Home KRYESORE Patozi ashperson sulmin kundër Bashës! Ja cfare i thote:

Patozi ashperson sulmin kundër Bashës! Ja cfare i thote:

Nga Astrit Patozi

ASGJË NUK DO TË JETË SI MË PARË, LULZIM

Mos e përmend më listën o vulëhumbur, se nuk e shplan dot mëkatin për greminën, ku e çove Partinë Demokratike, duke i hedhur ushqim qenve të gjahut, që e bëjnë edhe falas punën e tyre. Natyrisht, atë llogarinë e sharësave me pagesë e ke të pambyllur me demokratët dhe do të merremi shumë shpejt me atë çështje.

I ke të gjithë në borderonë e kunatit, të paregjistruar, rreth 30 vetë, që po qelbin botën mbarë, duke punuar në të zezë. Janë duke marrë para të pista për të sharë, jo kundërsharët politikë, jo Edi Ramën apo ndonjë socialist tjetër, por cdo burrë apo grua në PD, vetëm se nuk është dakord me ty.

Po ta kujtoj edhe një herë se janë disa vepra penale, që po konsumohen, dhe me vjen sinqerisht keq për ata hallexhinj që mund t’i marrësh më qafë, duke i rropatur gjyqeve për një copë bukë. I ke pasur në katin e tretë të selisë së Partisë Demokratike, ngaqë e konsideron atë si pronë private, por ngaqë u trembe kur mbaruan zgjedhjet, i ke transferuar diku tjetër.

E dimë fiks se ku i ke sistemuar tani dhe do ta mësojmë njësoj edhe sikur t’i shpërngulësh prapë nga frika e dekonspirimit. Por ti tashmë ke hyrë në histori me këtë teknikë të neveritshme për të baltosur këdo, që të bën hije dhe të prish punë në planin e vetëm, që ke në kokë, për ta mbajtur me cdo çmim PD-në si ndërmarrje private biznesi, pavarësisht, se ia ke ulur përtokë aksionet.

E kam thënë edhe një herë tjetër, që sharësit me dhe pa pagesë i mërëkuptoj dhe i mëshiroj, kurse ty jo, sepse nuk je hallexhi.

Dëgjova se të kishte ardhur goja në Elbasan. E kishe zgjidhur gjuhën, pas gati tre javësh vetëngrirjeje dhe ishe marrë me ne, ndërkohë që, formalisht të paktën, garën e ke me Eduard Selamin. Nuk ka problem. Gjuha shkon gjithmonë atje ku dhemb dhëmbi.

Kishe thënë atje pak a shumë se “çëlësi është shpirti i pastër i demokratit, i atij që nuk pyet se kur i vjen radha për deputet” dhe e ke pasur fjalën për mua dhe për kolegët e mi.

Lulzim, ti je e fundmi person që mund të flasë për karrige apo për ambicie të shfrenuar pushteti në Shqipëri, sepse nuk ke qenë asnjë ditë demokrat i thjeshtë, që ta dish apo ta ndjesh se cfarë do të thotë. Por ke ardhur direkt nga rruga e je ulur direkt në kolltuk ministri dhe nuk je cuar asnjë ditë të vetme prej aty, që nga dita që shkele në Tiranë, e deri sot, kur po kacavirresh për të mbajtur me zor postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Të gjithë ne të tjerët kemi parë edhe ditë të mira, edhe të këqija në PD, por asnjeri nuk ngjan me ty në këtë pikë. Sepse ti nuk ke qenë kurrë në opozitë, Lulzim.

Ti vetë je i qartë, por mundohu t’i ndriçosh edhe të tjerët, që po të mbajnë me gajret këto ditë, se mua më rri shumë ngushtë lista jote, por edhe çdo listë tjetër. Se mandatin e deputetit ta kam dorëzuar një muaj para se të mendoheshe ti, mu në mes të 50 burrave dhe grave të grupit parlamentar, kur të thashë bëj marrëveshje dhe askush prej nesh të mos jetë më kandidat. Dhe se unë, Lulzim, nuk jam përmendur sot, vetëm se nuk pashë emrin në listën tënde. Sepse për mua ajo është gjëja më e parëndësishme.

Po mbushen fiks katër vjet, që kur kam thënë për herë të parë se ishe zgjedhje e gabuar dhe të kam kujtuar herë pas herë me zë e me figure, me shkrim e me gojë, se po i shpërdoron të gjitha shanset për ta ringritur Partinë Demokratike, ndërkohë që i kishe të gjitha mundësitë të bëje ndryshe.

Dy vjet më parë të thashë publikisht, por edhe sy më sy, se nuk mund ta quaje humbjen si fitore, kur morëm vetëm 15 bashki në zgjedhjet lokale. Dhe se po ta trajtonim kështu, do të binim edhe më shumë në zgjedhjet politike. Nuk jam fare i lumtur që koha më dha të drejtë, por, më beso, që më e rëndë se humbja për PD, është fakti që ti, jo vetëm nuk mbajte asnjë përgjegjësi, por po tenton ta grabisësh mandatin e kryetarit sërish përmes një farse elektorale.

Ndaj, bëj si të bësh, kafsho gjuhën dhe përpiqu ta shtysh me brekë nëpër këmbë deri në 22 korrik, se mbase të ndihmojnë edhe të tjerët që t’i mbash, gjithësesi, çelësat e kosheres bosh. Vazhdo të vish vërdallë nëpër Shqipëri, dyll i verdhë, duke numuruar ditët, që nuk mbarokan, se mbase të del më mirë kështu.

E kishe nisur jo keq, kur shqiptoje fjali pa kuptim apo sllogane boshe si ato të Republikës së Re, sepse ishte e vetmja gjë që mund të të shkonte, pas atij rezultati katastrofik. Por i sigurt të jesh që “asgjë nuk do të jetë më si më parë”, çfarëdo që të ndodhë më 22 korrik.

Share: