Gjithë java pas zgjedhjeve politike të 25 qershorit u karakterizua me diskutime e debate, në qendër të të cilëve ishte disfata spektakolare e PD-së, më e rënda në historinë betejave elektorale të kësaj partie, perjashto zgjedhjet e vitit 1997. Sigurisht fokusimin në analizat e komentet, lidhur me shkaqet e arsyet që çuan partinë kryesore të opozitës në një disfatë të përmasve të tilla e nxitën dhe zhvillimet që pasuan në gjirin e PD-së, ku një pjesë e emrave të njohur të saj, duke vënë gishtin tek kreu i partisë, Lulzim Basha si shkaktar kryesor për katastrofën e pësuar, kërkuan largimin e këtij nga kreu i partisë, kërkesë që disa nuk munguan ta shoqërojnë dhe më nje farë brutaliteti duke përmendur “nxjerrje me shqelma”, “mbyllje e derës së zyrës, deri dhe “moslejim të shkelë me mjediset e PD-së.
Ndërkaq, vetë Basha, ishte mjaftuar vetëm me një “ngrirje” të të gjithë funksioneve të tij si kryetar dhe, kjo, gjithnjë sipas tij, për t’i shërbyer zhvillimit të një gare në kushte të barabarta, ku ai të mos ketë asnjë privilegj krahasuar me konkurentët e tjerë në garën për rizgjedhjen e kryetarit të ri që parashikohet të zhvillohet diku nga fundi i muajit. Pa dyshim që disfata e pësuar nga Basha është e rëndë dhe ky normalisht duhej të kishte dhënë dorëheqjen duke respektuar standartin e vendosur nga doktor Berisha katër vjet më parë pas “1 milion shuplakave” të 2013-ës. Megjithatë, cilido tjetër të kishte qenë në vend të Lulzim Bashës, do të kishte pasur një rezultat pak a shumë të njejtë.
E them këtë pasi që nga ngjarjet e vitit 1997 kur PD u shkërmoq, ishte Berisha që e rimëkëmbi dhe që nga ajo kohë ka qene “padre padrone” i saj. Në këtë mënyrë, duke filluar nga zgjedhjet e vitit 1997, një pjesë e konsiderueshme e votave që shkonin në kutinë e PD-së në zgjedhje të ndryshme, më shumë se për PD-në ishin vota për Berishën. Prandaj dhe sot kur diskutohet për 200 mijë votat e munguara të PD-së në zgjedhjet e fundit, këto, ma do mendja janë votat e destinuara për Berishën.
Për më tepër pio të kihet parasysh që karriera politike e të caktuarve në poste të rëndësishme në forumet e PD-së, ka qenë produkt i servilizmit ndaj liderit suprem të partisë, miratimit pa asnjë rezerve të gjithçkaje që propozonte ai, duke mos qenë të aftë të hidhnin ndonjë ide a mendim për probleme dhe më të thjeshtët për t’i lehtësuar Berishës sadopak barrën e gjetjes së zgidhjeve përballë situatave që impononte realiteti i politikës shqiptare. Për këtë mjafton të ndiqje seancat e parlamentit, ku rolin kryesor e luante Berisha, i cili ishte i vetmi që ngjallte interes tek shikuesit dhe që shqetësonte seriozisht qeveritarët dhe mbështetësit e tyre.
Sa për të tjerët, të cilët sot akuzojnë Bashën, ata dinin vetëm të lexonin hartimet e përgatitura në shtëpi, të merreshin me Taulantin apo Braçen, ndërsa prisnin çfarë do të nxirrte nga goja Berisha, në garë për t’u vënë në rolin e koristit apo amplifikatorit. Konkretisht, më efektive kanë pasur postimet e doktor Berishës në Facebook se deklaratat e dala nga selia qëndrore e partisë kryesore të opozitës ndërkohë që personazhet e larmishëm dixhitalë që informonin doktorin për skandalet e bëmat e ndryshme të qeveritarëve, vlenin shumë më tepër se aktiviteti i gjithë grupit parlamentar të PD-së.
Eshtë jashtë çdo diskutimi që kreu aktual i PD-së ka zbatuar një mënyrë drejtimi të gabuar jo në përputhje me situatën e krijuar në parti pas dorëheqjes së Berishës, si dhe duke marrë vendime jo adekuate në disa momente gjatë këtij katërvjeçari të drejtimit të tij, por ama, kjo është edhe edhe pasojë e eunukizmit politik të treguar në vite nga pjesa më e madhe e lidershipit të vjetër të PD-së që gjithcka i a kishin lënë në dorë Berishës. Secili nga ata që kanë pasur poste në PD, kanë qenë ministra e deputetë, ndërsa fajësojnë Bashën nuk duhet të harrojnë mëkatet e tyre, si pasojë e të cilëve PD do të hante turinjve “1 milion shuplakat” e famshme katër vjet më parë.
Ndoshta një nga fajet kryesorë të Bashës ka qenë dhe analiza e munguar në bazën e PD-së e humbjes së 2013-ës, analizë e cila do u kishte treguar vendin atyre që duan të çojnë sot Bashën në gijotinë, pa pritur shpalljen e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 2017-ës, që këta “të varnin turinjtë” për të pritur humbjen në zgjedhje që të zbulonin paaftësinë e kreut aktual të partisë.
Megjithatë, ajo që është bërë nuk mund të zhbëhet më; kryesorja tani për PD-në, është e ardhmja. Krahas debateve për largimin e Bashës nga kreu i partisë flitet gjithnjë e më shumë dhe për një figurë e cila do të ishte në gjendje të ringrinte edhe një herë këtë parti për ta bërë një alternativë të beueshme. Por, për fat të keq mënyra si po procedohet për zgjedhjen e kryetarit të ri të krijon një ndjenjë pesimizmi. Së pari, zgjedhja e kryetarit të ri po mbetet monopol i 50 a 100 individëv të kryesisë apo Këshillit Kombëtar të PD-së, në vend që të dëgjohej zëri i bazës.
Që këtu, ai parimi i famshëm “një antar, një votë” është i komprometuar pasi i bie që antarësia e partisë të kufizohet vetëm tek ajo pjesë që përbën forumet drejtuese, pa përfillur fare mendimin e antarëve të thjeshtë në bazë duke i privuar nga një e drejtë elementare. Duke spostuar të drejtën për të zgjedhur kreun e partisë në strukturat në bazë do të mundësohej dhe zhvillimi i një analize për humbjen e zgjedhjeve, në kohën që baza e partisë do të bënte vlerësimet e saj për secilin prej kandidatëve për kryetar.
Mirëpo koha deri në fund të korrikut kur krerët aktualë të PD-së kanë caktuar ditën e zgjedhjes së kryetarit të ri është e pamjaftueshme për ta spostuar zgjedhjen e tij në bazë. Shpërfillja e bazës së partisë në një mënyrë të tillë banale të bën të mendosh se strukturat në bazë të PD-së janë formale për të mos thënë inekzistente, kur dhe askush nga baza nuk merr mundimin t’I kërkojë llogari “qendrës” për një injorim të tillë.
Ndoshta mund të jem i gabuar, por ne rezultatet negative të PD-së në garat e fundit elektorale, perfshi dhe ato lokale apo të pjesëshme, janë dhe pasojë e shndërrimit të bazës në një instrument të destinuar të zbatoje verberisht urdhrat e ardhura nga qendra. Krejt i pakuptimtë dhe jo logjik më duket dhe vendimi për të kufizuar numrin e kandidatëve vetëm në dy; Lulzim Basha dhe Eduard Selami. T’i mohosh të drejtën për t’u zgjedhur cilitdo, figurë me peshë apo antar i thjeshtë edhte një shkelje tjetër e normave të demokracisë në një formacion politik.
Forma të tilla si dhe zgjedhja e kryetarit të një partie vetëm nga forumet kryesore, (si byroja politike që zgjidhte sekretarin e parë) të krijon përshtypjen se do të kemi të bëjmë më shumë me një “puç pallati” se me një proces të vërtetë demokratik. Në rrethana të tilla, “dueli” Basha-Selami nuk ka si të mos kujtojë “gara” të tilla si ajo “Rama-Lakrori, Berisha-Butka, Alia-Dokle… Zot ruajna pastaj sikur sfidanti Selami të shpërblehet me ndonjë detyrë në administratë në kuadër të zbatimit të bashkëpunimit të përfolur pozitë-opozitë.