vlen gjithashtu të theksohet se në listat “elitare” të vetëzgjedhura, të vetëhartuara dhe të vetëvendosura nga liderët e plotfuqishëm partiakë, të cilët vazhdojnë vjelin frytet e pushtetit të tyre absolut nga reforma kushtetuese e vitit 2008 dhe më saktësisht, nga neni 64 i Kushtetutës, mosha e kandidatëve ulet ndjeshëm dhe zëvëndësohet me brezin e “studentëve universitarë” me kontribute pasive në parti; kandidatët e përzgjedhur nuk kanë kaluar kaluar asnjë filtër kualifikues të brendshëm partiak dhe nuk ka sesi të kenë autonomi apo vetë-administrim të figurës së tyre politike, pasi dijes së tyre, hipotetikisht të akumuluar gjatë viteve të studimit, i mungojnë shumë vite pune dhe ndërlidhjeje mendimesh, shkëmbimi eksperiencash dhe përballjeje interesash dhe idesh me brezat moshorë, strukturat politike dhe shtresat sociale.

Ndërrimi gjeneracional në politikë është një nevojë e pamohueshme në kushtet e një vendi të vogël dhe të qeverisur keq. Por spastrimi i politikës nga klasa e vjetër drejtuese nëpërmjet zëvëndësimit të saj me individë, kontributi maksimal i tyre s’është veçse arritja e moshës madhore, është i rrezikshëm dhe do të krijojë probleme jo të vogla përkundrejt përgjegjësisë që lind dhe mbarset nga pushteti.

“Cogito ergo sum” – “Mendoj, pra jam” e Dekartit vështirë se gjen jehonë në rradhët e kandidatëve të rinj të vendosur si birila në listat e partive. Nga rreshtat e tyre ushtron zëshëm thirrja: “Më emëron, ndaj të bindem”.

Në këtë fazë post-tranzicioni kulturor, politik, social dhe ekonomik të Shqipërisë, rinovimi i klasës politike është një domosdoshmëri imediate, frymëmarrje e munguar për biznesin, e ardhme për brezat. A jemi gati për këtë?! Në kaq vite tranzicioni të vonuar, në këto dekada dekadence politike, drejtësie të korruptuar, mungese koncepti dhe ideali për arsimimin si bazë e ndërtimit të një shteti funksional, Shqipëria vazhdon të gulçojë në ngërçin e pazgjidhur të status quo-së,

Elita e Shqipërisë nuk ka as dëshirë, as interes që populli i saj të dalë nga guacka.

Fryma e brezit të ri, fryma e grupmoshës së politikës së idealit dhe eksperiences se jetës (30 në 55) vjeç, forca më aktive e çdo shteti, është lënë masivisht jashtë listave. Një përfaqësim i zbehtë, i pangjyrë, i pagjak i kësaj grupmoshe është emëruar kandidat-deputet, si pasojë e servilizmit ndaj kryetarit, si pasojë e lidhjeve familjare apo shoqërore me të, si pasojë e interesave dhe llogarive të tij, dhe vetëm të tij.

Kjo nuk ndodh rastësisht.

Por, përtej konfliktit tashmë të hapur midis vlerave dhe antivlerave, etjes për ndryshim dhe pafuqisë “revolucionare” për t’a arritur atë, në dyert e Shqipërisë, shpresa po troket, edhe pse me ndroje.

Tashmë shumë vajza e djem të rinj të mirëformuar, profesionistë të përgjegjshëm, e kanë nisur rrugëtimin drejt shprehjes së një vullneti që, edhe pse jo i bashkëlidhur me një organizëm politik efektiv, po zgjohet në reagimin individual kundër asaj që është hegjemonia partiake e diktatit të njëshit.

Duhet ende kohë, punë, dhe ndërgjegjësim personal, publik e politik, i kujtdo shqiptari që mendon se zëri i tij duhet të ngrihet, që të flasë e të komunikojë shoqërinë, me qëllim zgjidhjen dhe jo vetëm zgjedhjen, që shoqëria jonë të fillojë të rigjejë në vetvete idealin për të gjalluar në një vend të cilin e përflasim për keq po aq sa edhe e përjetojmë, qofshim si shqiptarë që punojmë jashtë, qofshim si shqiptarë që e ndërtojmë apo e rrënojmë atë çdo ditë.

Ndryshimi i elitës socio-politike, juridike dhe ekonomike, të Shqipërisë rinovimi i klasës së saj drejtuese është i pashmangshëm, pasi asnjë establishment politik, sado autokratike, idioteske, diletanteske, primitive dhe qesharake të jenë listat e “kandidatëve të partisë” nuk mund ta ndalë rritjen e një brezi të ri mendimi dhe veprimi tjetër politik.

Por ky ndryshim nuk mund të vijë nga ata të rinj që aspirojnë karrierën duke marrë ashensorin ekspres për në katin e sipërm. Ndryshimi mund të vijë vetëm nga ata të rinj, të cilët e sjellin atë çdo ditë me fjalën dhe punën e tyre në një

Shqipëri të keqqeverisur që meriton të qeveriset shumë më mirë.

Të rinj të tillë ka shumë. Por ata nuk i gjen nëpër këto lista.

Dështimi 27 vjeçar i kësaj klase drejtuese ka prodhuar agoni për shoqërinë, frustrim dhe apati për shtresën e mesme, varfërim masiv dhe largim të popullsisë, pasurim korruptiv, arrogancë dhe lulzim të injorancës të oligarkëve të politikës. Disa prej tyre kanë mirësinë të heshtin, por jo të paktë janë ata të cilët nuk ndjejnë as turpin dhe përgjegjësinë më të vogël teksa angazhohen në fushatë kundër … oligarkisë.

Në këtë kontekst “Rilindja” e Ramës është po aq pak shpirtërore sa ç’është e re “Republika e Re” e Bashës. Pavarësisht risive në fushën e propagandës, ky establishment po shkon paevitueshmërisht drejt shpërbërjes. Ndërkaq, nxjerrja jashtë sistemit përfaqësues e një pjese subjektësh shkaktarë dhe bashkëautorë të genocidit politik, shoqëror, moral dhe intelektual të këtyre dekadave mund të krijojë premisat për një fillim i ri, edhe pse gjithçka vazhdon të mbetet në kuadrin e shpresës.

Ndryshimet e imponuara nga jashtë dhe revolta që çdo ditë e më shumë akumulohet së brendshmi, e sjellin më pranë momentin kur kushdo që beson se Shqipëria mund të bëhet, të fillojë të jetë pjesë e ndryshimit, duke mos rreshtur së kritikuari dhe denoncuari të gjithë fajtorët dhe të gjithë përgjegjësit, dhe duke dhënë nga vetja shembullin pozitiv se përtej klientelizmit partiak, ideali i rinisë i kombinuar, me eksperiencën e të vjetërve intelektualë e profesionistë, mund të jetë realisht e nesërmja e Shqipërisë.

Sepse e nesërmja jonë nuk mund të jetë as lista e kësaj elite, as kjo elitë pa listë.

Cogito ergo sum – Mendoj, pra jam!

Share: