Nga Agim Xhafka
-Eshtë sëmurë Zhuli,-më tha në telefon Aliu, kur e pyeta për të.-Ka disa vite që bën dializë se veshkat,hë hë,hiç.
U trondita,u merzita dhe ngula këmbë të më tregonte më shumë. Eh,më mirë mos e kisha pyetur,të ruaja në kujtesë Zhulkën e bukur,të mirë,të sjellshme e aq të paqtë.
Zhuljeta ka një moshë me mua,por nga që studioji në institutin e Elbasanit,mbaroi një vit para meje se universiteti i Tiranës ku isha unë zgjaste katër vjet. Kështu që kur shkova mësues në Velçan të Gorës,ajo kishte nisur punë atje një vit më parë. U gëzova shumë kur mësova se do ishim kolegë. Se dhe gjimnazin e kemi bërë bashkë. Ajo jepte matematikë,fizikë e unë gjuhë dhe letërsi. Të gjeje në atë humbëtirë një vajzë si ajo ishte sikur dielli të të qeshte më fort,edhe kur e mbulonin retë.
Ditët e muajt e parë një stres i paparë. Shkolla ishte pa tavan,nxënësit vinin me vrap në shkollë,por të pa ushqyer,dimrit as dru e as soba të hajrit. Ngroheshim me ca shkarpa që na i sillnin fshatarët. E ishim afër majës së Lenijes, 1.800 metra mbi nivelin e detit,ku bora e ngricat ishin në shtëpinë e tyre.
Por pas mësimit Zhuli me shoqet e veta na ftonin në dhomën e tyre e piqnim misra,patate,bënim bukën e thekur me vaj e kripë e muhabeti muhabet. Se jo vetëm nuk kishim televizor,por atje edhe Qaniu që bleu një nuk i vinte asnjë sinjal as nga Tirana,as nga Shkupi. Tek ai vend rrinte këmbëkryq mjerimi e varfëria. 3 lekë për ditë pune paguhej fshatari kur buka,vetëm një copë bënte 4 lekë.
Në këto mbasdite,nga që ishim të rinj flisnim veç për dashurinë. Lenci që do martohej me Dritën kolegen,unë u flisja për të fejuarën që e kishin caktuar në Lezhë,Elvira që fliste shumë për muzikën e hiç për ndonjë trokitje zemre. E fshehtë si ajo,thoshim.Më vështirë e kishim me Elenin,drejtoreshën. Ishte më e madhe se ne,por dhe shumë më dinjitoze,se kishte mbaruar fizikë bërthamore e endej skërkave për t’u kalitur nga jeta. Beqare dhe ajo e sa herë e nxitnim na thoshte se nuk ka plan për çështjet e zemrës.
Ndërsa Zhuli ishte mendjehapur. E thonte që burrin e ardhshëm e donte patjetër të qeshur. Ja,si ty,më thosh. E donte të bukur,të zgjuar dhe te sjellshëm. Kur fliste kështu kishe qejf ta shihje. Se i ngrinte sytë te llampa në tavan e fytyra i merrte pamjen e Shën Merisë,të përvuajtur,ëndërrimtare dhe melankolike. Kështu kalonim dimrin,pranverën e suleshim në Korçë për pushime. Më pas niste viti i ri shkollor e sërish avazi.
Martuam Lencin me Dritën,Jetnorin me Vjollcën,e pyetjet ngecën njësoj. Por tashmë Zhuli nuk ngulte këmbë tek tiparet e burrit që donte. Se koha e pamëshirshem ecën. Vitet po ashtu e ajo në Velçan nuk kishte me kë shoqërohej se thuajse ishin të gjithë në lidhje. Pa kuptuar hyri në dëshpërim e mbasditet me ne i harroi. U mbyll brenda vetes në dhomën e saj. Deri sa një ditë,nga Elvira mësova se ajo kishte nje teze në Elbasan e mund t’i rregullonte një mblesëri. U çudita dhe nuk e besova,se ajo meritonte ta dashuronte vetë dashuria.
Më pas unë u transferova në Tiranë e ashtu rastësisht mësova se Zhuli u martua në Elbasan. U gëzova që shpëtoi nga Velçani i askundit. U bë njeri.
Tani,pas afro 35 vitesh me ra si bombë sëmundja e saj. Nuk e kam ndeshur dhe ruaj një figurë plot hijeshi e mbushur me gaz. Sa mirë që e sjell të tillë ndër mend. Aliu më tha se burri i ka vdekur dhe se ka dy çuna mjaft të zotë e shumë të zgjuar.
Shoqja ime,ndjej shumë dhimbje për ty. Kur mësonim brezin e humbur në fakultet,mua ata më dukeshin të lumtur krahasuar me ne. Ata kishin ëndërra ,por ne as ato nuk i tregonim,as guxonim të shprehnim një emocion a një pasion. Vertet jetuam keq,u ushqyem keq,por dhe na shtypën shumë keq. Ishim mijra e mijra që na shpërndanin nëpër cepa e nëper skuta ku nuk kishte as rrugë e as elektrik. Na hidhnin siç hidhen ndihmat sot në vendet e përmbytura e na thoshin të mos guxonim as të vrisnim veten. Ishim 23 vjeç kur na mbillnin në fshat e na shkulnin pas shumë vitesh ,në se u kujtohej se ca të rinj po jetojnë andej të flakur si lëvore.
Fati i Zhuli ishte fat masiv,nga një kolerë që perfshiu vendin dhe që e çoi deri në vdekje. Sot shoqja ime është sëmurë,me dializë. Në se i pershtatet një veshkë e imja ia dhuroj me zemër e me mall të madh. Se hareja e saj në ato vite të vështira na shpetoi nga depresioni i sigurt,e qeshura e saj ishte “dializa” jonë nga që ëndërrat i ndrydhëm në shpirtin e bugosur mberthyer nga pranga çeliku. Ndjej dhimbje,motra ime,u vrava kur mesova fatin tënd. U vrava vërtet…