Faleminderit për mundësinë që më jepni për të marrë pjesë në kuvend, gjithashtu të dalë këtu përpara jush. Së pari përgëzoj editorin e “Diellit”, për dekoratën “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani. Dëshëroja të tregoja me pak fjalë si u bëra vatrane.
Prej vitesh kisha në mendje të hapja një klasë për mësimin e gjuhës shqipe. Nuk kam qenë asnjëherë mësuese, por kjo ide gjithmonë më vinte në mendje dhe u përkrah menjëherë nga nëna ime, por për disa vite mbeti ëndërr sepse aty ku jetoja nuk kishte shqiptarë.
Pas disa vitesh lëvizëm familjarisht në Clearwater. Nëna ime gjithmonë më inkurajonte që të angazhohesha në komunitet duke shpresuar që të jepja mësim në gjuhën shqipe dhe të kontriboja në komunitet.
E nisa duke kontribuar në një organizatë shqiptare që kishte dy vjet që ishte krijuar, por ishte më shumë për qëllime kulturore. Në përpjekje për të mbledhur fonde për një rast bamirësie jam njohur me Z. Isuf Spahiaj që është këtu prezent me ne.
Sinqerisht pas shumë viteve në emigracion po filloja të takoja shqiptarë që ishin të gatshëm për të ndihmuar me shpirt dhe pa kushtëzime. I pari person që më foli për “Vatrën” para 3 vjetësh ka qenë Z. Isuf. Diçka që i mbetem gjithmonë mirënjohës.
Që nga ai moment unë fillova të lexoja për “Vatrën” me çfarë munda të gjeja në internet. Sa më shumë lexoja për “Vatrën”, aq më shumë i afrohesha të vërtetës dhe mësoja një histori ndryshe nga ç’kisha mësuar në shkollë, por njëkohësisht isha shumë e irrituar që gjithë jetën time mësova një histori të sajuar plot me gënjeshtra- ky ishte një zhgënjim shumë i madh – më keq sesa zhgënjimi i fëmijve që mësojnë që Santa Klaus nuk egziston.
Për një kohë shumë të gjatë kam qenë e inatosur, por nuk e dija pse, nuk e kisha kuptuar që duke urryer komunizmin pa kuptuar po urreja vendin tim. Kur mësova për “Vatrën” m’u ngroh zemra, doja me të vërtetë të besoja në Shqipëri dhe te shqiptarët.
Në gjithë këto vite emigracioni të rrallë kanë qenë shqiptarë që më kanë dashur pa kushtëzime. Sa më shumë që mohoja origjinën nga dhimbja që kishte shkaktuar komunizmi, aq më shumë humbja vetveten sidomos në këtë dhe të huaj, larg familjes dhe vendlindjes.
Me “Vatrën” unë gjeta arsyen për të qenë prapë krenare me qenë shqiptar. “Vatra” më solli prapë në atdhe, në origjinën dhe familjen time ku mësova akoma më shumë për vuajtjet dhe persekutimi bërë ndaj gjyshërve të mi.
“Vatra” më zgjoi edhe njëherë dashurinë për Shqipërinë. Të duash Shqipërinë do të thotë të duash vetveten, të duash rrënjët shqiptare. Ndërkohë që mendoj sesi erdha deri këtu, besoj që ka shumë shqiptarë si unë. Ata kanë nevojë të vijnë në “Vatër” të gjejnë vetveten. Por diçka u pengon. Diçka shumë shkatërruese. Ne akoma jemi të përndjekur nga komunizmi sepse mentaliteti komunist akoma po na ndjek edhe në tokë të huaj.
Kur flas për “Vatrën” flas me pasion, sepse “Vatra” më shëroi shpirtin. Disa nuk kuptojnë dhe nuk janë të informuar ose kanë humbur plotësisht kontakt me vetveten sepse për nevoja ekonomike janë kthyer në grekë ose italianë. Shpeshherë ato e krahasojnë “Vatrën” me ndonjë institut shtetëtor të një qeverie shqiptare të viteve të komunizmit, të vetmin sistem që njohin gjithë jetës së tyre, ku populli priste gjithmonë nga shteti komunist.
Ky koncept ka qenë një fenomen normal për më shumë se 50 vjet dhe fatkeqësisht vazhdon edhe ditët e sotme. Prandaj mendoj që ky është faktori kryesor që po na pengon të ecim përpara. Sepse shqiptarët akoma mendojnë të përfitojnë ose të marrin diçka nga “Vatra”. Shumë persona bëhen anëtarë duke shpresuar të marrin diçka dhe kur nuk arrijnë, zhgënjehen. Kur u flasim shqiptarëve për “Vatrën” i ftojmë duke i pyetur: “A do të antarësohesh me Vatrën”? Me këtë pyetje automatikisht sipas mentalitetit tonë lind pyetja tjetër: Po të paguaj 100 USD çfarë ka për mua? Unë mendoj që kur flasim me patriotë që shprehin dëshirën për t’u bërë vatranë- pyetja jonë duhet të ndryshojë në “A je gati të japësh, të kontribosh për çështjen kombëtare”? Nga përgjigja është shumë e thjeshtë të kuptosh kush duhet të bëhet anëtar. Ky është një element shumë kyç dhe mbetet kritik jo vetëm këtu, por më shumë në Shqipëri, ku korrupsioni vazhdon të thellohet. Fatmirësisht brezat e rinj janë të prekur shumë pak nga ky mentalitet. Prandaj sytë tanë duhet të kthehen tek rinia si në Diasporë ashtu edhe në Shqipëri. Vetëm me këtë parim mund afrojmë njerëzit e duhur për të garantuar jetëgjatësinë e “Vatrës” dhe misionin e saj.
Fjala e John Kennedy më ka mbetur në mendje dhe besoj që qëndron aktuale dhe për vatranët dhe bashkëatdhetarët: “Mos pyet çfarë të bëjë atdheu për ty, por çfarë mund të bësh ti për atdheun”! Kjo duhet të jetë dhe motoja jonë. Ne të gjithë i kemi borxh kombit. Ka ardhur koha t’i bëjmë pyetje vetes ” Çfarë mund të bëjmë ne shqiptarët e Amerikës për kombin”?
*Fjala e mbajtur ne Kuvendin e Vatres, 10 Qershor 2017!! Manhattan College- Bronx NY