Home KRYESORE Kush e porositi vrasjen e Artan Cukut?

Kush e porositi vrasjen e Artan Cukut?

Bujar dhe Florin Daka, dy vëllezërit e Agim Dakës që mbeti i vrarë në zyrën e ish –oficerit të policisë, Artan Cuku, kanë mohuar njohjen me Mikel Shallarin.

“Nuk kemi asnjë lidhje. Nuk e kam njohur kurrë edhe pse kam qenë në burg në Zvicër”, thotë Bujar Daka (në doto sipër)

Në burg në Zvicër ka qenë edhe 24 –vjeçari nga Kuçova që u arrestua nga policia si ekzekutor i Cukut.

Por Bujar Daka mohon që vrasja të jetë porositur prej tij apo që të Shallari të këtë vepruar i nxitur prej tij në çdo formë.

“Ne nuk kemi për të ngrënë e jo më të paguajmë vrasës. Jemi të lirë. I lirë është edhe vëllai im, Florini”, thotë ai teksa po merrej me punë në shtëpinë e tij, në Shkodër.

Babai i tij, Prelë Daka, shprehet se familja e tij e kishte mbyllur historinë me Cukun.

Policia deklaroi një ditë më parë se dy persona janë shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë të Mikel Shallarit. Drejtori i Përgjithshëm Haki Çako dhe prokurori i çështjes Enrik Ligori lanë të kuptojnë se ata mund të jenë porositësit.

Lapsi.al mëson se dy të shpallurit në kërkim janë jashtë Shqipërisë.

Burime të prokurorisë thanë se po hetohet mbi dy konflikte që ka pasur Artan Cuku; njëri në Berat kur mbante detyrën e nëndrejtorit të policisë dhe një në Fier gjatë të njëjtës kohë.

Mikel Shallari i ka furnizuar prokurorët me të dhëna të shumta, por dëshmia e tij ka disa kundërthënie mbi porositësin dhe motivin e vrasjes. /Lapsi.al

Share: