Home KRYESORE Pallati hijerëndë i fëmijërisë sime!

Pallati hijerëndë i fëmijërisë sime!

Nga Albert Nikolla

Ky pallat ka qenë epiqendra e fëmijërisë sime. Shtëpia ime shtrihej 50 metra larg në anën e tij të pasme. Ky pallat ishte e vërteta dhe gënjeshtra ime përballë rreptësisë së pyetjes së nënës: ku po shkon? “Te pallati”, – ishte përgjigjja. Edhe kur shkoja përnjëmend te pallati, edhe kur shkoja diku gjetiu, “pallati” ishte përherë shpëtimtari im!

Dikur kishte qenë Kishë e bukur, por unë kam lindur pas prishjes së saj. Mbi ato themele u ngrit ky pallat hijerëndë, që u quajt “Pallati i kulturës”.

Mbamendja ime jashtë shtëpisë zë fill me këtë strumbullar: me pallatin e kulturës! Më kujtohet kur isha diku 4 apo 5 vjeç dhe vëllai i madh më mori për herë të parë në jetën time në kinema. Kinemaja ishte në pjesën e brendshme qendrore të pallatit. Ishte filmi “Preludi i lavdisë”! Kur filloi shfaqja e filmit, isha paksa i trazuar dhe pyeta vëllanë se si ishte e mundur që ata njerëz lëviznin në pëlhurën e bardhë si fantazma? Ai më shpjegoi se në të vërtetë njerëzit ishin në shiritin e zi që rrotullohej me një zhurmë aq të këndshme në aparatin e vjetër kinez, si ujë në një përrua, dhe që drita i nxirrte prej aty dhe i bënte të lëviznin në pëlhurë!
Që prej asaj dite filmat u bënë tundimi im i papërballueshëm.

Pesëlekëshin e biletës herë ma jepte nëna, herë im atë! Kur diçka e tillë më mohohej që të mos shkoja “në film”, atëherë fantazia dhe aventura ime nuk njihnin kufij për të kënaqur tundimin: hyja pa biletë në mënyrat më të paimagjinueshme. Nëse e vëreni foton, lart në katin e tretë janë disa valëzime të bukura në formë “V”. Pasi hipja atje, zbrisja si mace poshtë ku ishin tjegullat.

Aty, bashkë me miqtë e mi të fëmijërisë, Artanin e Sandrin, hiqnim tre tjegulla dhe nëpërmjet litarit, zbritnim nga një lartësi prej së paku 20 metrash. Kjo ndodhte 5 minuta pasi filmi kishte filluar për të mos u pikasur nga Bacani, përgjegjësi i filmit! Ndonjëherë filmat i shihja edhe për së prapthi. Nga frika se mund të pikasesha, rrija ulur te një gropë që ndodhej në pjesën e pasme të pëlhurës së filmit dhe çuditesha kur përkthimet nuk i lexoja dot, pasi ishin shkruar së prapthi!

Një mënyrë tjetër për të kënaqur pasionin për filmin, kur nuk kisha pesëlekëshin, ishte të hyja vjedhurazi në kinema që në mëngjes dhe të rrija strukur gjithë ditën deri në darkë kur të fillonte shfaqja.

Veç kinemasë, aty organizoheshin edhe koncerte apo teatro dhe ky pallat më sillte një kënaqësi të papërshkruar. Shtëpia, shkolla dhe pallati ishin bërë një lloj trekëndëshi magjik prej të cilit nuk kisha as më të voglën dëshirë të shkëputesha. Edhe kur shkoja në lumë për not, ky trekëndësh më thërriste si me magji. Në katin e dytë të pallatit ishte një bibliotekë mjaft e pasur, në të cilën “takova” për herë të parë klasikët e letërsisë botërore. Po në katin e dytë, m’anë tjetër, ishte salla e lojërave ku mësova ping-pongun. E ç’mund të kërkoja më tepër prej një pallati!

Veç kënaqësive të jashtëzakonshme për një fëmijë, ky pallat më trondiste me gjamën e tij, kur në sallën e madhe kishte “gjyqe popullore”. Isha shumë kureshtar dhe me gjithë kërkesën e rreptë të prindërve që të mos shkoja në gjyqe, fshihesha pas të rriturve, doja të isha i pranishëm në “dënimet në emër të popullit”! Aty kam parë njerëz të lidhur në pranga, jo në film, por në të vërtetë.

Që prej atyre gjyqeve, marrëdhënia me pallatin ishte dashuri-urrejtje, dhe këtë të fundit e shprehja me thyerjen e llambave të jashtme me llastiqe. Ndonëse nuk jam i sigurt nëse ishte urrejtje apo kapriço fëmije për të bërë ndonjë sherr!

Ky ishte pallati hijerëndë i fëmijërisë sime: me dritë dhe errësirë.

Share: