Për herë të parë që prej krijimit të tij, televizioni publik britanik BBC ka publikuar pagat e punonjësve të vet.
Ajo që vihet re në shifrat e publikuara është diferenca e madhe në paga mes drejtuesve meshkuj dhe drejtueseve femra të këtij institucioni të rëndësishëm.
Korporata prej 95 vitesh në treg paguan më shumë prezantuesin e radios dhe të televizionit Chris Evans me 2.25 milionë paundë, teksa femra më e paguar është Claudia Winkleman me më pak se 0.5 milionë paundë që drejton disa spektakle.
Drejtori i përgjithshëm i BBC, Tony Hall, duke justifikuar këtë hendek, tha se objektiv i korporatës është që të arrihet barazi në ekran dhe në radio deri në 2020-n.
“Ne duhet të punësojmë prezantuesit më të mirë, korrespondentët më të mirë, yjet më të mirë… jemi në një treg shumë konkurrues”,- u shpreh Tony Hall.
Kujtojmë se BBC financohet përmes pagesave të shikuesve që paguajnë secili rreth 191 dollarë në vit për ta mbajtur në treg në shërbim të interesave të qytetarit. /360grade.al/