Nga Ilir Demalia
E dielë 18 dhejtor 1990
Ti ishe i pari që më fole mua me fjalë të dyshimta për këtë pushtet. Ti kishe një veti, një lloj guximi që i mungonte të tjerëve. Hyje në botën intime të tjetrit pa ndroje dhe shpejt. Kishe guxim të hapje ca dyer që njeriu nuk i mban të mbyllura me kyç, por gjithsesi, nuk të fton t’i hapësh dhe të shohësh se çka brenda. Ti kishe kurajon t’i shtyje e të hyje brenda
Kishe qenë në gjygjin e një studenti të mjekësisë i cili duke biseduar me shokët e tij ishte shprehur për “dobësinë e shkollës sonë”, për ” bukën e misrit që nuk është për njerëzit, por për derrat” e ku di unë. Erdhe me tregove gjyqin dhe më the se për kaq fjalë prokurori kishte kërkuar 8 vjet. Unë nuhata se ti ishe me viktimën. Edhe unë ndjeva keqardhje për të, edhe kuriozitet, por njëkohësisht por njëkohësisht mu krijua njëfarë pështjellimi se pse ai ishte kundërshtar i atij pushteti për të cilin kishte luftuar im atë. Shkojmë ta shohim pasdreke -më the ti- kur te jepet vendimi.
Shkuam në gjyq pasdreke. Më kujtohet e dashura e atij studentit, që erdhi e pa një çast të gjatë nga dritarja me një vështrim tepër ngulmonjës dhe pastaj iku pa hyrë në sallë. Ndihej se ai ishte fundi dashurisë së tyre. Studenti u dënua tre vjet.
Ai gjyq ishte ngjarja që vendosi një lidhje të re, shumë më të fortë midis nesh: lidhjen e armiqësisë ndaj këtij pushteti që na çoi të dyve në burg njëri pas tjetrit.
Marrë nga libri Fatos Lubonjës ” Në vitin e shtatëmbëdhjetë” ditari burgut.
Poezi të Jamarbër Markos (Madus) nga libri “Rastësisht me dashje.
1
Në gjyq
Ju lutem xhelatë
Më buzëqeshni.
Nuk jam fotograf
Jam thjesht
Vrasësi juaj.
2
* * *
Jau kam falur
Ditën kur më dënuat me vdekje.
Jau u kam falur
Orën kur vuajta çmendurinë.
Jau kam falur
Minutën kur dashurova gënjeshtrën.
Do të hakmerrem për sekondën kur më bëtë Zot.
Piktura nga “Koleksioni i Gulagut” me piktor Nikolai Getman