Home KRYESORE “E zbardhëm por pa emra”, gazetari kritika të forta policisë…

“E zbardhëm por pa emra”, gazetari kritika të forta policisë…

Gazetari Julian Kasapi kritikon sot Policinë e Tiranës, lidhur me deklaratat dhe njoftimet që japin për gazetarët. Gjithçka ka të bëjë me ngjarjen e frikshme që ndodhi mbrëmë në Tiranë, ku një djalë u plagos me 4 plumba në një zonë të banuar, ku kishte edhe fëmijë.

”Si gazetar kronike por edhe si qytetar me duhet të shkruaj dy rreshta për marrëdhëniet me publikun në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Nuk dua të sulmoj askënd për integritetin e tij profesional por nuk arrij ta kuptoj dhe konceptoj se si zbardhet një ngjarje dhe emri i kriminelit nuk del. Si mundet që një kriminel të mos identifikohet. Çfarë u duhet t’u thotë një gazetar kronike shikuesve apo lexuesve? Që zbardhet vrasja apo plagosja dhe u arrestua një ”X”. Këtu shumëkush mund të thotë që e cakton gjykata nëse ai është apo nuk është kriminel, autor , atentator etj por ndryshon rrënjësisht. Ka me mijëra shembuj në literaturën e marrëdhënieve me publikun madje dhe vendime të gjykatave.”, shpreh shqetësimin Kasapi.

Gazetari sjell edhe një rast nga ngjarjet në botë, por gjithsesi duhet thënë se në raste të caktuara, policia i ka nxjerrë emrat e plotë të autorëve të dyshuar, po kështu ka patur raste kur u ka nxjerrë vetëm inicialet.

”Në vitin 2016 pas një hetimi disavjeçar prokuroria e shërbimit mbretëror në Angli njoftoi se këngëtari sir Cliff Richards nuk do të përballej me akuzat për abuzime seksuale, të cilat prej vitesh adresoheshin ndaj tij. Vendimi i gjykatës mbretërore përcaktoi qartë se ai madje dhe persona të tjerë, të cilët akuzohen në këtë formë nuk duhet t’u përmendet emri në shtyp përveçse në raste të jashtëzakonshme. Në këtë rast gjykata mbretërore arriti që nëpërmjet këtij vendimi të ndajë çështjet e veçanta si abuzimi seksual duke menduar më shumë se sa për të dyshuarin, për viktimat e abuzimit dhe ndjeshmërinë e tyre ndaj lajmeve të tilla. Anonimati i përjetshëm jepet me ligj por ka një pikëpyetje të cilën marrëdhëniet me publikun në Policinë e Tiranës nuk po e ndajnë ose nuk dine ta ndajnë.”, sqaron më tej gazetari i kronikës së zezë.

”Ky është një subjekt emocional, i cili kërkon një balancim të interesave të viktimës, autorit dhe medias, e cila ka për detyrë të transmetojë çështje të interesit publik. Anonimiteti i të dyshuarve është debatuar mjaft dhe gjyqtari i Mbretërisë së Bashkuar Sir Brian Henry Leveson edhe pse nuk shquhet për përkrahje të mediave tha: “Duhet bërë mjaftueshmërisht e qartë se mbrojtja e identitetit të të dyshuarve në rrethana të caktuara (psh kur mund të ketë një rrezik të menjëhershëm për publikun) emrat ose detajet identifikuese të atyre që janë arrestuar ose dyshuar për një krim nuk duhet t’u serviren as publikut as medias”, vazhdon të shkruajë Kasapi.

Gazetari e thotë qartë se kur policia del me deklarata se ngjarja u zbardh dhe autori i dyshuar u arrestua, minimalisht duhet të publikojnë emrin dhe mbiemrin.

”Nuk pretendoj që marrëdheniet me publikun në Policinë e Tiranës të arrijnë të bëjnë këtë ndarjen se kur publikut i rrezikohet jeta menjëherë pas publikimit të emrit të një të dyshuari, por kur të dalin me deklarata për zbardhje ngjarjesh dhe arrestim autori që qëllon 8 herë në mes të Tiranës dhe një pjesë të publikut iu rrezikua jeta para se të dilte identiteti i tij, t’i publikojne emrin padyshim dhe mbiemrin.”, përfundon Kasapi.

Mbrëmjen e djeshme shumë pranë gjimnazit “Partizani”, në rrugën “4 dëshmorët” në Tiranë u qëllua me armë zjarri ndaj 28-vjeçarit me identitetin Edison Delia, por që u zbulua se quhej Mishel Manoku

Share: