Home I pakategorizuar Shperthen Demalia kunder Kadarese, Dervishit dhe Lolocit: Babai im komunist, kuadër i...

Shperthen Demalia kunder Kadarese, Dervishit dhe Lolocit: Babai im komunist, kuadër i Sigurimit, i dënuar nga Sigurimi..

Nga Ilir Demalia

Mësohuni me lirinë jo si pronar dosjesh por si njerëz të lire. Shqiptarët peng i dosjeve dhe sillje në rreth vicioz si komleks i tyre.

Hapini!

Tufa e sejmenëve të bodyguard-ve të shkrimtarit, kanë arritur në konkluzion se letra Ismail Kadaresë drejtuar E. Hoxhës e publikuar nga unë në FB është një organizim i Sigurimit të Shtetit dhe kombinim i agjenturave ndërkombëtare e shpërthyer kundër kollosit të kulturës kombëtare, shkrimtarit shqiptar më të mirit të të gjitha kohërave dhe nga më të njohurit në botën matanë kufijve të vendit. Dervishët-Loloçët duan të na shesin idenë se Sigurimi jo vetëm e ka përndjekur natë-ditë shkrimtarin për afro tridhjet vjet, por vazhdon ta përndjekë e ta sulmojë akoma sot.

Unë e them që në fillim të këtij shkrimi se babai im komunist, kuadër i Sigurimit, i dënuar nga Sigurimi, i burgosur politik duke mos pranuar për asnjë sekond fajsinë, duke mos kërkuar mëshirë por drejtësi, duke mos implikuar kërkënd as në hetuesi, as në gjygj dhe as gjatë vuajtjes dënimit nga viti 1975-1979 në kampin e Ballshit 303, i liriuar dhe më pas kthyer pafajsia, edhe pse i zbulohen dosjet dhe fotot që Dervishët-Loloçët i kanë në dispozicion të plotë, që i përdorin për të më shantazhuar, deligjimituar, nuk më intimidojnë dot edhe sikur im atë të ishte kuadër më i lartë se aq. Edhe sikur im atë të quhej Kadri Hazbiu apo Mehmeht Shehu.

Do të dënoja publikisht krimet e tyre dhe do ti kërkoja falje shqiptarëve, por nuk do ma mbyllnit dot gojën as të më ndalonit të shkruaj dhe mendoj si qytetar i lirë duke më shantazhuar me biografi. Mësohuni me lirinë jo si pronarë dosjesh por si njerëz të lirë. Pesonalisht nuk kam asnjë merak, HAPENI DOSJEN TIME QE NESËR (nëse ka një të tillë) qe të bien rehat edhe vërshimet e tubacioneve të jashtëqitjeve të rrjeteve sociale si patllake ilegalësh.

Unë jam njeri lirë, – dhe tani më i lirë se kurrë ndonjëherë! – as i shitur as i blerë, as i paguar dhe as i porositur.

Megjithatë këtë konflikt edhe unë mendoj se e luan, e nxit dhe e fryn Sigurimi. Dhe bile ish sigurimsat këtu kanë rol kryesor. A nuk është stili famëkeq dhe tipik i Sigurimit që shantazhon bijtë me anën e baballarëve? A nuk është avantazhi i Sigurimit, përdorimi i njerëzve pa karakter, skllevër të shërbimeve të ulta, manipulues të të Vërtetave, sic janë Dervishi me shokë dhe shoqe, të cilëve ju bashkua para tri ditësh dhe Loloci?

Dhe ky debat i acaruar e i ndotur nga fjalorë rugacësh, nuk është i denjë dhe aspak serioz edhe për shkrimtarin dhe intelktualin I.K me përdorimin e bodyguard-ve si detashmentet e kuq te Revolucinit Kulturor. E ca më pak është për motrën e tij, së cilës i kërkoj ndjesë që e morët dhe e përgojuat më shumë ju se unë.

Konflikti në këtë debat të zgjatur paturpësisht, është mes nesh, mes disave si unë dhe juve, jargavecëve të lindur skllevër, intelektualëve memecë, që rrinë dhe fërkojnë duart dhe çojnë mesazhe, se mire ja bëre, por ti e kupton që unë nuk mund të flas. Të përndjekurve të shpërfytyruar që tremben akoma nga policët e lokaliteteve ku u rritën.

Edhe pse jam bir i një ish komunisti, nuk keni asnjë avantazh ju, minj të dosjeve që ua ka vënë në dispozicion Sigurimi, që në Shqipëri përpëlitet akoma si gjarpër i plagosur por i pangordhur. Ju që keni vite që i keni treguar jargët servile duke më përbuzur mua dhe duke i puthur këpucët Berishës, sepse unë e kam pasur babën komunist ndësa Ismail Kadare jo! As edhe Sali Berisha. Por të dy kanë qenë vetë komunistë.

Shkrimtari edhe anëtar i Kuvendit Popullor të Republikës Socialiste të Shqipërisë, nen/kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe kryetare Nexhmie Hoxha si drejtuese e F.D si organizatë e propozimeve të internim-debimeve dhe demaskimit njerëzve jo në përputhje me vijën e partisë. Thënë ndryshe spiunëve të lagjeve. Shkrimtari që penën dhe talentin e tij e përdori dhe vazhdon ta përdorë si një shkrimtar ideologjik në shërbim të regjimeve por jo të vërtetës. Në shërbim të konjuktuarave për pëfitime si dje dhe sot por jo në shërbim të vlerave universale njerzore por në të kundërt, me ushtrinë e bodyguard-ve mundohet ti mbyll gojën fjalës së lire për mos u ballafaquar me të vërtetën kur këtë ja plasin para syve.

Por tani konflikti ku më futët u bë më i acaruar dhe unë do t’i zbrazem atij shteti të padrejtë, atij shteti, që nuk u bë dot shtet. Do t’i drejtohem presidentit të ri, kryeministrave të rinj e të vjetër, prokuror Llallës dhe parlamentit rakitik që mbretëron pa e prishur qejfin në krye të atij pazari të madh social.

Ju, more politikanë të postkomunizmit, që u dhatë prona atyre që nuk i kishin dhe nuk ua dhatë atyre që i kishin që qindra vjet. Ju që bëtë pasanikë gjithë hajdutët dhe trafikantët, ju që dhatë pushtet vend e pa vend, se pasuria është vetvetiu pushtet. Ju i dhatë pushtet edhe një takëmi si Kaloci e Loloci, Dervishi, Balliu dhe Auron Tare duke i lënë akses në bodrumin magjik të dosjeve, ku ata zgjedhin dhe përzgjedhin dosjet, zgjedhin e përzgjedhin cilin do sulmojnë e cilin do të mbrojnë.

Në një vend si i yni, ku numuri i gjynaheve dhe gjyhnaqarëve ka qenë i madh dhe është rritur në mënyrë të llahtarshme dosjet janë pushtet, janë maternitet shantazhi dhe intimidimi dhe ju e dini se cili është mësuesi i kësaj politike paskomuniste me dosjet e “mbyllura”.

Që të gjithë, ju që jeni një çerek shekulli në krye të vendit nuk e shpjeguat kurrë zyrtarisht se PËRSE NË TËRË EUROPËN LINDORE, VETËM DOSJET SHQIPTARE NUK U HAPËN? Përse ato u ndanë sikurse u ndanë pronat dhe iu dhanë jo “pronarëve”, as studjuesve të ndershëm, jo njerëzve që ishin subjekte të dosjeve të tyre, por ca “pronarve të rinj”, ca drejtorëve të pamoralshëm që i shfrytëzojnë si biznesin e tyre, nëpër gazetat ku marrin rogat?.

Si nuk veproni ju, zoti Prokuror i përgjithshsëm?!

Problemi që po ngre unë është një problem shumë më i madh se letra e shkrimtarit e vitit 1980, që u bë shkëndia që të ngrihen në gatishmëri numur një, të tërë të paemrat. Dhe nuk po e ngre se hapet dosja e babait, si stili i mbetur i Enverit dhe nuk hapet dosja ime personale, meqënëse nuk u jep dorë të paemrave të mjerë. Babai im, as me dosjen e hapur nga duart e pista, nuk ka asgjë për të më turpëruar mua, birin e tij! Mua personalisht nuk më skuqet faqja nga ndonjë lloj turpi!

Letrën e shkrimtarit unë nuk e “shpërndava”, siç ka qejf ta trajtojë Dervishi me shokë. Unë e publikova në faqen time në facebook, që është një faqe personale, për mua dhe miqtë e mi të pakët. Atë e morën gazetat e atdheut tim të këtyre ditëve dhe e shpërndanë. Ata janë shpërndarësit. Po Dervishi nuk u vërsulet gazetave, se për ato gazeta me 55 në krye kanë punuar duke u dhënë pjesë nga pushteti i tij i ndyrë.

Për Kadarenë unë them: le të marrin në analizë dhe vlerat letrare të shkrimtarit dhe ta gjykojmë dhe jo ta djegim, ta groposim, ta baltosim dhe ta çvarrosim atë siç ka bërë shkrimtari ynë i madh, me Fishtën, (por edhe me Koliqin, Konicën, Patër Anton Harapin, Mithat Frashërin e gjithë shkrimtarët e ndaluar korifejtë e letrave dhe atdhetarizmës), kur shkruante: “Atë që partia e bëri në lëmin politik me Fishtën, (çvarrosjen dhe hedhjen e eshtrave të tij në lumen Drin) ne letërsia nuk e kemi bërë akoma në planin artistik.” Komenti i tepërt. Le ta gjykojmë dhe ta vendosim aty ku i takon dhe, padiskutim, që shkrimtari do të ketë vendin e tij në letrat dhe kulturën shqiptare duam apo nuk duam ne të gjallët sot.

Unë mendoj se Ismail Kadare nuk mund të na dalë si kampion vlerave morale në periudhën e komunizmit. E sidomos tani. Unë e gjykoj kështu dhe mund të mos kem të drejtë. Le të jenë të gjithë dakord me Kastriot Dervishin dhe me Lolocin. Por kush më ndalon të kem këtë mendim të lire? Edhe poemat hymnizuese, edhe poezitë për socializmin edhe deri ato për qentë e kufirit për mua janë tregues i qartë i tij si shërbëtor ideologjik. Tani na duhet të lexojmë në njëqind gazeta dhe portale se “për të ishte arkivoli i hapur”.

Është e turpshme që të shkruhen deri tani tre libra për denoncimet kundër Kadaresë, kur i llogariten për denoncime edhe kur e kritikojnë për shenjat e pikëzimit! Më lejoni të revoltohem, zotërinj! Më lejoni të shfaq pakënaqësinë që askush nuk hap dosjen e shkrimtarit të burgosur Kin Dushi, partizan, i internuar në kampet kosovare të nazistëve. Shumë vetë kur doli libri i Sinanit “Dosja K” e menduan se ishte për Kutelin. Shkruani për njerëz, qoftë edhe poetë pa rëndësi por që janë varrosur pa arkivole të hapura direkt në dheun e ftohtë!

Si nuk u kujtuan këta biografë të Kadaresë të shkruajnë për Trifon Xhagjikën që në fjalën e fundit në gjyq pas dënimit me vdekje nga prokurori tha: Më jepni një top të ju godas sistemin!

Si nuk u kujtuan këta të bënin libër për Fadil Kokomanin, Vangjel Lezhon, Xhelal Koprenckën që ende nuk i dihet varri?

Fadili dhe Vangjeli në letrën drejtuar Komitetit Qënror nga burgu Spaçit në 9 korrik 1978 i shkruajnë:

“Ky shtet është pushtuar nga një humnerë e amoralitetit

Një shtet ku në rendin e ditës janë parullat patriotike (“për flamurin” “për atdheun” “për trojet e shenjta” etj., etj), ai as nuk ka vdekur, dhe as nuk është vrarë, por është kalbëzuar.”

Këta dhe shumë të tjerë janë ende pa varr. Nuk dimë ç’qen kufiri i kanë shqyer trupat e tyre mbasi i kanë groposur me dy lopata dhe! Nuk dimë, sepse duhet të dimë dhe duhet të kemi si model rezistence kundër të keqes, kundër diktaturës, si moral intelktual dhe letrar “ arkivolin e hapur” të shkrimtarit I.K. Ndihmomë Zot! Turpi i ka kaluar kufijtë e turpit në moralin intelktual, shoqëror, kulturor në vëndin tim në vëndin tënd.

Diktatura ishte e egër dhe shkrimtari ynë me të drejtë i frigohej. Por le të thotë se i ka bërë nga frika dhe jo të na dale e të na thotë se i kishin bërë gati arkivolin.. Nuk mund ta shisni as ju dhe as shkrimtari, shërbimet e regjimit komunist si persekutimi më i madh i 45 vjetëve!

Unë jam thjesht njeri i lirë! Kadareja, i cili pretendon se paska qenë i lirë atëherë nuk është i lire as sot. Tani që e fituam lirinë të gjithë ai e ka humbur edhe më shumë se dje. Ai edhe tani e përbuz dhe jam i sigurtë që nuk e pëlqen “vargëzuesin”, “bejtezhiun rapsod” Gjergj Fishta, që ato kohëra e shante në çdo dy-tre muaj, kurse tani nuk e shan më, megjithëse ka të njëjtin mendim për të. Nuk e shan se nuk është i lirë. Kurse unë jam!

Edhe dy fjalë për sejmenët mediatik të “pavarur” që intervistojnë Kadarenë dhe nuk e pyesin i kujt është pseudonimi Gent Arbana që shkruante dhe mallkonte letërsinë dekadente të Perëndimit në gazetën “Drita”? Ismail Kadareja duhet ta dijë emrin e vërtetë të Gent Arbanës, se në korridoret e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte çdo ditë.

Isha betuar disa herë që nuk do ta zgjasnja, këtë debat me ju Lolocër, por nuk më latë rehat.

Por juve nuk ju pengon asnjeri të mendoni se më detyroi Sigurimi i Shtetit, kur në fakt, jeni ju dhe shkrimtari që bashkëpunoni dhe keni bashkëpunuar me sigurimin edhe këtë e tregon vetë fakti i aksesit që ju dhanë në dosje ti përdorni si patllake të Kinostudios Shqipëria e Re ne filmat e realizmit socialist me skenarë të Kadarese, Neshat Tozaj & C/O pa ligj por për shantazhim dhe deligjimitim të njerëzve që thonë të vërtetën kundër klaneve mafioze-politike, letrare, kulturore, mediatike të postkomunizmit në Shqipëri.

Po e mbyll me një shprehje të Shopenhaurit që ju shkon për shtat takëmit tuaj! “Pasi bisedon me një njeri gjërë e gjatë, pasi i parashtron argumenta nga më të arsyeshmit dhe më bindësit dhe pasi e sheh se ai prapëseprapë nuk bie dakort, atëherë konstaton se nuk është puna se ai s’di t’i kuptojë argumentat e tu por nuk di t’i kuptojë ato, sepse është i dominuar nga disa forca që qëndrojnë më thellë se sa sfera e intelektit.”

Share: