David McAllister, njeriu që ndërmjetësoi fundin e krizës politike parazgjedhore në Shqipëri, tani e kthen vëmendjen te një tjetër ngërç, edhe më i vështirë për t’u zgjidhur: mosmarrëveshjet mes Kosovës e Serbisë.
Në intervistën e dhënë “Deutsche Welle”-s, eurodeputeti gjerman kujton kushtet që duhet të plotësojë Beogradi në procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe çështja e Kosovës mbetet kriter kyç.
McAllister ka qenë që prej vitit 2014 raportues i Parlamentit Europian për negociatat e vazhdueshme mbi integrimin e Serbisë. Ai kujton rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, që do të thotë vazhdimi i dialogut mes të dy palëve.
“Për fat të keq, aktualisht nuk ka përparim në dialog për shkak të situatës së paqartë politike në Prishtinë. Dialogu, siç formulohet nga BE-ja, do të thotë që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, të munden të vazhdojnë rrugën europiane, pa bllokimin nga njëri ose tjetri në këtë proces”, tha David McAllister, raportues i PE-së për Serbinë.
A do të thotë atëherë se Serbia duhet ta njohë Kosovën, për shkak se është e vështirë për një vend që nuk është as anëtar i Kombeve të Bashkuara, për t’u bërë më pas anëtar i BE-së?
“Unë do të citoj raportin, sepse çdo fjalë është e rëndësishme në lidhje me këtë. Është e nevojshme për një ‘marrëveshje të detyrueshme ligjore’ që lejon ‘të dy palët të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre dhe të përmbushin detyrimet e tyre”, tha McAllister.
McAllister e përshëndeti nismën e presidentit Aleksandar Vuçiç për të filluar një dialog në Serbi mbi marrëdhëniet me Kosovën. “Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës duhet patjetër të normalizohen”, shprehet kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të BE-së. “Ky është një dialog i ndërmjetësuar nga blloku europian”, vazhdon ai. “Ka disa përparime në këtë drejtim, por jo aq sa kemi shpresuar. Është e rëndësishme që të zbatohen sidomos ato pika pët të cilat ka patur marrëveshje”./360grade.al