Dashamir Gjoka, të cilit iu bë sot atentat me kallashnikov teksa udhëtonte bashkë me fëmijët e tij, është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi ndaj biznesmenit është e hapur një çështje për pastrim parash. Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk pati të lënduar, pasi mjeti me të cilin udhëtonte Gjoka tek ‘4 rrugët e Shijakut’, ishte i blinduar.
Ndërkohë, organi i akuzës filloi hetimin pasuror, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”, pas dyshimeve se Gjoka i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali. Në bazë të dokumentacionit të siguruar nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale “shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “trafikimi i personave”, të parashikuara nga nenet 114 dhe 110/ a të K.Penal.
Ndërkohë, në 15 gusht të këtij viti Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda bëri rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të togave të zeza të shkallës së dytë, e cila liroi nga sekuestro pasuritë e biznesmenit nga Shijaku Dashamir Gjoka. Më 20 korrik 2017, u mësua se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda kishte hequr sekuestron e vendosur nga Shkalla e Parë për pasuritë e biznesmenit, Dashamir Gjoka.
“Prokuroria vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda për rrëzimin e konfiskimit të pasurive të shtetasit Dashamir Gjoka është marrë në zbatim të gabuar të ligjit, si edhe është bazuar mbi shkelje procedurale”, thuhej në rekursin e dorëzuar në gjykatën e Lartë. Organi i akuzës kërkoi që të lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila vendosi konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme, vlera totale e të cilave vlerësohet në mbi 200 milionë lekë të reja.
Pasuria e sekuestruar nga Prokuroria
Pasuria me sipërfaqe 6949 m² truall dhe 2012.17 m² ndërtesë, kompleks shërbimesh “Gjoka”, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 4639 m² arë, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 1247 m² truall dhe 230 m² + 710 m² ndërtesë, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 928 m² truall dhe 229 m² ndërtesë dy kate, ndodhur në Durrës; Shoqëria “Gjoka” sh.p.k., së bashku me të gjitha asetet e saj.
Vlera totale e pasurive të konfiskuara është llogaritur në vlerën prej rreth 200.000.000 lekë (te reja). Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të shtetasit Dashamir Gjoka nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara prej tij, dhe se personi i mësipërm nuk arriti që të provojë dhe të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive në zotërim të tij./360grade.al