Lëvizja Socialiste për Integrim i është drejtuar Kolegjit Zgjedhor për të kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për anëtarin e tretë të numëruesve në Grupet e Numërimit të Votave të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Kolegji Zgjedhor do të hedhë shortin nesër në orën 11:30 për të përcaktuar gjyqtarët që do të shqyrtojë padinë e bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Shorti i hedhur nga KQZ sot, përcaktoi ndarjen e anëtarit të tretë mes LSI dhe PDIU në grupet e numërimit të votave, në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Numëruesi i fundit i papërcaktuar në grupet e numërimit të votave, në tavolinat me numër çift anëtarësh do t’i përkasë LSI-së. Ndërsa PDIU, do ketë anëtar të saj në tavolinat me numër tek.
Nënkryetari i LSI-së Luan Rama e cilësoi si të paligjshëm vendimmarrjen e KQZ. Sipas tij, vendimi i KQZ-së është në shkelje të plotë me Kodin Zgjedhor, pasi LSI unk duhej të hidhej në short me parti tjetër për ta pasur numëruesin që i takon me Kushtetutë.