Home KRYESORE Meta: Rama-Basha, inskenuan çështjen CEZ-DIA për të më goditur mua dhe Berishën

Meta: Rama-Basha, inskenuan çështjen CEZ-DIA për të më goditur mua dhe Berishën

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta akuzon kryeministrin Edi Rama dhe kreun PD Lulzim Basha se kanë shpikur çështjen CEZ dhe debatin Doshi-Fufi për të goditur LSI-në.

Në një intervistë për emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në televizionin “News 24”, Meta zbuloi se Rama dhe Basha kanë pasur vazhdimisht raporte dhe marrëveshje të fshehta midis tyre në të kaluarën, siç kanë qenë ato për të goditur kreun e LSI me inskenime sikurse ishte rasti Doshi-Fufi.

Presidenti i zgjedhur akuzon se deklaratat e bëra nga selia e PD për çështjen CEZ-DIA fabrikoheshin nga PS për të goditur Ilir Metën si dhe Sali Berishën.  Gjithashtu, Meta thekson se Rama si Kryeministër është një kapitull i mbyllur, ndërsa shton se ai shpërdoroi shansin që i dha LSI për të qeverisur.

INTERVISTA

Kemi një opozitë që fjeti për 3 vjet e gjysmë dhe u zgjua në momentet e fundit duke ngritur një çadër në qendër të Tiranës. A s’ju bëri përshtypje se ç’ishte kjo çadër dhe pse duhej kjo në fund të një qeverisjeje 4-vjeçare?

Kemi një situatë ku z. Basha, duke ndier situatën e vështirë të Partisë Demokratike në terren dhe një humbje qoftë edhe në zgjedhje tërësisht normale, por duke ndier edhe rrezikun e deformimit të mëtejshëm të një rezultati të disfavorshëm për PD-në, për shkak të një koalicioni super të madh PS-LSI-PDIU dhe ndoshta të angazhimit të segmenteve të caktuara të policisë apo të elementëve të caktuar të lidhur me ndërmarrjen e kanabisit dhe elementëve kriminalë, vendosi të marrë një pozicion të tillë: ta ndërtojë çadrën si një serrë politike, se në dimër u krijua ajo, për të rritur edhe një çikë autoritetin e tij dhe për të fituar disa garanci ndoshta, ose për të justifikuar mos hyrjen në zgjedhje, me qëllim evitimin e shkarkimit të tij nga kryetar i Partisë Demokratike, sipas mendimit tim.

Thuhej që Ilir Meta shkon natën në çadër. Jo ti konkretisht si person, por Meta si ide…

Kjo është një përrallë nga të dyja palët për të justifikuar veprimet e tyre ekstreme, të cilat do të sillnin një krizë edhe më të fortë dhe situata edhe më të paparashikuara. Pra, një veprim ekstrem do të ishte që të shkonim në zgjedhje pa opozitën dhe një veprim tjetër ekstrem do të ishte që Ilir Meta, për hir të demokracisë, dhe LSI-ja të largoheshin nga qeveria, të shkonin në çadër, të përpiqeshin të rrëzonin qeverinë me vota dhe veprime të tilla, të cilat, gjithashtu, do të përshkallëzonin krizën në një drejtim tjetër.

Ka pasur një ide që ju kërkonit kryeministrin në zgjedhjet e reja…?

Nuk ka pasur arsye Rama për të bërë një marrëveshje të tillë, sepse në çdo rast, edhe nëse ne do të dilnim në koalicion, përsëri do të ishte një garë brenda koalicionit, sepse LSI-ja nuk do të bënte thirrje për vota për z. Rama ose PS-ja për z. Meta, kështu që gjithçka do të ishte rezultati i garës.

Patjetër duhet të ishit parti e parë për të qenë kryeministër, pasi bota ka pasur shembuj plot.

Normalisht, nëse do të hysh në një koalicion, partia që del e para ka të drejtën për kryeministër, por në situatën që ne jemi tani loja është shumë e hapur. Për shembull, Schüssel në Austri doli i treti dhe u bë kryeministër.

Çdo gjë është produkt i rezultatit, është produkti i 71 votave më 26 qershor.

A besoni te kjo Republika e Re e Lulzim Bashës, z. Meta?

Unë asnjëherë nuk kam besuar te Republika e Re e z. Basha, as te Rilindja e ish-bashkëkryetarit tim, sepse mendoj që këto janë tërësisht shumë larg realitetit politik, por kurrë nuk më ka vajtur mendja se Lulzim Basha do të bënte një marrëveshje për të cenuar standardin zgjedhjeve. Gjëja e parë që ai bëri në tri orë ua futi aleatëve të vet duke filluar që nga z. Duka, i cili, po të kishte dëgjuar kërkesat e maxhorancës për të braktisur çadrën, do të hynte në një proces ku mund të merrte 10-12 deputetë, kurse tani është tërësisht i rrezikuar për shkak të kësaj marrëveshjeje.

  1. Meta, për publikun u krijua ideja se marrëveshja Rama-Basha ishte një marrëveshje e prodhuar nga rrethanat, një marrëveshje spontane që erdhi aty për aty…

Unë mendoj se të dy këta politikanë nuk janë aq të qëndrueshëm sa të bëjnë marrëveshje shumë afatgjata dhe tepër serioze. Mendoj se janë dy politikanë që tiparin thelbësor kanë paqëndrueshmërinë, jo vetëm në raport me njëri-tjetrin, por edhe me cilindo. Në rastin konkret mund të them se raporte dhe marrëveshje të fshehta midis tyre ka pasur vazhdimisht në të kaluarën, siç kanë qenë ato për të më goditur mua me inskenime, si rasti Doshi-Fufi, që nuk kishte asnjë lidhje. U përdor Partia Demokratike për të bërë zhurmë në të gjithë botën, që unë doja të eliminoja dy deputetë. Njëkohësisht edhe rasti CEZ-DIA ku praktikisht z. Basha u bë zëdhënësi kryesor i fabrikimeve që shkonin nga zyrat e Rilindjes, këto me fakte të pavërteta, që synonin goditjen time, por njëkohësisht edhe goditjen e z. Berisha që ishte kryeministër në atë periudhë. Në rastin konkret ne kemi të bëjmë me dy individë të cilët u bashkuan për shkak të interesit të tyre personal.

Në radhë të parë, në raport me partitë e tyre, sepse duket që pas kësaj u fshinë të gjithë emrat e njohur të Partisë Demokratike…

Nga kampi i Ramës erdhën zëra që Ilir Meta e pranoi postin e Presidentit nën presionin e Edi Ramës…

Absolutisht nuk ka qenë asnjë lloj presioni që mund të më impononte mua diçka. I vetmi presion ndaj meje ka qenë që në rast se ne nuk do të zgjidhnim Presidentit, pasi u konsumuan 3 raundet, dhe po shkonim drejt regjistrimit të listave për deputetë, atëherë do të shkonim drejt dy varianteve: ose do të zgjidhej president një kandidat i z. Rama, që mendoj se do të ishte diçka jo shumë e shëndetshme për demokracinë, ose do të shkonim në zgjedhje dhe nuk do të arrinim një marrëveshje për këtë gjë. Do të shkonim në zgjedhje automatikisht, sipas Kushtetutës, brenda 45 ditëve. Opozita do të ngelej në çadër, sepse nuk kishte asnjë shans të përfshihej.

Në fakt, kishte edhe një farë keqardhjeje shkuarja juaj drejt Presidencës dhe një dilemë që vazhdon sot e kësaj dite.

Ka kohë deri më 24 korrik, mos u shqetësoni për këtë gjë! Ka kohë, mos ki merak!

Në marrëveshjen që u bë publike, ai doli dhe u tall me liderin e opozitës, të themi të drejtën, aq sa edhe neve na erdhi rëndë. Tha: “I hodha një big mac-e, i hodha një super hamburger”.

Çfarë faji ka ai kur kënaqet lideri i opozitës me big mac? Nuk ka faj.

Ka fituar vëlla më të madh se ty në krah, apo nuk është i madh?

Nuk është çështje vëllazërie, është një interes i përbashkët, është një hall i madh. Le ta kalojnë bashkë sa të munden.

Edhe atë e mban poshtë, i thotë Zhulietë.

Ashtu e ka caktuar rolin.

Marrëveshja po jep frytet e veta. Ata nuk thanë: “Të përpiqemi të asgjësojmë Ilir Metën”, sepse mund të “vrasë” edhe Meta ata, e themi në mënyrë figurative, por kanë hyrë menjëherë në veprim, pa thënë se çfarë. Si e konsideroni?

Duhet të kemi parasysh se situata e tyre në terren është mjaft e rëndë. Situata e PD-së nuk diskutohet, sepse është një parti pa strukturë. Kjo situatë është në të gjithë Shqipërinë, por unë nuk dua te merrem me çështjet e PD-së, sepse nuk është e hijshme. Të vetmit demokrat, që unë i kam dhënë një triskë në jetën time është Lulzim Basha, i kam dhënë triskën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sepse ai pa 25 mijë votat e LSI-së nuk do ta merrte, por edhe me ato mezi e mori, për 10 vota.

Duhet t’u thoni shqiptarëve (ja, ku jemi në këtë tryezë) që nuk jeni ju klientelistët, por janë ata.

Absolutisht! Asnjëherë!Ata kanë një problem, sepse ata kanë ardhur në pushtet me lugë në brez të dy. Nuk e kanë filluar si puna ime, që 20 vjeç në Partinë Socialiste, në kohën më të vështirë të saj. E ke parasysh vitin ‘91-’92, kur Edi Rama gjuante me gurë dhe bënte si demokrat dhe si antikomunist i madh?

Me thënë të drejtën, ky Lulzim Basha merr dhurata të panumërta.

Edhe ai i ka marrë.

Të dy me lugë në brez, njëri erdhi ministër nga emigracioni, tjetrin e mori një muaj zëdhënës Doktori, e bëri ministër gjithë kohën. I dha edhe partinë.

Tani, për të qenë të vërtetë, ju keni qeverisur 8 vjet me Saliun, a keni përgjegjësi ju në këto 8 vjet qeverisje?

Po, ne kemi përgjegjësi për atë rol që kemi pasur në qeveri, por nuk e kemi pasur ne drejtimin e qeverisë. Drejtimin e qeverisë e ka pasur Sali Berisha, edhe politikën e taksave, edhe politikën e sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit, kundër korrupsionit, e kështu me radhë. Për këto e ka pasur edhe Edi Rama. Ne kemi qenë si garanci për stabilitetin, për funksionimin e qeverisë, për reformat e integrimit, e kështu me radhë.

  1. Rama nuk është nga ata trima që e lëshon fjalën kështu siç e lëshon…

Unë e di se sa trima janë ata. Dhe ata kanë dy probleme, që janë edhe delirantë, por kanë edhe kompleksin e inferioritetit në të njëjtën kohë, kjo i bashkon të dy.

Po punojnë aq mirë sa edhe stafet duket se i kanë bashkuar e po punojnë bashkërisht. Po më kujtohet kolegu ynë që ishte para pak ditësh, Edi Rama, më duket se Fuga ishte kryetari i fushatës elektorale…

Është i përbashkët ai…

Po Edi Rama është më mjeshtër për t’i bërë këto.

Po, normal, se është edhe piktor dhe ngjyrat i bën më mirë…

Po, se e shau republikën e re të Lul Bashës, tha se duket si reklamë birre…

Po mund t’i bëjë ndonjë dizajn tjetër, kështu që ta ndihmojë pak…

Duke e vizatuar Shqipërinë në këtë mënyrë, z. Meta, a ju ka shkuar ndonjëherë në mend gjatë kësaj kohe që mund të largoheshit nga kjo qeveri?

Ka pasur jo pak raste të tilla, por mendoj që kjo do të kishte qenë gjëja më e lehtë, por nuk është se do të kishte dhënë ndonjë zgjidhje. Ne kemi preferuar të mbajmë qëndrimet tona tepër korrekte.

Asnjëherë LSI-ja nuk ka shkelur marrëveshjen me PS-në. Është PS-ja, ose jo PS-ja, por kryetari i saj apo Rilindja në tërësi, e cila e ka shkelur këtë marrëveshje dhe ka shkelur edhe vetë angazhimet dhe premtimet e PS-së në vitin 2013. LSI-ja ka qenë tepër korrekte në gjithçka.

Ju keni thënë që do të jetoni dhe do të vdisni në Shqipëri, sepse nuk keni një Holandë, apo ndonjë ishull. Në fakt, duket se kjo është drejtpërdrejt për Lulzim Bashën. Mos jeni pak i vrazhdë me z. Basha?

Nuk jam i vrazhdë me askënd. Data 25 qershor do të jetë momenti më i mirë për të ndëshkuar këtë mungesë integriteti dhe përgjegjshmërie të politikanëve shqiptarë cilët do qofshin ata, qoftë edhe Ilir Meta.

  1. Meta, për ngjarjet e çadrës, përballë asaj kakofonie apo atij konfuzioni që u krijua përgjatë këtyre 3 muajve, a keni folur me z. Lulzim Basha?

Po e kam thënë te Fevziu. Së pari, kam pasur një komunikim të vazhdueshëm, jo të drejtpërdrejtë, por me …

Me ndërmjetës, siç ndodh në Shqipëri, por nuk ka rëndësi.

Ku një prej kryesorëve, kam kërkuar ndjesë që ia kam përmendur emrin, është z. Tritan Shehu, për arsye edhe të raporteve me ndërkombëtarët.

Madje kanë dalë zëra që Tritan Shehun ju e keni trokitur që të mbetet dhe deputet aty nga garda e vjetër.

Jo, jo nuk ka lidhje fare, nuk ndërhyj unë në listat e të tjerëve. Dikush ka ndërhyrë në listat e PD-së, por jo unë, të jesh i sigurt. Unë nuk ndërhyj dhe nuk më intereson fare.

Pse mendon se ka ndërhyrë Edi Rama, sepse aludimi aty është?

Nuk thashë gjë. Mund të keni ndërhyrë dhe ju.

  1. Astrit Patozi e bëri publike një herë, ku tha se z. Edi Rama i kishte thënë në parlament se ti mund të mos jesh më deputet. Pse të ketë mbërritur puna deri këtu?

Nuk dua të hyj në këto çështje, por pa dyshim që ato lista mbartin mjaft dyshime, por kjo është çështje e tyre. Qëndrimet kanë qenë shumë të qarta, kanë qenë shumë koherente dhe jam shumë i kënaqur që nuk i kam asnjë detyrim dhe asnjë borxh Lulzim Bashës, as i kam premtuar ndonjë gjë dhe as e kam gënjyer ndonjëherë.

Për interes të shikuesve, a mund të na bëni një përshkrim të shkurtër? Pra, çfarë ka mbetur nga Partia Socialiste? Ja, Gramoz Ruçi, për shembull, është i fortë aty…

Nuk dua të hyj në këto komente. Unë kam bërë një koalicion shumë të vështirë me Partinë Socialiste në vitin 2013. Megjithatë, jam i kënaqur për një gjë, që kam mjaft korrekt në këtë koalicion, pavarësisht nga rezervat e mëdha që kam pasur për Edi Ramën, për shkak të veprimeve tërësisht të pamoralshme në të kaluarën ndaj meje personalisht, por edhe ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim. Megjithatë, ne i dhamë një shans. Ishte e drejtë e tij ta shpërdoronte në këtë mënyrë. Nuk është koha tani të bëjmë eksperimente, por është koha për t’u dhënë një shans të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë që të mos largohen nga Shqipëria,

Çmendim keni ju për z. Sali Berisha?

Berisha i parë ka qenë një tmerr i vërtetë, sepse ne kemi jetuar atë periudhën kur ti i ishe më pranë Doktorit…

Unë nuk e kam parë, sepse kam qenë me atë…

Ti i shikoje anën e mirë në atë kohë, por më pas mund të them se, sidomos pas vitit 2009, kam vënë re disa cilësi shumë të mira të tij dhe në fund fare mendoj se është një politikan i cili u qëndron marrëveshjeve që bën dhe kjo nuk është e parëndësishme në politikë, sepse politika është besim…

Je i sigurt për këtë?

Për ato marrëveshje për të cilat bie dakord. Për ato për të cilat nuk bie dakord, ai bën politikën e tij dhe mban qëndrimet e tij. Kështu që, në këtë drejtim, ka një qëndrueshmëri që nuk e kanë politikanët e tjerë në Shqipëri. Pastaj ka ato qëndrimet e tij emocionale, të cilat shpesh sjellin qëndrime, që në një situatë më të përmbajtur nuk do t’i mbante kurrë dhe do t’i rishikonte.

Thonë se Berisha e dominon edhe sot PD-në?

Boshllëku që la doktori nuk mund të zëvendësohet me boshllëkun që solli Luli.

Mua më ka ndodhur një herë, a të kujtohet që iku një delegacion në Serbi me Skënder Gjinushin, Neritan Cekën, aty ishte edhe Spartak Ngjela, më mori doktori dhe më tha: Ylli, Spartak Ngjela nuk është, është Frrok Çupi, hiqe Spartakun. Mori vendim. Në fakt kishte qenë ky, por ai të hipnotizon.

Kishte qenë Spartaku?

Po, por ky nuk e donte Spartakun.

Kur filloi procesi i reformës në drejtësi, shumë njerëz, të Edi Ramës kryesisht, z. Meta, e konsideruan këtë si një reformë kundër jush dhe kundër Sali Berishës, janë njerëz të zhgënjyer sot, sepse e shohin si një gjë krejt ndryshe.

Edi Rama asnjëherë s’ka pasur në mendje për të bërë një reformë të vërtetë në drejtësi, siç nuk pati për të bërë edhe diçka të vërtetë në arsim. I gjithë debati që ka ndodhur, ka qenë, sepse ai donte një reformë në drejtësi për kapjen e drejtësisë dhe pa opozitën. Ilir Meta ka qenë një faktor i padiskutueshëm i çuarjes para të reformës në drejtësi dhe i shpëtimit të reformës në drejtësi.

Në fakt, në medie kanë qarkulluar edhe sondazhe, të cilat e nxjerrin LSI-në forcë të tretë.

LSI-ja ka qenë forcë e tretë që ditën e parë që ka lindur.

  1. Meta, ekzistojnë dyshime që tani se ju kur të largoheni nga Lëvizja Socialiste për Integrim drejt Presidentit, ju jeni President i zgjedhur, LSI-ja do të dobësohet.

Absolutisht, përkundrazi, LSI-ja do të forcohet, sepse është një parti e mirorganizuar kudo, ka një frymë solidariteti ekipi të jashtëzakonshëm dhe, absolutisht, vetëm do të rritet. LSI-ja është forca e vetme në Shqipëri që do të ketë rritje të pandalshme në njëzet vjetët që vijnë.

A do të ishit i gatshëm të bënit koalicion me cilëndo parti vetëm që Edi Rama të mos jetë më Kryeministër i Shqipërisë?

Unë nuk kam pasur asnjëherë dhe nuk kam një qasje personale në vendimet politike, pavarësisht nga vlerësimet për gjithsecilin. Mendoj që z. Rama si Kryeministër është një kapitull i mbyllur, për arsye se në vend që të reflektonte dhe të përmirësohej në drejtim të qeverisjes, të bëhej më i hapur, më bashkëpunues dhe tolerant, gjithnjë e më shumë ka rritur dozat e arrogancës dhe ka humbur kontrollin ndaj vetes. Mendoj se përfaqëson një rrezik me filozofinë e tij për kapjen e gjitha pushteteve dhe mosmbajtjes së përgjegjësisë për asgjë.

Pra, ju jeni i bindur që z. Rama nuk do të jetë Kryeministri i Shqipërisë pas datës 25 qershor?

Unë këtë e shikoj kudo në Shqipëri dhe nuk kam asnjë arsye të mendoj ndryshe. Pra, është historia e timonit, e cila besoj u mbyll, por secili mund të jetë pasagjer në një autobus.

Share: