Home KRYESORE Manjani: Rama e ka të gjithë tepsinë për vete dhe le ta…

Manjani: Rama e ka të gjithë tepsinë për vete dhe le ta…

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar pas rezultateve të parë që e nxjerrin Partinë Socialiste dhe Edi Rama fitues të vetëm të këtyre zgjedhjeve, duke i dhënë mundësinë atij të formojë i vetëm qeverinë.

Manjani duke iu referuar një shkrimi të tij pak ditë më parë, tha se Rama ka fituar bastin.

Reagimi i Ylli Manjanit Basti i fituar.
—–

Ky është i pari bast që fitoi Edi Rama. Disa ditë më parë shkruajta që “nëse e fiton këtë bast, ta gëzojë Shqipërinë”!

Sot e përsëris: Ta gëzojë Shqipërinë!

Sukses nuk i uroj dot, sepse nuk fitoi zgjedhjet, por bastin!

Nuk fitoi programi, por barcoleta! Nuk e fitoi kryeministrinë, por i mbeti në dorë!

Ai donte të qeveriste vetëm, ja ku ja arriti kësaj dite! E ka të gjithë tepsinë për vete! Ta hajë deri sa të fryhet!

E ardhmja?! Nuk e di! Askush se di! Dyshimet janë stërmunduese! Nuk pritet gjë e mirë! Idetë e rrezikshme të tij mbi demokracinë, liritë dhe sundimin e ligjit, vështirë të kenë pengesa!

Shteti do jetë krejt në dorë të tij! Nuk ka më asnjë alibi që dikush po e pengon!

Sa për blerjen e votave: jam i bindur që janë blerë! Me para në dorë dhe relativisht masivisht! Kanabis solli potencial te madh financiar!

Por, fajin më së pari e ka ai që e shet votën! “Shitësi” i votës është shitësi i demokracisë. Ky është rregulli bazë i llogjikës. Të tjerat janë stërhollime politike e ligjore!

Nëse njerëzit e shesin lirinë e demokracinë, ka mbaruar çdo logjikë e metejshme! Blerësit ndjehen “legjitimë” ti nxjerrin ujët e zi çdo gjëje!

Kundërshtarët e Ramës duhet tē kërkojnë arsyet e kësaj gjendje tek vetja dhe jo tek të tjerët. E sigurtë është që fituesi kishte strategji më të mirë.

Kërkimi i “fajit” tek sondazhet nuk ndihmon! Fakt është që sondazhini IPR Marketing dhe Ora Neës, me pak saktësime doli korrekt!

Me rëndësi tani është organizimi i Shqipërisë opozitare! Pa opozitë diktatura monopartiake do ta ketë krejt të lehtë të bëjë çtë dojë!
Duhet të kthejmë zgjedhjet në alternativë dhe jo në bast!
Bastet i fiton gjithmonë pushteti!

Share: