Tërheqja e stafit diplomatik nga Shkupi ka qenë vendim i papritur. Lajmi ka bërë bujë edhe në mediat serbe, duke theksuar se vendimi do të sqarohet nesër, ndërsa Ministria e Jashtme e Maqedonisë është informuar shkurt se stafi diplomatik është thirrur në Beograd për konsultime.
Por diplomatë të njohur, theksojnë për INA se ky vendim është taktik serb, që bëhet nga Beogradi, duke qenë një formë presioni ndaj Maqedonisë në raportet ndërshtetërore. Sipas diplomatëve, një vendim i tillë ekstrem merret vetëm në rrethana lufte dhe konflikte ndërshtetërore diplomatike.
“Ky vendim përbën skandal diplomatik, por Shkupi dhe mediat maqedonase po heshtin, sepse nuk duan të përkeqësojnë marrëdhëniet me vendin fqinj, që simbolikisht në disa rrethana konsiderohet si vëllai i madh, duke qenë ndikimi nga e kaluara. Pritet vendimi i Serbisë nesër”, theksoi për INA, një diplomat karriere, që nuk dëshiron të identifikohet.
Sipas tij, taktizimi i tillë mund të ketë lidhshmëri edhe me Kosovën, sidomos në periudhën e njohjes në UNESCO. Por, megjithatë asgjë nuk mund të presupozohet derisa nuk dalin autoritetet e diplomacisë serbe për të sqaruar vendimin.
Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, kohë më parë kishte shprehur kritika në adresë të Qeverisë së re në Shkup dhe ndaj kryeministrit të ri Zoran Zaev. Atasheu i sigurisë së ambasadës serbe dhe ish-zëvendëshefi i shërbimit sekret serb BIA, Goran Zhivaljeviç, gjatë ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë u pa mes turmës së huliganëve natën e dhunshme në Kuvend. Më pas u publikuan edhe biseda të përgjuara mes tij dhe zyrtarëve të afërt të Qeverisë së Gruevskit, për të lobuar pro pushtetit të VMRO-DPMNE dhe kundër opozitës së asaj kohe të udhëhequr nga Zaev.
Ambasadorja e Serbisë në Shkup, Dushanka Divjak Tomiç, theksoi se për çdo detaj nesër do të ketë informata shtesë nga kabineti i ministrit të jashtëm Ivica Daçiç./360GRADE.AL