Home KRYESORE I BIRI I JAHOS DHE SOFISË…NGA ZIJA CELA

I BIRI I JAHOS DHE SOFISË…NGA ZIJA CELA

Ai e dinte, por nuk e bëri si gjenerali i Barabisë që pati nxjerrë aty shpallje publike, duke i urdhëruar të gjithë burrat për atë punën me gratë: “Veç meje, sonte askush tjetër!”. Pasi pllakosi errësira, la gotën, doli i trullosur nga mejhana dhe trokiti vetëm te fqinjët më të afërt, rreth e qark shtëpisë. “Me lejen tuaj, – u tha, – sonte vetëm unë.” Burrat e vështruan të habitur, ndryshe nga ç’e kishin parë në sallën e kinemasë, në seancën e pasdites, me një farë dashamirësie e dhembshurie, kur ai kishte ndenjur i përhumbur, ndoshta dhe i përlotur, me sytë e qepur në ekran. Megjithatë, ia kuptuan hallin.

Në krye të nëntë muajve, kur të shoqen e zunë dhimbjet e lindjes dhe Jaho Taho vërtitej nëpër hajat, duke pritur të dilte mamia nga dhoma, iu bë se dëgjoi një zë të mistershëm: “Këtë djalë, në moshën dymbëdhjetë vjeç, do ta pickojë grerëza dhe do të vdesë.” Burrin e përfshiu një turbullim aq mizor, sa nuk po e zinte vendi në hajat. U hodh në oborr, por atje dëgjoi prapë zërin e mistershëm: “Në moshën dymbëdhjetë vjeç, ky djalë ka për të thyer shishen e jetës dhe do të vdesë.” Shishja e jetës ishte shtylla kurrizore me palcën, por kur pritej që sëkëlldia t’i shtohej, atij iu lehtësua disi. Jaho Taho mendoi se i njëjti fëmijë nuk kishte si të vdiste në dy mënyra të ndryshme, ndërsa mundësia që e shoqja të lindte binjakë ishte pa gjasa.

Pa e mbaruar cigaren, u kthye në hajat. Tërë sy e veshë, ndërsa vejevinte si më parë, për habinë e tij zëri i mistershëm nuk iu nda: “Ky djalë, në moshën dymbëdhjetë vjeç, do të mbytet në ujë.” Kësaj here burri u çlirua përfundimisht, pasi u bind se profecia kishte bastarduar edhe më tej: asnjë njeri me mend në kokë nuk kishte si ta pranonte që i njëjti fëmijë të vdiste jo më në dy, por në tri mënyra të ndryshme. Kurse mundësia që e shoqja të lindte trinjakë, as që ekzistonte ndopak.

Vërtet, siç e kishte pritur nga një barrë normale, gruaja lindi vetëm një fëmijë dhe ai i vuri emrin e foshnjës që kishte parë të pagëzohej në film, një vogëlush që lindi i braktisur nga i ati, por që e ëma e quajti Shendi dhe nuk e braktisi kurrë. Kaq mjaftoi që kobi i paralajmëruar me aq mister, t’i fashitej nga kujtesa.

Sapo u bë me djalë, Jaho Taho u dha edhe më shumë pas shtëpisë e katandisë. Ai e shtoi mallin e gjënë, përtëriu drufrutorët në kopsht dhe në oborrin e përparmë krasiti një hardhi, që erdhi duke u harlisur e duke e pushtuar tërë kurorën e manit të egër. Pikërisht në atë man, një ditë shtatori kur bistakët e rrushit rëndonin si gjinj të fryrë, djali hipi sipër dhe nisi të hante. Të tërhequra nga mushti, një luzmë insektesh plot gumëzhima lëvrinin nëpër pipa e fletë. Befas ai ndjeu një thimth përvëlues në sup dhe nga tronditja e çastit liroi dorën, me të cilën po mbahej, por humbi drejtpeshimin dhe u vithis degë më degë. Kur u shemb poshtë, më tepër se gjysma e trupit i anoi në parmakun e pusit, aty i kërciti kurrizi, iu errësua vetëdija dhe përfundoi kollotumba në ujë.

I ndodhur në kopshtin prapa shtëpisë, i ati e dëgjoi ulërimën dhe vrapoi në oborr, por humbi kohë për ta kuptuar se çfarë kishte ndodhur dhe derisa i vajti mendja te pusi, i biri mbaroi. Atë vit kishte mbushur të dymbëdhjetat dhe ekspertiza ligjore i ndriçoi rrethanat e vdekjes një më një.

Pikëllimi i Jaho Tahos, qoftë dhe për arsyet e nënkuptuara, nuk rrëfehet me fjalë. Në fillim, atë e brengosi sidomos vendimi i tij i hershëm: duke e pandehur të përjashtuar sendërtimin e profecisë dhe për të mos e trembur më kot të birin, ai nuk ia kishte treguar paralajmërimin që zëri misterioz kishte përsëritur dikur tri herë. Prandaj tani pyeste veten: Sikur t’ia kisha treguar, do të ndodhte kobi i zi? Po ta kishte ditur me kohë, djali patjetër do të ruhej, ai nuk do t’i qasej rrushit, por do të parapëlqente fruta të tjera, për shembull zerdeli, hurma e mushmolla. Nëse dëshironte mushmolla, djali do të shkonte në kopsht, sepse nuk kishte shkak për t’iu vardisur hardhisë dhe, po të mos ngjitej në manin ku harlisej hardhia, nuk do ta pickonte grerëza. Sigurisht, në rast se grerëza nuk do ta pickonte, i biri s’kishte përse ta humbiste mendjen deri në atë shkallë, sa të gremisej nga mani, s’kishte përse të thyente boshtin dhe të mbytej në pus.

Një vit më pas, pak nga pak, e përmbysi ngjarjen duke ia shtyrë zanafillën deri te gjyshi i vet. Sikur në fillim, kur e kishte marrë vendimin, gjyshi i tij ta kishte hapur pusin ca metra më djathtas apo ca më majtas, atëherë edhe nëse djali dëshironte rrush, ngjitej në trungun e manit, e pickonte grerëza, humbiste torruan dhe branisej nëpër degë, as do të përplasej në parmakun e pusit dhe as do të mbytej në ujë, por do të binte përtokë dhe, shumë-shumë, do të shtypte gjurin ose do të thyente ndonjë krah.

Megjithatë, si i bloi me vete të gjitha rrethanat, pas disa muajsh edhe kjo zgjidhje nuk iu duk përfundimtare. Pavarësisht nga pusi, djali sidoqoftë do të kishte shpëtuar, mjaft që mani i egër të kishte mbirë në qoshen tjetër të oborrit, ashtu siç do të shpëtonte përsëri sikur edhe pusi, edhe mani të ndodheshin aty ku ndodheshin, kurse hardhinë në vend ta linte të merrte përpjetë, ta kishte tërhequr drejt mesit të oborrit duke e hapur në tendë.

Sa më tepër shkonin vitet, aq më ngulmueshëm e kërkonte përgjigjen. Por njëri arsyetim i hapte shtegun tjetrit. Vallë, do të kishte vdekur i biri sikur hardhia megjithatë të gjallonte përpjetë manit, grerëza të bënte punën e saj dhe djali të kumbisej, pra të binte tamam përmbi pus, sepse pusi nuk mund të shtyhej tashmë me bërryla, por gryka gllabëruese e tij të mbahej e mbuluar me kapak?! Fundja, edhe kapaku s’është kurdoherë i përdorshëm dhe në këtë fatkeqësi s’kishte pse të shihej si vendimtar, pasi djali as që do të rrëzohej nga lart, sikur rrushi të mos ishte aq i pjekur, i lëngshëm dhe i ëmbël. Po të ishte kakareç, çfarë do të kërkonte grerëza në hardhi?! Apo, sado aguridhe rrushi, ajo do të ndillej nga etja. Ku ta dish, ndoshta djali do të kishte shpëtuar me kusht që korita, ku pinin pulat gjatë vapës, të mos gjendej bosh por me ujë, sepse uji ua zbut helmin gjarpërinjve dhe grerëzave. E mirë, e zëmë se ua zbut ose nuk ua zbut, por do ta pësonte i biri aq keq nga thumbi, sikur të mbante në trup këmishën prej puplini?! Sa herë ia kishte përmendur rrezikun e të ftohmës, duke e porositur se djersa e verës është brisku i mushkërive. Veçse për një gjykim sa më të drejtë, ashtu si nuk fitohet në një ditë, vesi as nuk hiqet brenda ditës: djali ishte mësuar ta kalonte beharin në fill të kanotierës. Po sa njerëz e kalojnë edhe pa kanotierë! E keqja është se, duke dëgjuar tërë ato zhuzhima paralajmëruese, si nuk ishte kujtuar të këpuste një purtekë hardhie, ta zhvishte nga gjethet dhe me atë fshikull të mbrohej nga grerëzat? Apo zhuzhimat e tyre i kishte marrë për zëzërima mushkonjash, brumbujsh dhe mizash çeliku? Po të mos ishin mushkonjat, brumbujt e mizat, ndoshta do ta kuptonte se në hardhi kishte grerëza. Veçse nuk është e thënë që të gjitha frutat të piqen verës, ftonjtë piqen në vjeshtë. Kështu dhe rrushi, po të piqej në shëndre, do të kishte grerëza në hardhi?! E zëmë se do të kishte grerëza, por në atë stinë, përveç këmishës, djali do të mbante edhe triko leshi. Dhe leshi është lesh, ai ngjishet e rraset, hajde fute thumbin pastaj në parzmore. Megjithatë, me lesh a pa lesh…
Vetëm nga mbarimi i jetës iu duk se arriti një zgjidhje më të sigurt, që në të vërtetë ishte më e papranueshmja, prandaj më parë s’e kishte çuar nëpër mend. Pavarësisht nga mani, nga rrushi, nga thumbimi i grerëzës, nga rrëzimi, nga thyerja e shtyllës kurrizore, hataja nuk do të kishte ndodhur, nëse e shoqja s’do ta kishte lindur kurrë atë fëmijë. Jaho Taho u bë pishman për mbrëmjen kur kishte dalë i pirë nga mejhana dhe kishte trokitur te fqinjët rreth e rreth.

Për ta shkulur merakun me rrënjë, trokiti përsëri dhe i pyeti nëse e kishin tradhtuar atëherë.

– Kur? – u shastisën burrat, që tani po plakeshin.
– Natën që kërkova “Sonte vetëm unë!”. Ju më tradhtuat, prandaj im bir vdiq më vonë.

– Yt bir?! – zgurdulluan sytë ata.
– Po ti s’ke pasur fëmijë kurrë, – i tha një fqinj.
– Ti as grua s’ke pasur kurrë, – qeshi tjetri.

Por vetëm pasi mori të njëjtën përgjigje edhe nga fqinji i fundit, u kthye i drobitur, me një farë dyshimi të vagullt. Në oborr thirri me zë të lartë: “Sofia, Sofia!” Priti e priti, por ndonjë zë gruaje nuk iu gjegj. Vetmevete pranoi se, ndoshta, ai asnjëherë nuk ishte martuar, asnjëherë atë shtëpi s’e kishte ormisur një zonjë. Por kjo s’e kishte penguar që të bënte jetë të pastër. Prej shumë vitesh, natën i ndodhte të prishej në ëndërr me të njëjtën grua, së cilës i qëndronte besnik. Kurse me dashje vetëm një herë kishte masturbuar me imazhin e saj para syve. Kishte ndodhur pikërisht mbrëmjen kur hodhi disa gota tumbllazi, pasi pa Sofinë për herë të parë në film. Dhe meqë Sofia i kishte pikur në zemër, me gjasë, qysh prej asaj kohe i kishte mjaftuar për t’i dhënë një zgjidhje vetmisë. (1997)

Share: