Home KRYESORE Neranxi në protestën e Himarës: Do të flas shqip, jo se nuk...

Neranxi në protestën e Himarës: Do të flas shqip, jo se nuk di greqisht, por që ti flasë direkt kryeministrit.

Nga Nikollaq Neranxi*

Unë do të flas shqip, jo se nuk di greqisht, di shumë mirë greqisht të flas, por sinqerisht më lejoni që tju kujtoj gjendjen tonë emocionale para një viti gje te cilen dua ta shpjegoj ne shqip.

Në datën 14 gusht të vitit 2016 ne erdhëm këtu mbasi kishim parë projektet e bashkisë së Himarës, të drejtuara kryesisht nga kryeministri Edi Rama, që shtëpitë tona do të rrezoheshin, dhe nuk ishte një-dy shtëpi apo pesë që talleshin “pesë baranga”, por ishin Lagjja e Varfajve, Lagjja e Neranxajve dhe Lagjja e Zotajve, dhe disa shtëpi të tjera këtu mbrapa të cilave janë “llokma shumë të mira për të bërë pallate”.

Më lejoni të nderuar miq dhe vëllezër himarjotë që tju tregoj pak historinë e vjetër që kur ka filluar shkulja e himarjotëve, ajo që ne sot e quajmë “Genocid Modern”…

Kjo ka filluar që me Enver Hoxhën. Shkuljen dhe çrrënjosjen e njerëzve nga një zonë që ka një identitet, një histori dhe një kulturë të trashëguar, e bëjnë vetëm komunistët.

E filloi Enver Hoxha me këto pallatet këtu  dhe, e ndërpreu Enveri se u mendua që nuk duhet të bënte mirë, dhe me sa duket po e vazhdojnë bijtë e tij politike, Kocua me Edin dhe ne po pësojme edhe sot.

Ne po pësojmë zbatimin e programeve të tyre në kurriz të himarojtëve që ata “shumë bukur” nëpërmjet ligjeve që nxjerrin në parlamentin e Shqipërisë, dhe e dini shumë mirë se si kanë dalë ligjet e parlamentit të katërvjeçarit të shkuar?! Ligje me deputetë të inkriminuar, ligje me kriminelë në Parlamentin e Shqipërisë dhe, nga ata po pësojmë ne sot!

Pse duhet të keni frikë të nderuar vëllezër, nëna, motra të Himarës. Pse keni frikë?

Më lejoni që tu them e tu tregoj dhe rrugën se si duhet të shpëtoni, bëhuni edhe ju njëherë “vrasës”, por jo vrasës si këta kriminelët e pushtetit të cilët vrasin ëndrrat tona, por “vrasës” të frikës tuaj, vrisni frikën që kini brenda vetes. Do të shikoni si do të jemi të bashkuar dhe do të fitojmë.

Kjo është një betejë politike. Nga studimet që janë bërë në gjithë botën sot, njerëzit vdesin më tepër nga frika se nga sëmundjet, që frika është një sëmundje shumë e madhe sot, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve që ne ta vrasim Frikën dhe, në qoftë se do të vrasim frikën do të jemi të bashkuar.

Mos kujtoni se ne nuk e dimë këtu rolin që luan SHIK-u apo ish-Sigurimi i Shtetit me disa persona në familjet tona, edhe brenda familjeve tona, që nga Varfajt që e dinë shumë mirë që ne pushtetin shumë shpejt do ta marrim, dhe ata do të pendohen, por padyshim që ne do ti falim, dhe Neranxajt ashtu dhe Zotajt.

Cfarë qëndrimi është ky? Të mos kalojmë më tej tek Gorajt ku padyshim vazhdon rrugën e babait të vet, pjesë e sigurimit të shtetit, ai duhet të jetë këtu mes nesh!

Kjo është të nderuar miq,

edhe ju që na dëgjoni që keni ardhur ndoshta si pushues këtu nga Tropoja apo nga Shkodra. A e dini Historinë e Himarës?

Në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës, këtë rërë të cilën Kryeministri i Shqipërisë na e mbush me betone, ne e kishim krevat, krevat se prindërit për të lëshuar dhomën që të flinit ju këtu, na vinin mbi një rrogoz aty dhe flinim, dhe e kishim për nder këtë.

Ndaj pra, Ju sot duhet të bashkoheni me ne, se këtë që pësojmë ne sot, do ta pësoni ju nesër!

Pikërisht para një viti mendova se mos ndoshta Himara ishte një llokmë shumë e madhe për investitorët të cilët kishin para dhe sigurisht qe nuk dua të di ngjyrën e parasë.

Unë mendova se do të vijnë këtu të investojnë ata qe duhet edhe ndaj krijuam debate, u ulëm në tavolina me diplomatë, me ndërkombëtare, dhe menduam që do të zgjidhej çështja duke u thënë investitorëve, ju lutemi mos na prishni shtëpitë tona, në fakt e vërteta nuk është kështu.

Sot është një e vërtetë tjetër e hidhur, Qeveria e Edi Ramës, me kryetarin e bashkisë, karagjozin që vumë ne këtu, do të na çrrënjosë që këtej, do të bëjë një gjenocid këtu. Eshte momenti që të gjithë duhet të ngrihemi në këmbë.

Dua ti jap një mesazh kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama “Që ne Himarojtët nuk jemi dakord me shtetin tuaj, që formoni ju dhe bëni ju, ne jemi kundra shtetit tuaj, qoftë edhe ligjor që e quani. Sepse ju ligjet i bëni që ti zbatoni në mënyre selektive.

Ju këtu në Himarë, lejoni dikë që ta bëni për vete politikisht, të ndërtojë dhe dikë tjetri i rrëzoni shtëpitë. Por në himarjotët jemi për shtetin e së drejtës, jemi për atë shtet të cilin sot e gjithë Europa e ëndërron, të jemi të gjithë të barabarte para ligjit.

Dua ti them Edi Ramës, që ne himarjotët jemi kundër atdheut që dëshiron ti. Ti dëshiron një Atdhe dhe Mëmëdhe që tokën e mëmës dhe të babait tja grabisin. Por ne duam atdheun dhe mëmëdheun që na takon, duam tokën e babait tonë dhe tokën e mëmës tonë.

Gjithashtu dua ti them Edi Ramës që ne himarjotët jemi kundër Shqipërisë që do ti. Ti do një Shqipëri që i ke vënë zjarrin, ti do një Shqipëri të mbjellë me drogë, kurse ne himarjotët duam një Shqipëri Europiane.

Ju bëj me dije se jemi në gjyq në disa shkallë, kemi hedhur në gjyq Bashkinë e Himarës, edhe gjyqet shkojnë shumë mirë, pavarësisht disa gjykatave të cilat edhe janë të kapura, jemi në gjyq dhe do ta fitojmë, pikërisht, betonin që kanë hedhur këtu dhe na kanë zënë rërën.

Neve kemi kërkuar në kërkesë padinë që të rrezohen tre shkallët e para dhe do nxjerrim rërën. I bëj me dije Edi Ramës dhe cilitdo hajduti pushtetar tjetër që na rrëzuan kisha, na rrëzuan shtëpi, hotele në Himarë, dhe tani duan të na marrin jetën tonë, rëra dhe deti jonë janë jeta jonë. Ne nuk do ta lejojmë që të na merrni jetën tonë, ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar.

Dua ti them Edi Ramës edhe dicka tjeter.

E keni parë ditët e fundit që gjithë Shqipëria ka shpërthyer në flake. Mos kujtoni se kjo është e rastësishme, është pikërisht shpërthimi i atij zjarri që këta kanë vënë prej vitesh, këta do ta shkatërrojnë Shqipërinë, komunistët, prandaj ne jemi këtu të përsërisim historinë, tu tregojmë këtyre komunistëve që Himara është e jona! Dhe deti këtu është i joni!

Ne do të ndërtojmë këtu, nuk mund të vijnë të na i grabisin! A e shikoni cfarë po ndodh me institucionet shtetërore në Himarë? Nuk gjen një të punësuar nga Himara, as në polici, as në policinë kufitare, nuk gjen! Pa shikoni këtu mbrapa, asnjë varkë asnjë skaf nga himariotët, nuk na lejojnë neve!

A ju bën përshtypje kjo? Pikërisht kjo duhet tu bëjë përshtypje…

Vijnë këtu në Himarë për tu larë, shkojnë në Himarë për tu larë në det, në një kohë që deti, ne e dimë shumë mirë s’është për tu larë, deti është për të notuar, deti është për të peshkuar, për të eksploruar, për të transportuar.

Shikojnë këtu gjire të bukura detare dhe marrin në telefon dhe thonë: hajdeni shpejt këtu sepse këtu ka vende të lira! Dhe pikërisht nga menefregizmi jonë, ata një ditë të bukur u bënë edhe do të bëhen të pasur, pse? Me djersën e të parëve tanë!

Prandaj ne sot këtu nuk duhet ti lejojmë këto! Ne duhet të marrim fatin në dorë, të mbajmë amanetin e të parëve tanë, asnjë gjë tjetër. Duam pronat tona shtëpitë tona të trashëguara, rërën tonë, detin tonë, historinë tonë dhe kulturën tonë. Prandaj të gjithe bashkë të bashkuar, vetëm kështu do të fitojmë!

Më thotë mamaja ime, Eftiqia, që duan ti rrëzojnë edhe shtëpinë këto ditë, por une kam bindjen që ajo nuk do ta lejojë se traktori dhe buldozeri mbi trupin e saj do kalojë, edhe timin, ta premtoj Manaqia.

Kjo është një luftë, është një luftë për të mbrojtur pronat tona. Dhe ne në luftë do shkojmë si të parët tanë duke kënduar, prandaj jemi këtu me koncert, tu tregojmë që ne në luftë, nuk tërhiqemi nga lufta! Do të këndojmë padyshim!

Prandaj për ta mbyllur se, kam shumë për të thënë, kam kaq shumë saqë ndoshta edhe një vit po të rri me juve këtu do të tregoja shumë gjëra, kemi shumë dokumente të cilat ne, kur të marrim bashkinë do tu tregojmë vendin edhe atyre të cilët sot nuk kan ardhur këtu.

Se, duhet ta themi qe kemi një projekt shumë të mirë për të marrë bashkinë së shpejti, kemi një djalë të mrekullueshëm të cilin e kemi projektuar me gjithë zotërinjtë që janë këtu përballë e që drejtojnë sigurisht edhe forca politike të cilat edhe juve i kini për zemër edhe ne të gjithë bashkë, kemi një staf të mrekullueshëm, dhe Himara me gjithë këto resurse, gjithë këto të mira që ka nga Zoti do i gëzoje se bashku me ne.

Ne do tu tregojmë vendin edhe atyre të cilët sot nuk kane ardhur këtu, megjithëse unë mendoj që shumë shpejt, ata do kthehen edhe mbas mitingut e do të vijnë në koncert, ne do ti pranojmë, se jemi nga një vend që dimë të falim.

Prandaj për ta mbyllur, dhe meqë i premtova mamasë time që do të shkojmë duke kënduar, sigurisht më lejoni që tu them vetëm një strofë të një kengë të vjetër himarjote, por vetëm në versioni shqip se greqisht nuk e di.

Për ti treguar edhe kryeministrit të vendit që Himara ndryshon shumë nga vendet e tjera dhe këtu vendi ka edhe kapedanë, pavarësisht se nga Qeparoi nuk shikoj asnjë këtu.

Atëherë kënga është : “Kush është Lule Vilajeti që bota e ka sevdanë, Himara në breg të detit, lule trima kapedanë.”

Ju falënderoj të gjithëve, në sytë tuaj po shikoj një fitore shumë të madhe dhe ta dëgjoje kryeministri i vendit, ose të vijë këtu dhe të na tregojë projektin e të përballet me ne, ose mbi trupat tanë do të kalojë. Po të jetë i zoti le të vije vete e ti prishë shtëpitë!

Ju falënderoj shumë!

*Fjala e mbajtur ne protesten e 14 gusht 2017 ne mbrotje te prones himarjote.

Share: