Home KRYESORE Ngjela: Do dëgjoni çudira për pronat e gjyqtarëve. 5 miliardë euro i...

Ngjela: Do dëgjoni çudira për pronat e gjyqtarëve. 5 miliardë euro i kanë politikanët!

Nga Spartak Ngjela

Që nga shtatori e mbrapa shqiptarët do të shohin se në çfarë vobektësi intelektuale janë gjyqtarët e tyre, dhe sa të paskrupullt kanë qenë në shitjen e drejtësisë. Më pas do të shohin dhe qorrollepsjen e korrupsionit të lartë politik. Po, si paraqitet tani ky korrupsion në të dyja krahët- në drejtësi dhe në qeverisje?

I.

Do të shihni: Gjyshe pensioniste që dhurojnë mijëra Euro gjyqtarëve. Kunata dhe kunetër, tezë halla e xhaxhallarë që jetojnë me të keq, pa shtëpi për vetë, por që iu dhurojnë dhjetëra mijë Euro gjyqtarëve që këta të paguajnë menjëherë kredinë e shtëpisë, ose të justifikojnë kostot.

Gjyqtarë që kanë tre dhe katër apartamente të lëshuar me qira, se kuptohet që janë paguar me apartamente nga kompanitë e ndërtimit që kanë blerë gjyqet. Gjyqtarë, gjyqtare dhe gra gjyqtarësh e burra gjyqtaresh që qarkullojnë miliona lekë, sapo burri apo gruaja është emëruar gjyqtar apo gjyqtare. Janë sot të gjithë të kapur, dhe e kanë shpresën te politika e lartë e korruptuar, se thonë me njëri – tjetrin: “asnjë nga liderët politikë nuk është i pakorruptuar: ata bëjnë sikur, prandaj rrini të qetë, se ne kemi apartamente dhe dhjetra mijra Euro, kurse ata kanë pallate, fabrika dhe miliona Euro”.

Por edhe gomari kështu thosh kur e hante ujku: “jam në ëndërr”. Pse ju o të shitur, që as juristë s’keni qenë, vërtet mendoni ende se do t’iu shpëtojnë të ngjashmit tuaj të politikës së lartë? Po këta kush do t’i shpëtojë?

II.

Korrupsion i është sigurisht një fenomen i përgjithshëm sot ne Shqipëri. Por koha e solli që, ata që kanë dhënë paratë për të ndihmuar shqiptarët, duan të dinë se ku kanë shkuar paratë e tyre.

Këta nuk janë shtete dosido, ata janë aleatët perëndimorë të Shqipërisë: këta e kanë provuar korrupsionin e politikës shqiptare, i kanë gjetur dhe i kanë kalkuluar sa para u janë grabitur shqiptarëve nga ata që duhej t’i qeverisnin, dhe tani do t’i detyrojnë t’i kthejnë.

Ky në fakt është një ekuacion shumë i thjeshtë për tu zgjidhur, se korrupsioni nuk ka më forcë, i ka bërë të gjitha llojet e përvetësimit, por, tani ka humbur luftën me ligjin, prandaj duhet të kthejë paratë. Dhe mos t’ju duket kjo fare një gjë e vështirë, se kjo tani është kryer.

Do ta shihni…

III.

Çfarë pritet të ndodhë me korrupsionin ë niveleve të larta të politikës? Këto qarqe drejtuese u treguan jo vetëm të papërgjegjshme në qeverisjet e tyre, por dhe krejt naivë dhe me intelekt të ulët atëherë kur e panë se forca ndërkombëtare i kapi duke iu gjetur dhe kalkuluar paratë që kanë marrë në 25 vjet qeverisje.

Të gjithë bashkë kanë përvetësuar rreth 5 miliardë Euro. Në fakt ky është sekreti: ata që i kanë dhënë gjithsej Shqipërisë 20 miliardë Euro ndihmë, shohin që pesë miliardë i kanë marrë qeverisësit e shqiptarëve. Sigurisht që ky është një turp historik.

IV.

Kjo klasë politike kurrë nuk e kuptoi në 25 vjet që personaliteti i një shteti modern demokratik është drejtësia. Makutëria e njeriut të varfër që vinte nga tirania dhe vobegtësia shoqërore, të imponuara nga patologjia Hoxha, por që doli në qeverisje, kurrë nuk e la gjendjen që të vendoste drejtësinë në Shqipëri.

Por ka dhe diçka: këta njerëz pa personalitet, jo vetëm nuk kanë ditur të qeverisin, por nuk kanë njohur as politikën e Perëndimit dhe as se çdo të thotë të angazhohesh politikisht me Perëndimin. Se ndryshe nuk mund të lëshoheshin si të babëzitur për të dhunuar materialisht popullin e tyre, në një kohë kur aderonin në organizmat kryesorë të botës perëndimore.

Ej, zotërinj! Perëndim do të thotë ligj; dhe ju keni përvetësuar paratë e taksapaguesve amerikanë, gjermanë, francezë, anglezë dhe italianë. Duhet t’i ktheni tani, se vetë këta jua kanë gjetur.

Enver Hoxha nuk hynte politikisht kurrë në strukturat perëndimore, sepse e dinte që ato struktura nuk do t’ia pranonin kurrë atë shtypje antinjerëzore kundrejt shqiptarëve. Prandaj u vetëizolua, dhe tha: “Shqipëria është në bllokadë”. Kurse këta të sotmit, nuk e dinin fare këtë, dhe i ranë me top prasë së Shqiptarëve, por duke qenë politikisht në strukturat më të larta perëndimore, deri dhe anëtarë të NATOS. Kjo, në fakt, është pika që krijon rënien e tyre drejt penalitetit, sepse aleanca politike me dhuruesit e fuqishëm, e ka tani aleancën me Shqipërinë domosdoshmëri të interesit të tyre politik, në rrafsh zonal dhe global. Ata duan paratë, por Shqipëria kërkon drejtësi. Dhe kjo do të vendoset.

V.

Ky interes i madh politik amerikano-europian për Shqipërinë nuk mund ta pranojë korrupsionin politik të injorancës shqiptare. Dhe këtu fillon historia e re e Shqipërisë dhe e të gjithë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Por kur? Pyesin me të drejtë shqiptarët që presin prosperitetin e vendit të tyre. Procesi ka filluar, paratë dhe pronat janë gjetur, organet e reja të Reformës kanë filluar funksionimin e tyre; kurse vjeshta jep rezultatet e para të goditjes.

Share: