Home KRYESORE Një Alternativë Përball Asgjësë

Një Alternativë Përball Asgjësë

Nga Mateo Spaho*

Tashmë kanë ngelur më pakë se dy javë nga data 25 Qershor, ditë kur Shqiptarët nuk do të duhet thjeshtë të votojnë por mbi të gjitha të zgjedhin. Në çdo vend “normal” Partitë politike garojnë për të fituar votën e qytetarëve me anë të programeve dhe platformave qeverisëse për tu dhënë përgjigje problemeve që kërcënojnë shoqërinë dhe individët. Sot në Shqipëri Partitë nuk po shpalosin alternativa përveç një rasti, ai i Partisë Demokratike.
Kryeministri aktual shfaqet dy deri në tre herë në ditë në televizor, ashtu si e bënte edhe para fushatës duke thënë po të njëjtat gjëra, si opozita nuk e do vetingun dhe reformën në drejtësi, ndonëse e miratoi atë, se eshtë lënë një borxh i madh, se vendi ishte shumë keq, se shumë është bërë dhe shumë ngelet për tu bërë, e më shumë do bëhet.

Ashtu si para fushatës edhe tani Rama harron të japi llogari se çfarë është bërë në këto katër vite me ato 300 mijë vendet e punës, se çfarë është bërë me çmimin e energjisë të rritur me 23% për pjesën më të varfër të Shqiptarëve, se karburanti kushton 240 lekë të vjetra për çdo litër nga taksat e shtuara, se mallrat e shportës si buka, qumshti, mishi etj vijojnë të kenë një TVSH 20% ndryshe nga 6% siç e kishte premtuar, për shëndetësinë falas që u transformua në konçensione të shtrenjta për shpurrën e tij. Sot Rama del duke thënë se do të krijojë 220 mijë vende të reja pune, ka kuptuar që edhe gënjeshtrat duhet të bëhen më të besueshme, pa sqaruar si do ti krijojë këto vende pune dhe çfarë do të bëjë për biznesin që të punësojë Shqiptarët.

Vërtitet duke thënë se po bën Shtet me një polici të fortë ndërkohë që Policia Shqiptare fatkeqësisht ka marrë medalien e arit për nivelin e bashkëpunimit me bandat e drogës nga të gjitha shërbimet ndërkombëtare të sigurisë. Vishet si një adoleshent për të treguar se është modern, i thjeshtë dhe afërt me popullin ndërkohë që populli në raste mitingjesh kërkon të vishet mirë, jo me atlete por me kepucët e mira, jo me bluza por me këmisha pasi i jep rëndësi ngjarjeve publike, ndryshe nga Kryeministri që vishet si për të shkuar te tregu i fruta-perimeve të lagjes.

Çfarë propozon konkretisht Rama për këto zgjedhje? Asgjë, thjesht votoni mua se di të bëj batuta dhe se fajin për gjëndjen e vendit natyrisht e ka Opozita.

Një forcë tjetër politike si LSI-ja që qeveris prej 8 vitesh, deri më tani nuk ka sqaruar nëse është për taksë të sheshtë apo taksë progresive, nëse do shëndetësi publike apo private, thotë që nuk i pëlqen ligji mbi arsimin e lartë dhe e voton atë me rastin e parë, gjoja mbron biznesin dhe nuk merr asnjë vendim në favorin e tij, menaxhonte Ministrite e Bujqesise, Mjedisit dhe Transportit, nderkohë që masakrat në pyje kanë vijuar, ska parë me sy fermeri subvencione për produktet bujqesore dhe infrastruktura rrugore ështe atje ku e la Partia Demokratike në vitin 2013 pavarësisht miliarda lekësh të tenderuara gjatë viteve të fundit. Asnjë platform për qeverisjen e vendit nuk është shpalosur por premtohet se për të rinjtë do të krijohen 100 mijë vende pune, natyrisht mënyra se si kjo do të ndodhi i lihet imagjinatës së gjithësecilit.

Partitë e tjera të vogla nuk kanë as burimet njerëzore, as dëshirën e aq më pak vullnetin për të patur një ide të Shqipërisë që duan. Ato thjesht me sinqeritet pranojnë që duan një pjesë të tortës së pushtetit për të “privatizuar” për katër vite institucionet e vendit.

E vetmja alternativë e qartë për qeverisjen e vendit në sens Perëndimor dhe Europian është ajo e Partisë Demokratike. Ekspertët e ekonomisë të PD-së në bashkëpunim me ekspertët e Partisë Kristiano Demokrate të Gjermanisë të Kancelares Merkel, kanë hartuar një program të qartë ekonomik për vendin i cili është ambicioz por i realizueshëm. Vijat e përgjithshme të këtij programi janë përmëndura nga Kryetari Basha gjatë ekspozimeve të tij publike.

Tatimi mbi fitimin e ndërmarrjeve do të ulet nga 15% në 9%, duke çliruar fonde që bizneset do të përdorin për rritjen e punësimit dhe të modernizimit të tyre teknologjik. Tatimi mbi të ardhurat personale që sot arrin deri në 23% dhe godet në mënyrë të pandershme profesionistët siç janë pedagogët, avokatët, gazetarë, mjekët, ekonomistët, inxhinierët etj do të ulet në nivelin 9% duke u lejuar atyre një rritje të shpenzimeve për të konsumuar dhe investuar në Shqipëri.

Çdo vit rreth 10 mijë studentë që dalin nga auditorët e Universiteteve do të kenë mundësinë për të bërë stazhin e tyre në bizneset e vendit pa qënë kosto për bizneset pasi do të paguhen me 22 mijë lekë në muaj nga Buxheti i Shtetit. Pritet që rreth 8 mijë nga ata çdo vitë të punësohen vetëm nga ky program. Çdo pensionist do të ketë një pension dinjitoz prej së paku 25 mijë lekë në muaj që do t’i lejojë të marri shpagimin e merituar nga dhjetëra vite punë e kontribute për vendin tonë.

Çiftet e reja do te mbështeten nga programe kreditimi të favorshme që të vijojnë jetën e tyre në Shqipëri dhe fëmijët e tyre do te kenë drekën falas ne institucionët shkollore. Bujqësia Shqiptare do të mbrohet nga konkurenca e pandershme të produkteve të vendeve fqinje dhe çdo fermer do te financohet mbi bazën e produktit të tij për një vlere vjetore që arrin shifrën prej 100 milion euro. Partia Demokratike nuk premton Shendetësi falas por ne katër vite premton të arrihet e njejta cilësi me vendet e Rajonit si Maqedonia dhe Serbia.

Si do të gjehen lekët për këto premtime?

Vetëm Rilindja urbane e Ramës ka kushtuar 400 milion euro beton dhe bojra per sheshet e qyteteve të shendruara shpesherë në pershesh siç është rasti i sheshit Skenderbej. Më shumë se 500 milion euro i kanë kushtuar Shtetit koncensionet në Shendetësi dhe dhjetëra miliona euro janë çdo vit shpenzimet për zyra, karrige, mobilje, banjo, makina…

Nëse ka në këtë vend, ekonomista, financierë, politikanë e gazetarë që besojnë se ky program ka probleme ose është i pabesueshëm dhe se janë më të mirë se ekspertët e Partisë Demokratike dhe Kristiano-Demoratët gjerman lë të hapin një debat publik mbi Alternativën e Partisë Demokratike, e cila ngelet alternativë e vetme për Shqipërinë. Së paku, do të flisnim për të ardhmen e vendit e jo për batuta boshe.

Prof. Asoc. Dr. Mateo Spaho
Koordinator i Partisë Demokratike

Share: