Home KRYESORE Patozi: Pozicioni i Bashës është sot më i kompromentuar

Patozi: Pozicioni i Bashës është sot më i kompromentuar

Nga Astrit Patozi

EDHE VETË FARSA U MANIPULUA. DEMOKRATËT DUHET TË VENDOSIN FATIN E PD

Farsa e 22 korrikut me zgjedhjet tona e bën më të fortë nevojën e reflektimit të çdo demokrati për të kuptuar se kriza e Partisë Demokratike, jo vetëm nuk është zgjidhur, për është thelluar akoma më shumë. Ne vijojmë të jemi të bindur se edhe sikur të kishte qenë një proces shumë korrekt në aspektin teknik, ajo nuk do të kishte qenë kurrësesi një garë, sepse mungonin garancitë më minimale që anëtarët e Partisë Demokratike të votonin lirisht për alternativën më të mirë.

Por e keqja është se as konkurrim me Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit nuk pati. Pamjet e rënda të personave që votonin nga 2, 3 apo më shumë herë kanë bërë tashmë xhiron e Shqipërisë dhe të botës. Ato janë të mjaftueshme për të treguar se ajo që ndodhi më 22 korrik vetëm me zgjedhjet nuk kishte lidhje. Mbushja e kutive ka qenë një fenomen masiv në çdo qendër votimi, që do të thotë se rezultati i votimit nuk përputhet fare me votën e demokratëve dhe kjo e bën dyfish më të kompromentuar pozicionin e Lulzim Bashës, i cili pretendon se është rikonfirmuar si kryetar i Partisë Demokratike.

Tanimë ai ka në kurriz jo vetëm përgjegjësinë e humbjes së 25 qershorit dhe të farsës së 22 korrikut, por edhe të trukimit banal dhe brutal të kësaj të fundit. Lulzim Basha nuk kishte asnjë merak, sesa vota do të merrte rivali i tij falso, por ai kishte vetëm një problem, të rriste me çdo çmim pjesëmarrjen e votuesve. E cila do t’i shërbente në radhë të parë për të dëshmuar se Lëvizja për Ringritjen e Partisë Demokratike nuk është shumicë, pasi ne kishim bërë thirrje për ta refuzuar farsën e 22 korrikut. Por edhe për të treguar se demokratët nuk e kishin përjetuar shumë keq humbjen e 25 qershorit dhe se ata ia kishin falur shumë shpejt kryetarit të tyre atë.

Këto kanë qenë arsyet që votimet e së shtunës në PD prodhuam atë rezultat qesharak, i cili nuk përfaqëson aspak vullnetin e anëtarëve të Partisë Demokratike, por vetëm dëshirën e Lulzim Bashës për t’u paraqitur i fortë, në kulmin e rënies së karrierës së tij politike. Në krahasim me 4 vjet më parë, kur kishte vërtetë një garë reale mes kandidatëve, dhe askush nuk e dinte se si do ta drejtonte ai partinë, Lulzim Basha mori të shtunën 20 mijë vota më shumë, ose mbi 50 përqind, ndërkohë që vinte pas humbjes më të thellë në histori të PD.

Ka shumë prova që dëshmojnë manipulimin masiv me votat e demokratëve më 22 korrik. Me siguri që ditët në vazhdim do të sjellin dëshmi të reja, sepse përmasat e fenomenit dhe arroganca e të porositurve për ta çuar në vend urdhërin ka qenë ekstreme. Tashmë është e qartë për të gjithë se mirë që nuk kishte garë, por edhe vetë farsa u manipulua.

Dhe pyetja është a e zgjidh kjo krizën e rëndë që po kalon Partia Demokratike, pas humbjes katastrofike të 25 qershorit? Kurrësesi, jo. Koha na dha të drejtë shumë shpejt, sepse ndodhi gjithçka siç e patëm paralajmëruar. Në deklaratat e djeshme të dy kandidatëve në farsë nuk ishte e lehtë të dalloje se kush ishte më i gëzuar, ai që kishte humbur, apo ai që kishte fituar. Por kjo nuk ka shumë rëndësi tani.

Demokratët nuk u lejuan dje të shprehen se si e duan të ardhmen e partisë së tyre. Në radhë të parë se Lulzim Basha pengoi garën. Por jo vetëm kaq.

Edhe ata demokratë që zgjodhën të votojnë të shtunën, dhe ishin në të drejtën e tyre ta bënin, u fyen rëndë dhe u poshtëruan, sepse vota e tyre u shumëfishua, përmes mbushjes së kutive dhe provesverbaleve. Tani ne kemi një problem shumë të madh legjitimiteti dhe kjo e bën edhe më të pashpresë perspektivën që kemi përpara.

Sipas nesh, mbajtja e përgjegjësive, analiza serioze dhe pastaj gara e drejtë e barabartë, është e vetmja recetë shërimi për Partinë Demokratike. Ne do të luftojmë fort që këto standarte të arrihen sa më shpejt, sepse lëvizja jonë ka vetëm një qëllim, mbajtjen bashkuar dhe ringritjen e forcës sonë politike. Natyrisht, kjo nuk mund të ndodhë, as nën mëshirën dhe as në dëshirën e Lulzim Bashës. Ne jemi të hapur që të punojmë me çdo anëtar të Partisë Demokratike, dhe me atë vetë, por kurrësesi me statusin e “atyre që kanë humbur rrugën”, sepse përfaqësojmë shumicën e demokratëve, të cilët janë të lënduar nga humbja e 25 qershorit dhe nga farsa e 22 korrikut.

Ne nuk do t’i marrim kujt leje për të shkuar në shtëpinë tonë dhe do të hyjmë pa trokitur gjithmonë atje edhe sikur derën ta gjejmë të mbyllur. Partia Demokratike është aset kombëtar, por ajo në radhë të parë është pasuria e mijëra demokratëve, të cilët janë edhe aksionerët e ligjshëm të saj. Ata dhe vetëm ata do t’i dalin zot investimit të tyre për të caktuar se kush dhe si do t’i udhëheqë në të ardhmen, në mënyrë që shumë shpejt të përballemi dhe ta mundim kundështarin tonë politik. Por që kjo të ndodhë, ata duhet të jenë të lirë të vendosin.

Share: