Dy agjencitë e vlerësimit financiar ndërkombëtar, “Standard & Poor’s”, “Moody’s” kanë mbajtur të pandryshuar vlerësimet e tyre për Shqipërinë përkatësisht në B+ e parë dhe B1 e dyta, me perspektiven e një ekonomie stabël.
Raportet janë publikuar në faqet zyrtare të kompanive prestigjioze dhe në qendër të analizave është konsolidimi fiskal dhe rënia e borxhit publik.
“Standard & Poor’s” vlerëson se tensionet politike gjate gjashtëmujorit të parë nuk kanë dhënë efekt në stabilitetin ekonomik. Ndërkohë rezultat e zgjedhjeve parlamentare do t’i mundësojnë qeverisë, sipas kësaj agjencie vazhdimin e reformave strukturore dhe përmirësime graduale.
Tjetër aspekt vlerësues është reforma në drejtësi së cila do të përmirësojë klimën e biznesit në Shqipërisë, sipas “Standard & Poor’s”, që nënvizon punën e qeverisë për të forcuar shtetin e së drejtës. Sipas “Standard & Poor’s”, pritet një rritje ekonomike prej 3,8 përqind, ku ndikim kanë edhe projektet e mëdha energjetike.
Ndërsa “Moody’s” parashikon një rritje prej 3,6 përiqnd për 2017. Ajo nuk është ndalur shumë tek çështje politike dhe ndikimet e tyre në ekonomi. Përveç vlerësimit të konsolidimit fiskal dhe reformave të qeverisë në këtë aspekt, kjo agjenci sheh si mangësi nivelin e ulët të PPB për frymë dhe konkurrueshmërinë e dobët.
“Moody’s” ngre problemin e rreziqeve që mund të vijnë nga shkaqet klimatike duke pasur parasysh ashtu siç po ndodh ndikimet e thatësirës në energjetikë dhe bujqësi./Top Channel