Home KRYESORE Dyshohet se fshehën pasurinë, verifikim për 68 gjyqtarë e prokurorë

Dyshohet se fshehën pasurinë, verifikim për 68 gjyqtarë e prokurorë

Prokurorë e gjyqtarë dyshohet se po tentojnë të fshehin pasuritë, për të shmangur penalizimet nga vetingu. Pjesë e këtij procesi ka dyshime se janë bërë edhe punonjës të hipotekave. Burime nga Hipoteka thanë për TV ‘Klan’ se në një letër konfidenciale kryeregjistruesja e sapoemëruar, Blerina Doracaj, u ka nisur zyrave vendore të regjistrimit të pasurive.

Me anë të kësaj shkrese ajo kërkon rifillimin edhe njëherë të procesit të kontrollit të pasurive për 68 gjyqtarë dhe prokurorë, pasi faza e parë që sapo ka përfunduar ka konstatuar mangësi, deri në fshehje të të dhënave të pronave për një pjesë të magjistratëve.

“Nuk është dhënë informacioni për pasuritë në emër të personave të kërkuar, të cilët kanë rezultuar të regjistruar ne ZRVPP, por të deklaruara nga subjekti, por edhe raste kur nuk janë deklaruar, duke sjellë për pasojë fshehjen e informacionit, e cila sjell pasoja juridike”, thuhet në shkresën e Doracajt.

Paralajmërimi

Krye regjistruesja paralajmëron personelin e hipotekës për përgjegjësi penale. Një grup pune do të ngrihet për të verifikuar të gjithë mënyrën se si është bërë deri më sot lista me pasuritë e magjistratëve ne zyrat e hipotekave. Përgje-gjësi do të ketë edhe për punonjësit që do të konstatohen se kanë zvarritur procesin apo kanë ndihmuar subjektet për t’i shpëtuar vetingut. Në urdhër kërkohet të zbatohet menjëherë kërkesa që ka bërë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Interesave dhe të mos ketë vonesa në listimin e pasurive për ata që janë pjesë e reformës në drejtësi. Janë konstatuar edhe gabime gramatikore në të dhënat e gjyqtareve dhe prokuroreve, të cilat kanë sjellë rifillimin e procesit të kontrollit e deri te fshehja e qëllimshme e të dhënave apo shkelja e afateve ligjore për kthimin e përgjigjeve. Grupi i punës, i cili do të marrë përsipër vetingun e pasurive do të punojë me orar të zgjatur deri në datën 15 shtator për të përfunduar të gjithë procesin. Kjo është hera e tretë që punonjësit e hipotekës i kthehen kontrollit të pasurive për gjyqtarët e pro-kurorët. Herën e parë kontrolli mbeti peng i ankimimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa hera e dytë ka gjetur parregullsi.

Kontrolli pasurisë

Rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë do t’i nënshtrohen skanerit të trefishtë të vetingut për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet e papërshtatshme me krimin dhe testimin e aftësive profesionale. Sipas juristëve, llogaritja e afateve për gjyqtarët dhe prokurorët, për dorëzimin e deklaratave të pasurive, nis nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit, i cili u botua në Fletoren Zyrtare, në 20 janar të këtij viti. Neni 31 i ligjit për vetingun, parashikon që subjekti i rivlerësimit plotëson deklaratën e pasurisë, sipas shtojcës 2 bashkëlidhur këtij ligji, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi dhe e dërgon pranë ILDKPKI.

Nga ana tjetër, ILDKPKI fillon menjëherë procedurën e kontrollit. Nëse subjekti i rivlerësimit është në pamundësi objektive për të disponuar dokumentin që justifikon ligjshmërinë e krijimit të pasurive, duhet t’i vërtetojë institucionit të rivlerësimit se dokumenti është zhdukur, ka humbur, nuk mund të bëhet përsëri ose nuk merret në rrugë tjetër. Nëse subjekti i rivlerësimit ose personat e lidhur kanë pasuri jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ai paraqet deklarimet bankare të viteve të fundit, të dhënat e fundit mbi regjistrimin e pasurisë ose dokumente të tjera që tregojnë vlerën e pasurive që ndodhen jashtë shtetit./GSH

Share: