Home KRYESORE A duhet një Vetting për komunitetin ndërkombëtar në Shqipëri?

A duhet një Vetting për komunitetin ndërkombëtar në Shqipëri?

Nga Lavdrim LITA #ZëriIntegrimit

Një qytetar i thjeshtë që nderon e respekton ambasadorët e vendeve të BE, SHBA, si njerëz që janë dërguar në Tiranë për të asistuar në proceset euroatlantike, përafrimi me BE, forcimin e institucioneve të pavarura, lirisë e demokracisë, do të mjaftohej me komunikimin e tyre, duke i marrë fjalët e tyre të vërteta, të sinqerta.

Mirëpo një qytetar jo i thjeshtë që lexon dhe reflekton mbi fatin e familjes, qytetit dhe shtetit të tij, shashtiset krejt kur kupton që edhe ambasadorët e huaj në Tiranë, qofshin euroatlantikë apo euroaziatikë, kanë axhendat e tyre, që në të shumtën e rasteve reflektojnë interesa të shteteve te tyre dhe standartet europiane që iu kërkojnë shqiptarëve as që iu bëhet vonë.
Shembuj ka sa të duash.

Për reformën në drejtësi dhe vettingun, komunitetit ndërkombëtar çau (bashkë me ne) kokën e shqiptarëve duke iu thënë se kjo është për të mirën tuaj, afrimi me BE është shumë afër me reformën në drejtësi dhe vettingun. Po ja që vettingu është duke u delegjitimuar dita ditës nga përzgjedhja amatoreske e mekanike e anëtarëve të Kolegjit të Apelimit, ku dallohen qartë formimi i dobët ligjor i tyre. Ndërsa pedagogët e Jurisprudencës, kandidatë për trupën e këshillave për Vettingun, u bënë gazi i botës nga përgjigjet e pyetjeve të komisionit grotesk përzgjedhës të ngritur pranë Parlamentit të Shqipërisë.

Të mos flasim për faktin që KE caktoi një datë antarësimi për Serbinë dhe Malin e Zi në 2025, ndërsa për çeljen e negociatave të Shqipërisë ska asnjë fjalë serioze, veç ca “statement” burokratike.

Dhe e gjitha kjo vjen kur procesi i Integrimit europian të Shqipërisë do të menaxhohet tashmë e tutje nga një drejtori e zakonshme në Ministrinë e Jashtme.

Vetiu lind pyetja, kush do ti kontrollojë kontrollorët e Vettingut?

Ndërkohë investimet miliona euro të taksapuaguesve europianë, amerikanë dhe shqiptarë rrezikojnë të shkojnë dëm për shkak të mungesës së një strategjie komunikimi të reformës në drejtësi, që është lënë në dorë të fatit dhe mungesës së seriozitet të atyre që nxisin reforma pa pasur idenë se si janë shqiptarët.

Ambasadorët shkojnë e vijnë, reformat që iu imponojnë me bollëk shqiptarëve, ngelen në ca faqe word.

Share: