Home KRYESORE Partitë në garë për ndarjen e pushtetit në Kuvend

Partitë në garë për ndarjen e pushtetit në Kuvend

Të shtunën e 9 shtatorit, parlamenti do të mblidhet në seancë për votimin e kryeministrit dhe qeverisë së re.

Java pas 9 shtatorit, do të jetë intensive për konstituimin e organeve parlamentare dhe ndarjen e deputetëve në komisionet e përhershme.

Në seancë plenare, kuvendi miraton 8 komisione të përhershme: Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Komisioni për Integrimin Europian, Komisioni për Politikën e Jashtme, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin, Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Përcaktimi i përbërjes se komisioneve dhe kryesive të tyre bëhet duke mbajtur parasysh përfaqësimin në to të grupeve parlamentare, sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend.

Nga 8 komisione të përhershme, mazhoranca socialiste do të drejtojë 5 prej tyre, ndërsa 3 i mbeten opozitës.

Ende nuk ka një përcaktim të qartë nëqoftesë 3 komisionet do të drejtohen nga përfaqësues të Partisë Demokratike apo në bazë të përpjestimit të vendeve që zënë në kuvend një prej tyre do të drejtohet nga Lëvizja Socialsite për Integrim.

Por ndërkohë, kampet politike kanë nisur diskutimet brenda tyre për emrat që do të përfaqësohen dhe do u besohet drejtimi i këtyre organeve.

Mazhoranca socialiste prit të rikonfirmojë në krye të komisioneve paralamentare emrat që drejtuan në 4 vitet e shkuara.

Ligjet pritet të drejtohen nga deputetja Vasilika Hysi. Erjon Braçe mund të jetë sërish drejtues i komisionit të Ekonomisë, ndërsa Eduard Shalsi në krye të Veprimtarive Prodhuese.

Ende nuk është e qartë kush do të drejtojë Komisionin e Sigurisë, i cili për katër vite është drejtuar nga Spartak Braho, apo Komisionin e Jashtëm te cilin e drejtoi Arta Dade, që nuk u zgjodh deputete për legjislaturën e re.

Ndërkohë edhe Lulzim Basha duhet të përzgjedhë emrat që do e përfaqësojnë në organet e kuvendit.

Emër potencial për në krye të komisionit të Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë pritet të jetë deputeti, Tritan Shehu. Luçiano Boçi mund të drejtojë Komisionin e Medias, ndërsa emri i Jorida Tabakut shihet si i mundshëm për drejtimin e Komisionit të Integrimit.

Pas emërimit të kryetarëve dhe nënkryetarëve të grupeve parlamentare dhe kryetarëve apo nënkryetarëve të komisioneve të përhershme, parlamenti konstituon dhe organet e tjera siç është Byroja, Konferenca e Kryetarëve, Këshilli për Legjislacionin apo Këshilli për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin./360grade.al

Share: