7-vjeçari Julian Cadman u bë viktima më e fundit e sulmit terrorist në Barcelonë emri i të cilit bëhet publik, ndërsa më shumë detaje për ata që humbën jetën kanë nisur të dalin.
Qytetarë nga të paktën 34 vende janë prekur nga sulmi me 14 viktima dhe mbi 120 të plagosur. 7-vjeçari Cadman, një djalosh australiano-britanik, i cili ndodhej në qytet për të marrë pjesë në dasmën e një familjari, u raportua i zhdukur pas sulmit në Las Ramblas, ku ishte ndarë nga e ëma. Nëna e tij ishte lënduar dhe ishte dërguar në spital, ku edhe i kishte thënë personelit para se të humbiste vetëdijen se i biri kish qenë me të.
Ministria e Brendshme katalanase, në një deklaratë të dielën, sqaroi se Julian nuk kishte humbur, por zyrtarët nuk e përfshinë atë mes viktimave derisa identiteti i tij u konfirmua dhe familja u njoftua. Ai ishte djali i një 43-vjeçareje filipinase që jetonte në Australi me bashkëshortin e saj britanik.
Një grua spanjolle u identifikua të dielën po ashtu si një nga viktimat e sulmit. Pepita Codina, banore e qytetit Sant Hipolit de Voltrega, kishte humbur jetën dhe vajza Elisabet ndodhet në spital.
Autoritetet argjentinase thanë se një grua argjentino-spanjolle kishte humbur jetën. Silvina Alejandra Pereyra, 40 vjeç, kishte jetuar në Barcelonë gjatë 10 viteve të fundit. Jared Tucker nga Kalifornia, po ashtu është një nga 13 viktimat. Babai i tij, Dan Tucker ka konfirmuar lajmin për mediat. Ai ndodhej në muajin e mjaltit me bashkëshorten.
Një shtetas kanadez është po ashtu mes viktimave dhe katër të tjerë janë të lënduar, sipas një deklarate të kryeministrit të vendit, Justin Trudeau./360grade.al